Pyetje: Si falet namazi i natës, me zë apo pa zë? Dhe kur e fal me xhemat, si duhet falur, me zë apo pa zë? Unë nuk po di sure të gjata, por kam dëshirë të falem më gjatë, pasi që kam dëgjuar se më së miri është të falësh më gjatë në namazin e natës. A është e lejuar të lexosh prej Kur’anit? Nëse ka mundësi të na shpjegoni se si duhet falur namazi i natës sipas sunetit. Allahu ju shpërbleftë.

Përgjigje:  Falënderimi i takon Allahut…

Së pari: Namazi i natës mund të falet me zë dhe mund të falet pa zë, por më e pëlqyer është që ndonjëherë të falet me zë, e ndonjëherë pa zë, ngase kështu është falur i Dërguari i Allahut (salallahu alejhi ue selem). Thotë Abdullah ibn Ebi Kajsi: E pyeta Aishen (radijallahu anha), a është falur Pejgamberi (salallahu alejhi ue selem) me zë apo pa zë? Tha: “Ndonjëherë është falur me zë, e ndonjëherë pa zë.” (Transmeton Muslimi, Nesaiu, Ebu Davudi dhe Ahmedi).

Së dyti: Namazi i natës mund të falet vetëm dhe mund të falet me xhemat. Falet me xhemat në Ramazan dhe në ndonjë rast kur dikush i bashkëngjitet në namaz atij që është duke u falur, sikur që iu bashkëngjitën namazit të Pejgamberit (salallahu alejhi ue selem) Ibn Abasi, Ibn Mes’udi dhe Hudhejfeh ibn Jemani. Kështu mund t’i bashkëngjiten edhe familjarët atij që është duke u falur në shtëpinë e tij dhe të falin namazin e natës me xhemat ndonjëherë. Ndërsa në mënyrë të organizuar sikur në Ramazan, nuk falet namazi i natës edhe në muajt tjerë. (Sherhul Mumti’ 4/82).

E nëse falet namazi i natës me xhemat, atëherë leximi i imamit duhet të jetë me zë, ndërsa nëse falet vetëm, atëherë ndonjëherë lexon me zë e ndonjëherë pa zë.

Së treti: Lejohet leximi me Kur’an në dorë në namazet nafile dhe një gjë e tillë është vërtetuar prej Aishes (radijallahu anha). (Transmeton Buhariu 1/245).

Thotë Imam Neveviu: “Nëse lexon Kur’an me Mus-haf (në dorë) nuk prishet namazi, pa marrë parasysh a e di atë përmendësh a jo, bile është e obliguar ajo nëse njeriu nuk e di suren Fatiha përmendësh dhe nëse i ndërron faqet e tij nuk prishet namazi… Ky është medhhebi ynë, medhhebi i imam Malikut, Ebu Jusufit, Muhamedit dhe Imam Ahmedit.” (El-Mexhmu’ 4/27).

Së katërti: Është e pëlqyer që namazi i natës të falet njëmbëdhjetë apo trembëdhjetë rekate dhe atë dy nga dy.

Thotë Pejgamberi (salallahu alejhi ue selem): “Namazi i natës është dy nga dy, e kush frikësohet nga arritja e mëngjesit le të falë një rekat vitër, për të përfunduar atë që ka falur“. (Transmeton Buhariu dhe Muslimi).

Për numrin e rekateve të namazit të natës, lexo dhe: Sa është numri i rekateve të namazit të teravisë?

Allahu e di më së miri.

Hoxhë Omer Bajrami