Pyetja: Pashë një postim për ditët e Ramazanit që jemi me menstruacione e që duhet t’i agjërojmë pas Ramazanit ne gratë. Unë kam një sëmundje të rrallë, sëmundjen Skleroza Multiple në fazën e dytë. Që dy vite sëmundja shkon duke u përkeqësuar akoma më shumë, domethënë ecën më shpejt se sa e kanë menduar doktorët. Marr terapi të medikamenteve çdo 6 orë; mjekët nuk më lejojnë të agjëroj. Nëse unë nuk e marr një medikament në kohën e duhur, humbem krejt, pastaj më shkon me javë deri sa të vij në vete. Çfarë të bëj unë me Ramazanin që s’mundem asnjë ditë të agjëroj? Përndryshe e paguaj komplet Ramazanin edhe mërzitem shumë; nuk ekziston kohë namazi që unë nuk qaj, se veç shpirti im i dinë dhimbjet që kam. Do isha mirënjohëse nëse më ishit përgjigjur.
Përgjigja:
Motër e nderuar, e lus Allahun me emrin e Tij Esh-Shafi të të shërojë plotësisht. E lus Allahun të të japë durim e shpërblim pafund për çdo dhimbje e lot që derdh. Qoftë kjo sëmundje shkak për pastrimin dhe lartësimin tënd.
Përmendet që duhet të merrni mjekim(medikament) çdo 6 orë.
Nëse mjekimi(medikamentet) nuk është ushqyes, pra nuk përmban vitamina, nuk është serum dhe nuk merret nga goja apo hunda, por nëpërmjet injeksionit në muskuj ose vena (intramuskular ose venoz), ju mund të agjëroni edhe duke marrë mjekimin dhe agjërimi është i saktë, si në Ramazan edhe jashtë tij, nëse mjeku është dakord.
Nëse mjekimi që merrni përmban lëndë ushqyese (vitamina, plazmë, glukozë etj.), apo edhe pse nuk përmban lëndë ushqyese për trupin, qofshin ato të sipërpërmendurat apo të tjera të ngjashme, MIRËPO ju domosdoshmërisht duhet t’i merrni nëpërmjet gojës, nuk mund të agjëroni, pasi ato lëndë e prishin agjerimin. Në rastin kur nuk janë ushqyese por merren nga goja dhe kalojnë në stomak, prishet agjërimi.
Rasti juaj është i veçantë; krahas opinionit fetar duhet edhe opinioni i mjekut kompetent që i frikësohet Allahut. Nëse mjeku i cili kujdeset për ju mendon se me agjërimin sëmundja përparon apo gjendja juaj vështirësohet, DIJE se për ty edhe të gjithë të sëmurët e këtij umeti, Allahu i Lartësuar ka zbritur LEHTËSIM.
Pranoje lehtësimin si dhuratë prej Allahut. Ushqe për çdo ditë të Ramazanit një të varfër, kështu keni për ta gjetur shpërblimin e agjërimit të plotë në peshoren tuaj Ditën e Kiametit.
Elhamdulilah, mundësitë për vepra të mira janë të shumta. Duke marrë lehtësimin e Zotit, ti do të kesh më tepër mundësi të lexosh më shumë Kuran, të bësh më shumë dhikër e të falesh më tepër namaz nafile etj.
Allahu të ndihmoftë e ta mundësoftë të rëndosh peshoren e veprave tua të mira me punë të sinqerta në përputhje me traditën profetike.
Hoxhë Kastriot Bardhi



