Pyetja:

A është puna farz? A mund të na tregoni diçka rreth kësaj thënie shumë të përhapur në popull?

***

Përgjigjja:

Po, është e vërtetë se kjo thënie është e përhapur në popull dhe nëse hulumtojmë citatet sheriatike atëherë kuptojmë se me të vërtetë muslimani është i obliguar që ta kërkoj rriskun, do të thotë furnizimin e tij në këtë jetë duke punuar. Allahu thotë në Kuran: “Ai është që juve tokën ua bëri të përshtatshme, andaj ecni nëpër pjesë të saj dhe shfrytëzoni begatitë e Tij.” (Mulk, 15)

Kjo nënkupton se besimtari është i obliguar të shëtis dhe hulumtoj, e të punojë për të fituar kafshatën e gojës. Dhe nëse e shohim të gjithë pejgamberët kanë qenë me profesione të ndryshme që kanë punuar dhe fituar kafshatën e gojës për vete dhe familjen. Tregohet për Ademin alejhi selam që ka punuar në bujqësi, tregohet për Isain alejhi selam se është marr me drurin, Davudi alejhi selam ka përpunuar hekurin, Pejgamberi ﷺ në moshën rinore ka ruajtur bagëtitë e pastaj më vonë është marrur me tregti. Kështu të gjithë pejamberët janë marrur me punë dhe kanë punuar krahas atij emaneti  që kanë pasur në përcjelljen e fjalës së Allahut tek njerëzimi.

Prandaj nga kjo kuptojmë se me të vërtetë muslimani është i obliguar të punojë dhe në asnjë formë nuk i lejohet të kërkojë nga të tjerët. Tregohet një rast se një lypës ka qenë pranë xhamisë duke kërkuar dhe kur ka dalur Omeri (Allahu qoftë i kënaqur me të) jashtë xhamisë dhe e ka parë se ai e ka shtrirë dorën, e ka çortuar dhe i ka thënë: “Shko puno dhe fito kafshatën e gojës me punë e jo duke e shtrirë dorën.”

Pejgamberi ﷺ thotë në një hadith: “Vërtetë dora e cila merr (shtrihet për të kërkuar) është më poshtë se dora e cila jep.”

Kjo ngase ai që jep e fituar me mund kurse ai që merr dëshiron ta marr atë që është e gatshme. Pastaj Pejgamberi ﷺ gjithashtu në një hadith tjetër thotë: “Puna më e mirë është ajo prej të cilës fiton njeriu me duart e tij.” [1] Dhe ai ﷺ ka përmendur shembullin e Davudit alejhi selam i cili ka përpunuar hekurin me duartë e tij dhe më pas me shitjen e atyre gjërave që i ka përpunuar ka ushqyer vetën dhe familjen e tij.

Prandaj të gjitha këto citate sheriatike të Kuranit, hadithet, e praktika e sahabëve, si dhe pastaj praktika e dijetarëve të umetit prej imamëve tanë të nderuar shohim se vërtetë të gjithë ata për fitimin e rriskut në këtë botë janë marrur me punë, zanate të ndryshme dhe kështu kanë jetuar dhe e kanë siguruar jetesën në këtë botë.

Andaj muslimani është i detyruar dhe në asnjë formë nuk duhet të jetë një person që vazhdimisht varet prej të tjerëve apo që vazhdimisht kërkon prej të tjerëve. Ashtu siç ka disa pretendime nga disa njerëz se po mirren me ibadet dhe bëj këtë e këtë nga çështjet e fesë dhe të presë të tjerët ta ushqejnë apo të ia sigurojnë familjen. Në asnjë mënyrë nuk duhet muslimani të jetë kështu, por duhet që krahas gjitha adhurimeve jep edhe mundin e tij fizik për të qenë nga ata njerëz të cilët e sigurojnë kafshatën e tyre me mundin e vetë dhe jo me mundin e të tjerëve.

Zoti e di më së miri.

Alaudin Abazi

———————————

[1] Buhariu