Pyetja:

Shtimi apo mangësimi i fjalëve të dikujt, a llogaritet gënjeshtër?

***

Përgjigjja:

Sot, jemi dëshmitarë ku thuajse në çdo vend është përhapur gënjeshtra, sidomos në tregti e biznes. Aishja (Allahu qoftë i kënaqur prej saj!), përcjell se Pejgamberi ﷺ e urrente gënjeshtrën. [1]
Kjo dukuri ka filluar të shtohet te muslimanët, saqë përdorin fjalë vend e pavend duke thënë se kjo është në Kuran apo në hadithet e Pejgamberit ﷺ. Duhet tërhequr vërejtjen në këtë pikë, se nuk lejohet të tregohet hadithe që nuk janë të sakta, duke thënë se i ka thënë Profeti ﷺ. Madje edhe nëse këtë e përdor për t’i motivuar njerëzit.

Profeti ﷺ ka thënë: “Gënjeshtra ndaj meje nuk është si gënjeshtra ndaj dikujt tjetër. Kush gënjen ndaj meje qëllimisht, le ta përgadisë ulësen, (karrigen e tij) prej zjarrit të xhehenemit.” [2]
Prandaj le të ketë kujdes ai që flet në emër të Profetit ﷺ; edhe për faktin se nuk është i sigurt a e ka thënë Profeti Muhamed ﷺ apo jo ai person te Zoti quhet gënjeshtar vetëm për faktin që guxon të flasë në emër të Profetit ﷺ.
Hadithi citon: “Ai person që thotë diçka në emrin tim duke mos qenë i sigurt se e kam thënë apo jo, ai njeri te Zoti shkruhet si gënjeshtar”. [3]

Imam dr. Ahmed Kalaja

——————————

[1] Tirmidhiu

[2] Buhariu dhe Muslimi

[3] Ahmedi, Tirmidhiu, Ibn Maxhe