Pyetje: Një pyetës thotë: i nderuari shejkh, mua më humbet namazi i sabahut shumë. Nuk falem përveç se pasi ka dalë dielli kur dua të shkoj për në punë. Mirëpo kjo gjë, mund të përsëritet herë pas here. A më obligohet mua ndonjë gjë? Dhe çfarë të bëj që ta fal namazin në kohë rregullisht?

Shejkh ibn Uthejmin: Vepro disa gjëra:

E para: Të flesh herët, për këtë arsye: “Pejgamberi – Lëvdata dhe shpëtimi i Allahut qoftë mbi të – e urrente fjetjen para namazit të jacisë dhe diskutimet pas saj.” Kjo me qëllim që njeriu të flinte herët dhe të ngrihej herët.

E dyta: Të kesh qëllimin kur të flesh gjumë, të kesh vendosmëri dhe këmbëngulje se ti do të ngrihesh për namazin e sabahut, pasi atëherë do të të lehtësohet ty ngritja nga gjumi.

E treta: Të përdorësh mjet alarmi, të vendosësh një orë te koka jote që të të njoftojë. Nëse ti frikësohesh se kur të bjerë zilja do ta mbyllësh atë dhe do ta fikësh, e si pasojë do të mbetesh në gjumë, atëherë vendose pak më larg nga vetja.

Disa njerëz nga kujdesi që tregonin për namazin e vendosnin orën e alarmit në një kanaçe dhe e vendosnin atë larg vetes, në mënyrë që zilja e saj të ishte e fortë e që të ngriheshin. Bëje këtë gjë se nuk ka problem.

E katërta: Nëse ty nuk të lehtësohet kjo gjë, atëherë vendose telefonin te koka jote, nëse ke telefon. Dhe thuaji ndonjërit prej vëllezërve të tu, kur të thirret ezani i sabahut më merr në telefon.

E rëndësishme është që njeriu të bëjë shkaqet, nëpërmjet të cilave ai arrin të zgjohet, e që të fali namazin e sabahut në kohën e vet. Kurse ai që e mëson veten e tij me dembelizëm, ai ashtu do të vazhdojë.

Ndërsa, falja e namazit të tij jashtë kohës së vet, nëse ai e bën me qëllim këtë gjë, atëherë namazi i tij nuk pranohet, i refuzohet atij edhe sikur ai të falet njëmijë herë. Kjo për shkak të fjalës së Pejgamberit – sal-lAllahu alejhi ue sel-lem –:
من عمل عملاً ليس عليه أمرنا فهو رد

“Kush bën një vepër që nuk ka bazë në fenë tonë, ajo është e refuzuar.”

Pra, i refuzohet atij.

Autor: Shejkh ibn Uthejmin / Përktheu: Altin Dallashi
https://t.me/rrugaesunetit