Kur të vendosen librat.

Allahu i Madhëruar ka njoftuar në librin e Tij se gjithçka bën robi në këtë botë është e regjistruar nga melaiket në libra të posaçëm dhe se ato libra do tu shfaqen njerëzve Ditën e Llogarisë.

Ato libra do të hapen para tyre atë ditë dhe ja çfarë thotë Allahu i madhëruar për këtë moment në Kuran:

«Dhe Libri (i veprave të tyre) do t’u vihet përpara, e do t’i shohësh gjynahqarët se si do të tmerrohen nga ato që gjenden në të dhe do të thonë: “Të mjerët ne! Çfarë është ky libër që nuk paska lënë asnjë vepër të madhe apo të vogël pa e shënuar atë”. Aty do të gjejnë të shënuar gjithçka që kanë punuar. Zoti yt nuk i bën padrejtësi askujt.» (Sure El-Kehf:49)

▪️Ky ajet tregon për disa gjëra:

E para: Librat përmbajnë çdo gjë që ka vepruar robi e vogël qoftë apo të madhe. Thotë Ibn Abasi radiallahu anhu: E vogla është qeshja.

E dyta: Njerëzit do të tmerrohen kur ti shohin ato libra aq të detajuar.

E treta: Kur njerëzit do ti shohin ato libra do ta kuptojnë se tashmë u është bërë hak hyrja në zjarr të Xhehenemit dhe do të fillojnë të luten kundër veteve të tyre.

E katërta: Këto libra janë të hollësishëm me qëllim që askujt të mos i bëhet zullum atë ditë.

 

Hoxhë Dr. Abdullah Nabolli