Mëkatarët të cilët kanë bërë mëkate të mëdha ndaj Allahut (azzevexhel), në Ditën e Gjykimit janë disa lloje:

 

-Ata të cilët e kanë fshehur të vërtetën – Thotë Allahu (azzevexhel): “Ata, të cilët fshehin argumentet dhe faktet që Ne i shpallëm, e pasi që ato ua sqaruam njerëzve në librin, të tillët i mallkon Allahu, i mallkojnë edhe ata që mallkojnë.” (El-Bekarah/159)

-Ata të cilëve Allahu (azzevexhel) nuk do t’u flet, nuk do t’i shikoj, nuk do t’i pastrojë prej mëkateve dhe do të kenë dënim të dhembshëm – Pejgamberi (salallahu alejhiveselem) thotë: “Tre lloje të njerëzve janë që Allahu nuk do t’u flet në Ditën e Gjykimit, nuk do t’i shikojë, nuk do t’i pastrojë prej mëkateve dhe do të kenë dënim të dhembshëm: Plaku lavir (zinaqar), udhëheqësi gënjeshtar dhe i varfëri mendjemadh”.

Në një hadith tjetër, Pejgamberi (salallahu alejhiveselem) thotë: “Tre lloje të njerëzve janë që Allahu nuk do t’u flet në Ditën e Gjykimit, nuk do t’i shikojë, nuk do t’i pastrojë prej mëkateve dhe do të kenë dënim të dhembshëm: Ai i cili i lëshon (zvarritë) rrobat e tij nën nyjen e këmbës, ai i cili lavdërohet vazhdimisht dhe ai i cili e shet mallin e tij duke u betuar rrejshëm”.

Gjithashtu Pejgamberi (salallahu alejhiveselem) thotë: “Tre lloje të njerëzve janë që Allahu nuk do t’u flet në Ditën e Gjykimit, nuk do t’i shikojë, nuk do t’i pastrojë prej mëkateve dhe do të kenë dënim të dhembshëm: Ai i cili nuk i rrespekton prindërit e tij, gratë të cilat ju përngjasojnë burrave dhe ai që është dejuth (i cili nuk xhelozon për nderin dhe moralin e familjes së tij)”.

-Ata të cilët nuk e kanë dhënë zekatin – Pejgamberi (salallahu alejhiveselem) thotë: “Nuk ka asnjë person i cili ka pasur pasuri dhe nuk e ka dhënë zekatin, përveçse në Ditën e Gjykimit do t’i vendosen pllaka prej zjarrit të Xhehennemit në shpinën dhe ballin e tij, e pastaj do të zgjasë ajo deri sa Allahu t’i gjykojë të gjithë robërit e Tij, e që një ditë është sa pesëdhjetë mijë vite, e atëherë shihet rruga e tij nëse është për në Xhenet apo për Xhehenem”.

-Mendjemëdhenjtë – Thotë Pejgamberi (salallahu alejhiveselem): “Në Ditën e Gjykimit, kur do të dalin mendjemëdhenjtë para Allahut, do të dalin sikur bubrreca, do t’i kaplojë ata poshtërimi dhe nënçmimi në çdo vend”.

-Ata të cilët e kanë ditur të vërtetën dhe e kanë fshehur atë – Pejgamberi (salallahu alejhiveselem) thotë: “Atij të cilit i bëhet pyetje për një dituri të caktuar, e pastaj ai e fsheh atë, atij atë ditë (në Ditën e Gjykimit) i mbushet goja, i vendoset vula prej zjarri”.

-Dyftyrëshit – Pejgamberi (salallahu alejhiveselem) thotë: “Njerëzit më të këqinj që do t’i shihni në Ditën e Gjykimit janë ata që i kanë nga dy fytyra”.

-Ata të cilët kanë qenë të pabesë – Thotë Pejgamberi (salallahu alejhi veselem): “Për secilin tradhëtarë, në Ditën e Gjykimit ka nga një flamur, do të ju thuhet atyre: “Kjo ëstë tradhëtia që ia ke bërë filanit”.”

Dhe mëkatar të tjerë të cilët dalin para Allahut me mëkatet e mëdha të tyre. Allahu na ruajttë dhe mos na bëftë prej tyre. Amin

Hoxhë Omer Bajrami