Pyetja:

Kam zbuluar se vëllau hyn në faqe elektronike me përmbajtje pornografike. Ai është nëntëmbëdhjetë vjeç. Edhe me vetë mamanë e kam të vështirë ta hap këtë shqetësim. Gjëja tjetër që më shqetëson, është se vëllai ka filluar të neglizhojë dhe namazin.

***

Përgjigjja:

Përse duhet të çuditesh?!

Me fjalët e mësipërme, nuk dua të të zhgënjej dhe befasoj. Por le të pyesim:
”Çfarë e pengon një adoleshent të depërtojë në faqet me përmbajtje pornografike, duke ditur që kureshtja, mundësitë dhe koha e lirë nuk i mungojnë?! Çfarë mund ta pengojë një të ri, i cili është i rrethuar nga stimulantë seksualë në çdo anë?! Në rrugë ai sheh vajza pothuajse lakuriqe, në televizion lakuriqësi, seks, banalitet, videoklipe degjeneruese, shthurje etj. Kur hap internetin menjëherë i shfaqen foto të pahijshme dhe të turpshme në Youtube dhe Facebook. Të gjitha këto, të bëjnë që ta ndryshosh pyetjen e mësipërme dhe të pyesësh: ”Vëllai im e përdor internetin dhe asnjëherë nuk i shfaqen para syve foto apo faqe pornografike.”

Të gjithë ata që duan që e liga të përhapet në shoqëritë tona, kanë duar të gjata dhe të fuqishme. Ndërkohë që ata që duan të përhapet nderi, virtyti, pastërtia morale, kanë duar të shkurtra, të pafuqishme dhe të ligshta. E çfarë tjetër mund të themi, përveçse: ”Na mjafton Allahu, që është Garantuesi më i mirë?!”

Të rinjtë tanë të ngratë, kudo që t’i hapin sytë, ose do të shohin gjakun e vëllezërve në fe, të cilët vriten, dhunohen, u shkelen të drejtat ose do të shohin lakuriqësi, degjenerim, banalitet, videoklipe te çmendura etj.

Të gjitha këto, ndërkohë që ai nuk është mësuar si t’u rezistojë këtij agresioni moral dhe psikologjik. Arsimi i ka ofruar një informacion të pakët dhe të brishtë, kurse familja e ka pajisur me disa vlera të ngurta, të cilat i kushtojnë më shumë rëndësi aparencës, pa pasur mundësi të ndikojnë në anën e brendshme, në zemër. Po ashtu, i brishtë dhe i pamjaftueshëm është dhe sensibilizimi fetar, i cili është shumë sipërfaqësor. Një situatë e tillë, e ka bërë të riun të pafuqishëm që t’i investojë energjitë e tij në dobi të tij. Atij i ofrohet gjithçka e gatshme, gjë e cila ia ka reduktuar energjitë e brendshme. Ai e ka humbur besimin në aftësitë e tij, për të rezistuar, zgjedhur vetë dhe për të qenë i përgjegjshëm.

Kurdo që i ofrohet bota me të mirat dhe të ligat e saj, ai qëndron para saj duarkryq, i hutuar dhe plotësisht i dorëzuar. Ai kurrë nuk është mësuar të jetë kaq i lirë dhe të ketë të drejtën të zgjedhë. Ai është mësuar që gjithmonë të ketë dikë nga pas që e udhëzon drejt të mirës dhe të dobishmes, duke e paralajmëruar për të keqen, pa u lodhur vetë. Kështu, tregues i ndershmërisë së tij, është kur të tjerët flasin mirë për të dhe jo mënyra si e sheh ai veten, respekti për veten dhe ndjenja e mbikëqyrjes së Zotit në çdo lëvizje.

Të rinjtë tanë kanë nevojë për një ristrukturim, ndërkohë që familjet tona lipset të rishikojnë metodat e edukimit të fëmijëve. Ato duhet t’ju ofrojnë fëmijëve lirinë e duhur, me qëllim që të jenë të aftë të zgjedhin mes të mirës dhe të keqes. Prindërit duhet të krijojnë hapësira komunikimi me fëmijët e tyre. Ata duhet të diskutojnë me fëmijët, në mënyrë që e zhvillon vullnetin e tyre dhe e lejon ndërgjegjen e tyre të vendosë nëse do të zgjedhin të mirën apo të keqen.

Padyshim, këto fjalë nuk ka përse të jenë gjithëpërfshirëse. Të rinjtë e pjekur dhe të mirë edukuar janë të shumtë. Ata janë të ndërgjegjshëm mbi përgjegjësitë që i presin dhe kanë konceptin e duhur mbi lirinë. Unë besoj se ti je një nga këta të rinj, që për fat të keq nuk janë shumicë në shoqëritë tona.

Gjithçka që përmenda, nuk e thashë që të justifikoj sjelljet e vëllait tënd, por:

Së pari: Me qëllim që ta vlerësosh siç duhet këtë rast dhe të përpiqesh ta trajtosh problemin në rrënjë dhe jo efektet.

Së dyti: Me qëllim që ta bësh për vete vëllain, kurrë mos ia kthe shpinën dhe të distancohesh prej tij. Unë të kërkoj që ta vlerësosh periudhën e moshës së tij dhe eksperiencën e paktë. Kurrë nuk mund t’i ofrosh ndihmën e duhur dhe të domosdoshme, vetëm duke e dashur dhe duke e pranuar me të mirat dhe të metat.

Kjo nuk do të thotë që ta lësh të lirë të veprojë ç’të dojë. Por do të thotë që të përdorësh metoda efektive dhe jo shkatërruese, edhe pse rezultatet do të shfaqen pas një periudhe kohe të gjatë.

Unë të këshilloj që kurrë mos ballafaqohesh me të rreth të metave dhe veseve të tij. Një formë e tillë komunikimi, bën që ta humbasësh vëllain përgjithmonë. Nëse do i vijë zor dhe turp prej teje, gjithmonë do të mundohet të shmanget. Ose do të kundërshtojë me ashpërsi dhe dhunë dhe në të dy rastet ti ke dështuar.

Unë dua të pyes një pyetje: Nëse dëshiron që një vezë ta ruash nga jashtë ashtu siç është dhe nga brenda të jetë e ngurtë dhe jo e lëngshme, çfarë do të veproje?

Besoj se do të përgjigjeshe: “Oh. Diçka e tillë është shumë e lehtë. Do e merrja me kujdes, do e vendosja në një enë me ujë dhe do e vija mbi zjarr derisa të ziejë plotësisht. Kështu, edhe nëse veza do të goditej, nuk do e humbisja, pasi tashmë është e zier dhe e ngurtë dhe mund të përfitoj prej saj.”

Pikërisht kjo është ajo që pres prej teje, për sa i përket komunikimit me vëllain tënd të dashur. Unë pres prej teje që të jesh shoku i tij më i mirë. Krijo momente dhe situata të tilla, që të afrohesh me të. Dëgjoje kur flet dhe debato, por pa i diktuar një mënyrë sjelljeje. Mos e bëj të ndihet se po shoqërohet me një më të ditur dhe më të mirë se ai.

Bazohu në edukimin me anë të respektit të ndërsjellët. Në psikologji, ekziston një thënie shumë e dobishme, për raste të tilla:

“Çfarëdo që të bëj, unë do e mbaj përgjegjësinë. E respektoj të drejtën tënde, çfarëdo të veprosh, përderisa je vetë përgjegjës për të. Nëse ajo që veproj është e drejtë dhe ti si njeri je si unë dhe kërkon të drejtë, më së shumti do të veprosh si unë, por pa të imponuar.”

Gjithashtu të këshilloj që t’i ofrosh ndihmë indirekte, duke mos ia vënë në provë vullnetin dhe këmbënguljen. Kështu, kompjuterin lëreni në sallon dhe jo në një dhomë të mbyllur. Kjo është njëfarë mbrojtje e jashtme për të rinjtë, derisa të formohet personaliteti, të arrijë pjekurinë e duhur dhe t’i zhvillohet sensi i këmbënguljes dhe vullnetit gradualisht. E gjithë kjo, duhet të ndodhë në një mjedis të ngrohtë dhe miqësor.

Allahu e di më së miri!

Dr. Bashkim Aliu