Pyetja:

Ka gati 1 vit apo edhe më shumë që bëj duan e njëjtë, mirëpo ende nuk eshte pranuar duaja (për t’u bashkuar me një djalë të devotshëm  musliman). Kam frike se mos  humbë shpresa dhe si rezultat i saj të le pas dore lutjet.

***

Përgjigjja:

Motër muslimane! Në rastet e martesave palët duhet të kërkojnë zgjedhjen e Allahut. Pra kur dikush vjen të kërkoj dorën, duhet të falësh namazin e istihares, pasi Allahu e di më së miri se kush është më e dobishme për ty. Përsa i përket rastit konkret, ti nuk e di se lidhja me këtë person domosdo është e suksesshme, e si rrjedhojë t’ia kërkosh me ngulm Allahut që Ai ta realizojë atë. Atëherë lutja jote duhet të jetë:

O Allah nëse është e hajrit lidhja ime me këtë person realizoje atë!

Në anën tjetër, jo çdo herë që robit nuk i pranohet lutja duhet të mendojë keq, përkundrazi, lute Allahun dhe mendo mirë për Të. Ndoshta në mos dhënien e diçkaje që ti ia kërkon qëndron mirësia për ty, po kështu në dhënien e diçkaje që ti e urren qëndron mirësia për ty. Allahu i Lartëmadhëruar thotë: “…por mund ta urreni një gjë, ndërkohë që ajo është e mirë për ju e mund ta doni një gjë, ndërkohë që ajo është e dëmshme për ju. Allahu di, kurse ju nuk dini.”  A nuk ndodh që prindi të mos i japë diçka fëmijës edhe pse ai e ka atë që kërkon fëmija, po kështu në të kundërtën i jep fëmijës diçka që ai e urren, siç është ilaçi i hidhur, e gjithë kjo për dobi të fëmijës. Atëherë dije se Allahu është më i mëshirshëm për ty sesa prindi jot për ty.

Kështu që duhet të lidhësh zemrën me Allahun dhe jo me filanin e filanin dhe të jesh e kënaqur me atë që Ai të jep apo që nuk të jep kur ti i kërkon e të mos mendosh keq. Allahu e di më së miri.

Azem Bardhoshi