Pyetja:
Si të përputhet Nata e Kadrit nëse një shtet e ka filluar agjërimin para një tjetri?
Kjo është një pyetje e vjetër në fikh (jurisprudencë islame), dhe arsyeja e saj është dallimi i horizonteve (matali’) dhe ndryshimi i fillimit të muajit midis vendeve.
Përgjigjja
Nata e Kadrit është një natë e vetme në realitet tek Allahu, por për njerëzit ajo kërkohet në netët teke të dhjetëditëshit të fundit, sipas agjërimit të çdo vendi; sepse sheriati i ka lidhur dispozitat me shikimin e hënës për çdo vend.
Sqarimi juridik
1. Dallimi i horizonteve është i pranuar në sheriat
Edhe sahabët kanë pasur mospërputhje në shikimin e hënës mes vendeve. Argumenti më i njohur është hadithi i Kurejbit, kur pati dallim mes Shamit dhe Medinës.
Kurejbi tha: Shkova në Sham dhe e pamë hënën natën e xhumasë. Pastaj erdha në Medinë dhe më pyeti Ibn Abbasi: “Kur e patë hënën?”
Thashë: “Natën e xhumasë.”
Ai tha: “Ne e pamë natën e shtunë dhe do të vazhdojmë të agjërojmë derisa t’i plotësojmë tridhjetë ditë ose ta shohim (përsëri).”
Thashë: “A nuk mjafton shikimi i Muaviut?”
Ai tha: “Jo, kështu na ka urdhëruar i Dërguari i Allahut ﷺ.”( Transmeton Muslim)
2. Nata e Kadrit është e lidhur me dhjetë netët e fundit sipas agjërimit të çdo vendi
Profeti ﷺ ka thënë:
“Kërkojeni Natën e Kadrit në netët teke të dhjetëditëshit të fundit të Ramazanit.”( Transmetojnë Imam Buhari dhe Muslim)
Bazuar në këtë:
• Vendi që e ka filluar agjërimin një ditë më herët do t’i ketë netët teke ndryshe nga vendi tjetër.
• Por çdo vend e kërkon Natën e Kadrit sipas kalendarit të agjërimit të vet.
3. Si është një natë e vetme me gjithë këtë dallim?
Toka është e gjerë dhe nata qarkullon mbi të. Nata e Kadrit kalon me natën nëpër zonat kohore, ashtu si Nata e Arafatit apo çdo natë tjetër.
P.sh.:
• Mund të jetë Nata e Kadrit (në dijen e Allahut) nata e 27-të në një vend,
• ndërsa në një vend tjetër mund të përkojë me natën e 26-të ose 28-të për shkak të dallimit në fillimin e muajit.
Dijetarët kanë thënë se urtësia e fshehjes së saj është që njerëzit të përpiqen në të gjitha dhjetë netët. Këtë e ka përmendur Ibn Hajar al-Asqalani në librin e tij Fath al-Bari.
Përmbledhje
• Nata e Kadrit është një natë e vetme në dijen e Allahut.
• Ajo kërkohet në çdo vend sipas agjërimit të atij vendi.
• Ndryshimi i fillimit të Ramazanit sjell ndryshim në netët teke mes shteteve, por kjo nuk dëmton, sepse synimi është përkushtimi në të gjitha dhjetë netët e fundit.
Shejh Ali Muhamed eSallabi / Përktheu: Hoxhë Nehat Ajeti




