Pyetja:
Jobesimtarët që bëjnë vepra të mira në këtë botë, a do të shpërblehen në botën tjetër?
***
Përgjigjja:
Jobesimtarët (qafirët) që bëjnë vepra të cilat meritojnë shpërblimin prej Zotit xh.sh. nuk shpërblehen në botën tjetër, por shpërblimin e marrin në këtë botë, ngase atyre u mungon kushti kryesor për fitimin e shpërblimit në ahiret, e ai është Islami.
Allahu xh.sh. thotë:
“Për kriminelët atë ditë kur i shohin engjëjt nuk ka gëzim, sepse ata (engjëjt) u thonë: “Është e ndaluar çdo e mirë (apo xheneti është haram për ju)!” E Ne i kthehemi ndonjë vepre që e bënë ata dhe e bëjmë atë hi e pluhur.”
(Furkan: 22–23)
Imam Taberiu në lidhje me këtë ka thënë: “Kush bën vepra të mira duke qenë jobesimtar, atij shpërblimi i jepet në dynja. Pra, nëse mban lidhjet familjare, e ndihmon të varfrin e nevojtarin dhe bën punë të tjera të mira, Allahu ia shpejton shpërblimin e veprës së tij në këtë botë, i mundëson kushtet e mira për jetesë dhe furnizim të lehtë, i jep gëzime e kënaqësi, ia largon fatkeqësitë dhe sprovat e kësaj bote e gjëra të ngjashme, mirëpo nuk ka hise në shpërblimin e botës tjetër.” [1]
El-Hafidh bin Haxheri, Allahu e mëshiroftë, ka thënë: “El-Kadi Ijad ka thënë: “Është mendim unanim (ixhma) se jobesimtarëve (qafirëve) nuk u bëjnë dobi veprat e tyre në ahiret dhe nuk shpërblehen me mirësi, e as nuk u lehtësohet dënimi, edhe pse disa prej tyre kanë dënim më të rëndë se disa të tjerë.” [2]
Pra, Allahu i Lartësuar jobesimtarit nuk ia humb shpërblimin e bamirësisë së tij ndaj njerëzve, mirëpo e shpërblen në dynja e jo në ahiret, kurse besimtari shpërblimin e veprës së tij e merr në dynja dhe në ahiret. Enes bin Maliku transmeton se Pejgamberi ﷺ, ka thënë: “Allahu nuk i bën padrejtësi muslimanit në veprat e tij. Ai për hir të tyre i jep të mira në dynja dhe e shpërblen në ahiret. Ndërsa qafirit për hir të veprave të tij të mira i jep të mira në dynja, mirëpo kur të dalë para Allahut në botën tjetër nuk do të ketë asnjë sevap për t’u shpërblyer me të.” [3]
Gjithashtu hadithi tjetër ku Pejgamberi ﷺ thotë: “Jobesimtari në rastet kur bën vepra të mira Allahu e shpërblen me shpërblim të dynjasë, kurse besimtarin për dëgjueshmërinë (nënshtrimin) e tij Allahu i rezervon shpërblimin për në ahiret dhe i jep furnizim në dynja.” [4]
Ky shpërblim në dynja nuk është i garantuar, por është në dëshirën dhe vullnetin e Zotit të Lartësuar. Allahu xh.sh. thotë:
“Kush është që e ka për qëllim vetëm këtë botë, Ne atij që duam i japim në të aq sa duam, e pastaj e bëjmë të hyjë në xhehenem i nënçmuar, i përbuzur.”
(Isra: 18)
Si përfundim, mund të themi se veprat e jobesimtarëve të dynjasë ndahen në dy kategori:
1. Punët e kësaj bote të llojit të bamirësisë që nuk kushtëzohen me qëllim adhurimi, si fjala vjen mbajtja e lidhjeve familjare, ndihma e të varfrit, mjekimi i të sëmurit dhe të ngjashme me këto. Hadithi i sipërpërmendur ka për qëllim shpërblimin në dynja të kësaj kategorie jobesimtarësh nëse Zoti dëshiron t’i shpërblejë.
2. Punët e kësaj bote të llojit të bamirësisë me të cilat synohet përhapja e fesë së jobesimtarit dhe konvertimi i muslimanëve, siç është rasti i misionarëve të krishterë, të cilët duke shfrytëzuar dobësinë, sëmundjen dhe urinë e njerëzve i ndihmojnë me qëllim që t’i konvertojnë në fenë e tyre të humbur.
Hadithi nuk aludon për shpërblimin e kësaj kategorie jobesimtarësh për “bamirësinë” dhe “humanizmin” e tyre, përkundrazi, për këta Allahu i Madhërishëm ka paralajmëruar kërcënim me dënime të rrepta. Allahu xh.sh. thotë:
“Ata që nuk besuan, shpenzojnë pasurinë e tyre për të penguar nga rruga e Allahut. Ata do ta shpenzojnë atë dhe ajo do të bëhet dëshpërim i tyre, madje ata do të mposhten. E ata që mohuan, do të përmblidhen vetëm në xhehenem.”
(Enfal: 36)
Nëse jobesimtari (qafiri) kryen ndonjë punë të mirë që është prej fesë dhe ku kushtëzohet nijeti me qëllim të fitimit të kënaqësisë së Allahut të Lartësuar, siç është namazi, agjërimi, haxhi, zekati etj., atëherë jobesimtari për këto vepra nuk shpërblehet as në dynja e as në ahiret, ngase i mungojnë kushtet e pranimit të veprës, siç është: Islami, sinqeriteti dhe pasimi i Sunetit. Në anën tjetër, mosbesimi është shkatërrues dhe zhvlerësues i veprave të mira, prandaj jobesimtari nuk ka mundësi të përfitojë prej veprave të tij në ahiret.
Allahu e di më së miri.
Dr. Shefqet Krasniqi
————————————————————
[1] Tefsir et-Taberij, 15/265.
[2] El-Fet’h, 9/48.
[3] Muslimi, nr. (2808) 56.
[4] Muslimi, nr. (2808) 57.