Pyetja:

Si të reagojë muslimani në katastrofa natyrore?

***

Përgjigjja:

Duke qenë se tërmetet (dhe dukuritë e tjera të kësaj natyre) bëjnë pjesë në shenjat hyjnore frikësuese, çështja e tyre është e ngjashme me çështjen e eklipsit; së këtejmi juristët muslimanë shprehen se gjatë këtyre shenjave pëlqehen veprat e mira sikurse në rastin e eklipsit, si vijon:

Së pari: Pendimi dhe keqardhja e thellë

Nuk ka dyshim se Allahu i Madhëruar, me këto shenja i frikëson robërit e Tij, me qëllim që ata të kthehen tek Ai, t’i përulen Atij, të pendohen para Tij, të heqin dorë nga mëkatet e tyre të bëra dhe të ndjejnë keqardhje për këto mëkate; prandaj gjatë dukurive që shërbejnë si shenja hyjnore frikësuese (si: tërmetet etj.), është e pëlqyeshme të pendohemi sa më parë, pra sa më shpejt të ndjejmë keqardhje për mëkatet tona dhe të shkulemi prej këtyre mëkateve.

Së dyti: Përmendja e Allahut, lutja, përulësia dhe kërkimfalja drejtuar Atij

Duke qenë se tërmetet (dhe dukuritë e tjera të kësaj natyre) bëjnë pjesë në shenjat hyjnore frikësuese, çështja e tyre është e ngjashme me çështjen e eklipsit; së këtejmi juristët muslimanë janë të mendimit se, për rastin kur bëhemi dëshmitarë të këtyre shenjave, pëlqehen kryesisht përmendjet dhe lutjet sikurse në rastin e eklipsit.

Së treti: Nxitimi për të vepruar sa më shumë vepra të mira

El-Bagaui thotë: “Nxitimi në sa më shumë vepra të mira dhe lutjen e Allahut me përulësi gjatë shenjave frikësuese hyjnore, është prej traditës profetike.” [1]

Së katërti: Sadakaja (lëmosha) dhe kontributi për të varfërit e nevojtarët

Lidhur me këtë dijetari i njohur Ibn Maliku thotë: “Fragmenti (i thënies profetike) ‘… jepni sadaka…’, nënkupton çdo të mirë që u bëhet fukarenjve dhe të mjerëve, ku hidhet dritë mbi faktin se me këtë frikësim hyjnor, synohen në rend të parë, prej mbarë njerëzve, ata që janë të pasur dhe jetojnë në mirësi, pasi kryesisht ata janë ndrydhur në mëkate.” [2]

Po në këtë kontekst, Es-Sujuti ka thënë: “Në rastin kur bie tërmet është e pëlqyeshme të nxirret sadaka, në kijas / arsyetim analogjik (krahasimor) me urdhërimin për sadaka në rastin e eklipsit”; ku ai (Es-Sujuti) ka parasysh transmetimin e Aishes ku vjen se, kur ndodhi eklipsi i diellit, Profeti tha: “Faktikisht dielli dhe hëna janë argumente (shenja) nga argumentet e Allahut dhe nuk eklipsohen (errësohen) për vdekjen e dikujt dhe as për jetën e tij [nuk e kanë këtë për shkak]. Me të parë këtë, luteni Allahun, madhërojeni (bëni tekbir / thoni: Allahu Ekber) dhe jepni sadaka (lëmoshë).” [3]

Gjithashtu, në kuadrin e detyrave që u dalin besimtarëve në rastin e tërmeteve dhe ngjashëm me to si eklipsi, erërat, vërshimet e fuqishme etj., dijetari i njohur Ibn Bazi, krahas shprehjes së një pendimi sa më të shpejtë Allahut të Madhëruar, përulësisë ndaj Tij, lutjes drejtuar Atij për mbrojtje / siguri, përmendjes sa më të shumtë të Tij dhe kërkimit Atij falje; përmend gjithashtu se, në të këtillë rast pëlqehet edhe mëshirimi i të varfërve dhe të vobektëve, si dhe dhënia lëmoshë atyre. [4]

Së pesti: Urdhërimi në të mirë dhe ndalimi nga e keqja

Në situata si të vendeve tona ku sistemi i jetesës së familjeve dhe shoqërive tona nuk udhëhiqet nga fryma e mësimeve islame, detyra që i del muslimanit është të mundohet sa të mundet t’i këshillojë njerëzit, t’i urdhërojë e inkurajojë në të mirë, si dhe t’i ndalojë e dekurajojë nga e keqja, duke u folur për kërcënimet hyjnore islame të ardhura lidhur me mëkatet rrënuese dhe përgëzimet hyjnore islame mbi kryerjen e veprave të mira.

Kjo mund të bëhet nga muslimani në mënyrë të drejtpërdrejtë lidhur me urdhëresat dhe ndalesat islame për të cilat ai ka njohuri të qarta, ose mund të bëhet duke vendosur kontakte me hoxhallarët dhe kuadrot fetarë muslimanë, duke shpërndarë broshura apo materiale mediatike etj., që sqarojnë hallallin dhe haramin. Pra, muslimani nuk duhet kurrsesi të heshtë kur e shikon të keqen (haramin), por duhet ta ndalojë atë sipas mundësisë, së paku përmes këshillës së urtë. Por kur muslimani është i paaftë për të urdhëruar në të mirë dhe ndaluar nga e keqja, ai duhet të qëndrojë larg vendeve të veprimit të harameve të mëdhaja dhe ta mbajë vështrimin e tij larg mëkatit / haramit, pasi shikimi i vazhdueshëm i mëkatit dhe heshtja ndaj tij e dobëson ndalimin me zemër të mëkatit dhe ndoshta e lehtëson në të ardhmen rënien në mëkat.

Dijetari i njohur Ibn Bazi, ka përmendur se prej shkaqeve të ruajtjes, shpëtimit dhe sigurimit prej çdo të keqeje, është që autoritetet përkatëse të mos u lënë dorë të lirë njerëzve të papërgjegjshëm, por t’i obligojnë ata që t’i përmbahen drejtësisë, të gjykojnë sipas ligjit hyjnor që u ka ligjëruar Allahu dhe të urdhërojnë në të mirë e ndalojnë nga e keqja. [5]

Së gjashti: Kujtesa e njerëzve dhe këshillimi i tyre

Tërmetet (dhe dukuritë e tjera të kësaj natyre) bëjnë pjesë në shenjat hyjnore frikësuese, ndaj çështja e tyre është e ngjashme me çështjen e eklipsit dhe së këtejmi juristët muslimanë janë të mendimit se, gjatë këtyre dukurive pëlqehet që të modelohemi me kujdesin e madh të Profetit në këshillimin dhe udhëzimin e popullit të tij kur u ndodhi eklipsi. [6]
Në këtë rrugë dhe metodë profetike ecën edhe sahabët / shokët fisnik të Profetit në situatat kur njerëzit ranë në mëkate e devijime.

I këtij konteksti është rasti i Umerit (Allahu qoftë i kënaqur me të!), që kur në kohën e tij ra tërmet në Medine (aq sa u drodhën edhe shtretërit), u mbajti njerëzve një ligjëratë në të cilën u tha: “O ju njerëz, ky tërmet ka qenë vetëm sepse ju keni bërë diçka [keni bërë mëkate dhe devijime]. Pasha Atë (Allahun) në dorën e të Cilit është shpirti im, nëse ai (tërmeti) kthehet, nuk do të banojë kurrë më me ju në të (në Medine)” [7]; pra nënkuptoi se janë këto mëkate të mëdha që ne bëjmë, ato që tërheqin tek ne këto gjëma dhe bela, të cilat përbëjnë një kërcënim rrënues për ne dhe botën mbarë.

Së shtati: Falja e namazit të ajeteve-shenjave hyjnore frikësuese

Hafidh Ibn Rexhebi ka thënë: “Dije se preokupimi me namaz individual në shtëpi gjatë ndodhisë së shenjave frikësuese hyjnore, është i pëlqyeshëm sipas mendimit të shumicës së dijetarëve dhe kjo është përmendur edhe nga (imam) Shafi’i dhe kolegët e tij… Subjekt mospajtimi [mes juristëve muslimanë] është [fakti] nëse: [së pari] falet apo jo ky namaz në grup (me xhemat) dhe [së dyti] falet apo jo me dy ruku si namazi i eklipsit.” [8]

Alaudin Abazi

——————————-

  1. El-Bagaui, “Sherhu Es-Sunne”, voll. 4, fq. 385.
  2. Ibn Alan, “El-Futuhat Er-Rabanije”, voll. 4, fq, 251-252.
  3. Buhariu 1044, Muslimi 901
  4. Shih: binbaz.
  5. Shih: binbaz.
  6. Albani, “Muhtasar Buhari”, voll. 1, fq. 252-253 dhe Ibn El-Kajim El-Xheuzije, “Zadu El-Mead” voll. 1, fq. 450-452.
  7. Ibn Ebi Shejbe, “Mussaneff”, voll. 2, nr. 473 dhe El-Bejhaki voll. 3, nr. 342
  8. Ibn Rexheb, “Fet’hu El-Bari”, voll. 9, fq. 250.