Perëndimi i krishterë, me amullinë fetare që kishte, ishte vend dhe tokë ideale për lindjen dhe zhvillimin e këtij sistemi. Franca, pas revolucionit të saj të njohur, ishte shteti i parë që sistemin qeverisës e ndërtoi pikërisht mbi bazat e kësaj ideologjie sekulare.
Shfaqja e sekularizmit me ateizmin, largimin e fesë nga të gjitha sferat e jetës, urrejtjen e fesë dhe fetarëve, edhe pse e pakëndshme, megjithatë nuk ka qenë një dukuri e çuditshme, ngase feja, së cilës i qenë kundërvënë, nuk përfaqësonte fenë e pastër që Allahu i Madhëruar ia pat shpallur Isait, të birit të Merjemes. Duar të ndyta patën shtrembëruar e devijuar, ndërruar e zëvendësuar, shtuar e fshirë në fe, që si rezultat solli mospërputhjen e fesë me interesat e qytetarëve, në njërën anë, dhe me të vërtetat shkencore, në anën tjetër. Kisha, që mjerisht përfaqësonte fenë, krahas “gjenocidit” parimor që i shkaktoi religjionit duke detyruar njerëzit t’i përmbahen kësaj feje, duke persekutuar shkencëtarë, zbulues e kërkues, duke i ndëshkuar për zbulimet e tyre shkencore, të cilat nuk përputheshin me fenë e devijuar, si dhe duke i akuzuar si heretikë e duke i mbytur, duke i djegur e duke i burgosur, ajo, në anën tjetër, lidhi aleancë me disa liderë të pashpirt, të cilët i “shenjtëroi” dhe të gjitha krimet që ua shkaktonin popullit ua arsyetonte duke thënë se kjo është feja që të gjithë duhet t’i nënshtrohen e ta përqafojnë.
Njerëzit, të lodhur nga burgu dhe padrejtësia kishtare, filluan të kërkonin një rrugëdalje, një zgjidhje, e cila, atëbotë, si alternativë e vetme për ta ishte kufizuar vetëm në largimin prej fesë në fjalë, që luftonte diturinë dhe përkrahte kriminelët, madje në të gjitha aspektet jetësore: politik, ekonomik, shkencor, edukativ etj.
Ah sikur njerëzit e atëbotshëm kur e braktisnin atë fe të drejtoheshin nga Islami, por ja që i shpallën luftë fesë në tërësi. Nëse ajo që ka ndodhur në Perëndim nuk ka qenë diç e papritur, në Islam është e pamundur, e paimagjinueshme, ngase Islami është fe e Allahut, e cila nuk identifikohet me të kotën në asnjë aspekt: nuk ka mundësi të devijohet e të tjetërsohet, të shtohet a të cungohet. Islami nuk privilegjon askënd në bazë të pozitës së tij, qoftë prijës a popull: që të gjithë para ligjit të tij janë të barabartë. Po ashtu, ai ruan edhe interesin e pastër njerëzor: nuk ka asnjë ligj të vetëm që bie ndesh me dobinë e njerëzimit. Ai nxit për dituri dhe asnjë tekst i tij nuk kundërshton të vërtetat shkencore. Islami krejtësisht është i vërtetë, i tëri është i mirë dhe është përplot drejtësi. Nisur nga kjo, idetë dhe programet që u shfaqën në Perëndim pas mohimit dhe largimit prej fesë, në vendet islame nuk është dashur të gjejnë veshë që dëgjojnë, por rastësia e kësaj ndodhie me zemrat e zhveshura nga besimi, me mendjet e paralizuara nga meditimi dhe me një jetë, nga e cila nuk vilej qytetërimi e civilizimi, ndikuan që rrënjët e saj të ndyra të futen thellë në tokën tonë.
Arabët e krishterë, nëpërmjet mjeteve të informimit, kanë luajtur një rol shumë të madh në bartjen dhe në përhapjen e idesë sekulare në vendet islame, siç kanë bërë edhe studentët muslimanë të shkolluar në Perëndim, që të mashtruar nga lulëzimi i përparimit teknologjik, u kthyen në vendet e tyre duke marrë me vete edhe zakone, tradita, ligje-sisteme shoqërore, politike, ekonomike, për çka, fatkeqësisht, hasën në mirëkuptim te njerëzit. Këta të fundit formuan bindjen se pikërisht ata janë pishtarë të diturisë së mirëfilltë, janë mendarë, mjeshtër diturish, edhe pse, de facto, ajo që sollën nuk qe diç tjetër përveç zakone, adete, ligje e sisteme të shoqërisë, e cila nuk ka kurrfarë lidhje me fenë.
Kjo përmbledhje e shkurtër, përveç që na përshkruan mënyrën e depërtimit të sekularizmit në vendet islame, na tërheq vërejtjen edhe kundrejt dy rreziqeve të mëdha:
1) Rreziku nga ithtarët e besimeve të tjera, që jetojnë në vendet islame, qofshin të krishterë apo të tjerë, dhe ngrenë kurthe kundër Islamit dhe ithtarëve të tij…, si dhe nevoja e domosdoshme e kontrollimit të materialeve që jepen në televizionet tona…
2) Rreziku i devijimit të studentëve që udhëtojnë jashtë vendit për studime, sidomos për marrjen e gradave shkencore në lëmenjtë fetarë. Vallë, arabishtja është gjuhë jona apo e tyrja?! Kurani është shpallur në gjuhën tonë apo në të tyren?!³
Libri: “Sekularizmi dhe pasojat e tij” Autor: Muhammed Shakir Esh Sherif. Përktheu: Dr. Sedat Islami
³ Autori nuk synon ndalimin e përfitimit të njohurive nga vendet perëndimore. Ai ia ka frikën devijimit, si në aspektin moral, gjëra që edhe ne i shohim përditë, ashtu edhe në atë shkencor, sidomos për gjëra (fetare), të cilat edhe më mirë do të mund t’i mësonin në vendet e tyre, ku është shpallur feja islame.