Pyetja:
Nëse gruaja punon ndonjë punë të shtetit rroga e saj i takon gruas apo burrit?
***
Përgjigjja:
Të drejtat e gruas dhe të burrit, janë temë e gjerë që nuk mund të elaborohen shkurt me një përgjigje. Për këtë temë duhet të lexosh literaturë, e literaturë të këtillë ka edhe në gjuhën shqipe. Për këtë temë mund të lexosh në libra që flasin për jetën familjare, për gruan në Islam dhe të drejtat e saj. Por, sa i përket pyetjes suaj konkrete se: rroga kujt i takon, normalisht se rroga e juaj ju takon juve, e jo burrit. Bile fetarisht burri obligohet ta mirëmban materialisht gruan, dhe gruaja nëse nuk donë të punojë, burri detyrohet ta mbajë materialisht. Nëse punon, rroga i takon gruas e jo burrit. Por, normalisht, kur jeni bashkë, në veçanti në perëndim ku harxhimet dhe standardi i jetës është i lartë, atëherë merreni veshë se në çfarë mënyre do ti harxhoni rrogat tuaja bashkërisht. Përndryshe, burri nuk ka të drejtë në mënyrë arbitrare t’ia merr gruas rrogën dhe ti thotë se unë do të menaxhoj me rrogën tënde. Kjo nuk është e lejuar. Rroga e gruas është e gruas dhe i takon asaj, e jo burrit.
Mirëpo, para se të përfundoj me përgjigjen, më lejoni të nënvizoj dy gjëra të rëndësishme:
1 -Duhet ta dini se ju mund të punoni, dhe nuk është e ndaluar gruaja të punon, ngase atëherë do ta privonim gjysmën apo ma tepër se gjysma të shoqërisë nga puna. Mirëpo, gruaja mund të punon nëse plotësohen kushtet e parapara sipas fesë islame. Nuk mund gruaja të punon në një vend ku vetësohet me meshkuj të cilët nuk i ka gjak, ngase shejtani punon dhe mund të vjen deri te mëkati shumë lehtë. Bile edhe nëse nuk ndodh diçka e tillë, gruaja bëhet cak akuzash dhe dyshimesh se mund të ketë afera, e me këtë e humb edhe autoritetin. Poashtu, duhet të merren parasysh edhe kushtet tjera që kanë të bëjnë me punën e gruas, si:mbulesa, prekja me meshkuj, të qenit objekt fyerjesh e sharjesh, sulmi etj.
2 -Nuk duhet të harroni se puna më e madhe dhe më e ndershme dhe më e shenjtë e gruas është edukimi i fëmijëve dhe të qenit nënë. Ju mund të punoni, por jo në llogari të fëmijëve tuaj. Dijeni se nuk keni bërë asgjë, sado që të fitoni, nëse ju punoni, e fëmijët ua ruan tjetërkush. Ai që i ruan fëmijët shikon vetëm ta kalon kohën e nuk merret me edukimin e tyre. Për atë, në perëndim nuk është çudi që fëmijët nuk i duan prindërit, sepse prindërit para kësaj nuk u janë përkushtuar fëmijëve, por i kanë lënë në duar të huaj. Së këtejmi, mos harroni se më e rëndësishme për ju dhe umetin është që të jeni nënë e vyeshme, dhe punë më e madhe është t’i edukoni fëmijët.
Allahu e di më së miri.
Dr. Bashkim Aliu