Pyetja:

Nëse betohesh tri herë dhe nuk e realizon, çka duhet bërë?

***

Përgjigjja:

Në fillim themi se muslimani duhet të kujdeset për betimin e vet si dhe të flasë vetëm të vërtetën, të mos betohet vend e pavend, por edhe kur betohet, duhet të betohet vetëm në emrin e Allahut. Allahu xh.sh. thotë:

”Ruani betimet tuaja!” (Maide: 89)

Pejgamberi ﷺ ka thënë: “Kush betohet, le të betohet në Allahun ose le të heshtë.” [1]

Po ashtu muslimani duhet të jetë i sinqertë në betimin e tij, ngase moszbatimi i betimit pa arsye është i ndaluar. Allahu xh.sh. thotë:

”Meqë keni premtuar, pra zbatojeni premtimin e dhënë ndaj Allahut, e mos i prishni betimet pasi i keni vërtetuar ato, duke qenë se Allahun e bëtë garant tuajin. Vërtet, Allahu e di se çka punoni.” (Nahl: 91)

Gjithashtu duhet ditur se obligohet të zbatohet premtimi që në vetvete përmban mirësi dhe dobi, ndërsa nuk duhet të zbatohet betimi që përmban në vete mëkat dhe dëm. Pejgamberi ﷺ ka thënë: “Kush zotohet për ta bërë ndonjë adhurim ndaj Allahut, le ta bëjë atë. E kush zotohet për t’i thyer urdhrat e Allahut, të mos i thyejë ato.” [2]

Kush nuk e zbaton atë për të cilën është betuar apo nuk e çon në vend betimin e tij, pavarësisht a është betuar tri herë, më pak apo më shumë, ai  duhet të bëjë kefaretin-shpagimin përkatës. Allahu xh.sh. thotë:

”Allahu nuk ju merr në përgjegjësi për betimet tuaja të paqëllimta (për betim), por ju merr për ato që jeni zotuar qëllimisht. E shpagimi i tij (i betimit të bërë) është duke ushqyer dhjetë të varfër me ushqim mesatar që ushqeni familjen tuaj, ose duke i veshur ata (të dhjetë), ose duke liruar një rob. E kush nuk ka mundësi t’i bëjë këto, le të agjërojë tri ditë. Ky është shpagim për betimet tuaja kur i thyeni ato. Ruani betimet tuaja. Kështu Allahu ju sqaron dispozitat e Veta, ashtu që të jeni mirënjohës.” (Maide: 89)

Ky ajet kur’anor na sqaron formën e shpagimit të betimit të pazbatuar dhe fillon me ushqyerjen e dhjetë të varfërve me ushqimin mesatar që ushqejmë familjet tona (dy shujta në ditë), ose të veshim me rroba dhjetë të varfër sa të jenë në gjendje ta falin namazin me të, ose të lirojmë një rob musliman nga robëria.

Pra, radhitja e këtyre tre veprimeve nuk është e kushtëzuar, prandaj cilindo prej këtyre tre veprimeve të bëjmë, shpagimi është i vlefshëm. E nëse nuk kemi mundësi ta kryejmë asnjërën prej tyre, atëherë merret në konsideratë mundësia apo opsioni i fundit i shpagimit, që është agjërimi i tri ditëve radhazi, pa ndërprerje.

Është me rëndësi të theksohet se nuk bën të kalohet tek agjërimi pa e shikuar mundësinë e kryerjes së ndonjërës prej tre veprimeve të cekura në ajetin kur’anor.

Allahu e di më së miri.

Dr. Shefqet Krasniqi

——————–

[1] Buhariu, nr. 2679; Muslimi, nr. (1646) 3.

[2] Buhariu, nr. 6696.