Pyetja:

Zëvendës i kujt është njeriu në tokë, zëvendës i Zotit apo zëvendës i xhindeve? Cili është kuptimi i fjalës “zëvendës” në këtë rast?

***

Përgjigjja:

Falënderimi absolut i takon Allahut! Mëshira, lavdërimi edhe paqja qofshin mbi të Dërguarin e Allahut!

Sa i përket interpretimeve kryesore lidhur me ajetin kuranor “një khalifeh (mëkëmbës / zëvendës / trashëgimtar) në tokë”, të ardhur në ajetin kuranor: “Kur Zoti yt u tha engjëjve: ‘Unë do të krijoj një khalifeh (mëkëmbës / zëvendës / trashëgimtar) në tokë’ (Bekare: 30); është përmendur sa vijon:

Kuptimi i parë: Këtu, me fjalën “khalifeh” synohet “zëvendës i Zotit në tokë”

Interpretimi i fjalës “khalifeh” të ardhur në këtë thënie kuranore, me kuptimin “zëvendësi i Zotit në tokë”, mbështetet në interpretimet në vijim:

a. “(Pra, khalifeh / zëvendës që) Më zëvendëson Mua në zbatimin e dispozitave të Mia ligjore në tokë; dhe ai (khalifeh / zëvendës) është Ademi”; [1]

b. “Me ‘khalifeh / zëvendës’ synohet (këtu), babai ynë Ademi (Paqja qoftë mbi të dhe mbi Profetin tonë!), pasi ai është zëvendës (khalifeh) i Allahut në tokën e Tij, lidhur me zbatimin e urdhrave të Tij”; [2]

c. “… një (khalifeh) zëvendës që e zëvendëson Atë në zbatimin e ligjeve të Tij në tokë”; [3]

d. “Një kuptim i mundshëm është se Allahu i Lartësuar deshi prej këtij zëvendësi (khalifeh), Ademit dhe bijve të tij, që prej tyre të bënte zëvendës (khalifeh) që e zëvendësojnë Allahun e Lartësuar tek robërit e Tij, duke e përçuar ligjin e Tij dhe ftuar tek ai (ligji hyjnor)… jo nga paaftësia – i Patëmetë është Ai! – por sepse Ai i bën mirësi të veçantë kujt do prej robërve të Tij, siç ka thënë Allahu i Lartësuar: “O Davud, Ne të kemi bërë khalifeh (mëkëmbës/ zëvendës) në Tokë, prandaj gjyko ndërmjet njerëzve me drejtësi…” (Sad: 26), pra ai (Daudi) është khalifeh (zëvendës) që e zëvendëson Allahun në gjykimin ndërmjet njerëzve…” [4]

THËNIA NJERIU ZËVENDËS I ZOTIT NË TOKË

Kuptimi i dytë: Këtu, me fjalën “khalifeh” synohet “soji i krijesës njerëzore, zëvendësues (trashëgimtarë / pasardhës) të njëri-tjetrit në tokë”.

Interpretimi i fjalës “khalifeh” të ardhur në këtë thënie kuranore, me kuptimin “soji i krijesës njerëzore, zëvendësues (trashëgimtarë / pasardhës) të njëri-tjetrit në tokë ”, mbështetet në interpretimet në vijim:

a. “Do të bëj në tokë një popull që zëvendësojnë njëri-tjetrin, që ta mirëmbajnë tokën” [5];

b. “Një popull që zëvendësojnë njëri-tjetrin, brez pas brezi dhe gjeneratë pas gjenerate, siç ka thënë Allahu i Lartësuar: “Ai ju ka bërë pasardhës të njëri-tjetrit në Tokë.” (Enam: 176) … ku nuk synohet vetëm Ademi (por synohet soji njerëzor).” [6]

c. “Fjala ‘zëvendës’ është njëjës, por me të synohet shumësi, pra (do të bëjë në tokë) zëvendësues apo pasardhës (trashëgues / trashëgimtarë ose pasues, që zëvendësojnë njëri-tjetrin), mendim që përbën përzgjedhjen e Ibn Kethirit”; [7]

d. “Allahu do të bëjë në tokë sojin e krijesës njerëzore, që zëvendësojnë njëri-tjetrin, me qëllim që të mirëmbajnë tokën, duke treguar bindje ndaj Allahut”; [8]

e. “…ata zëvendësojnë njëri-tjetrin, pra trashëgohen (në breza pasardhës), vdes njëri dhe vjen në jetë tjetri (pasardhësi i tij)…” [9]

f. “Me ‘zëvendës’ synohet babai ynë Ademi (Paqja qoftë mbi të dhe mbi Profetin tonë!),… (u quajt kështu) pasi ai kur do vdiste do zëvendësohej prej kujt erdhi pas tij”; [10]

Kuptimi i tretë: Këtu, me fjalën “khalifeh” synohet “krijesa njerëzore, zëvendësuese e një tjetër krijese para saj”, pra se “Allahu e bëri atë (Ademin) khalifeh (zëvendës) të kujt ishte në tokë para tij (Ademit).

Interpretimi i fjalës “khalifeh” të ardhur në këtë thënie kuranore, me kuptimin “krijesa njerëzore, zëvendësuese e një tjetër krijese para saj”, mbështetet në interpretimet në vijim:

a. “Me fjalën ‘zëvendës’ këtu nënkuptohet një zëvendës i dikujt që ka qenë para tij, prej engjëjve, por është në rregull që kuptimi të jetë edhe ‘i zëvendësuar’, me kuptimin se atë do ta zëvendësojë tjetërkush; thuhet se ky zëvendës është Ademi por thuhet edhe se është kushdo që do të ketë rolin e zëvendësit në tokë.” [11]

b. “Me ‘zëvendës’ synohet babai ynë Ademi (Paqja qoftë mbi të dhe mbi Profetin tonë!),… sepse ai u bë pasues (zëvendësues) i xhindeve që banonin në tokë para tij.” [12]

c. Ibn El-Kaijmi lidhur me këtë çështje thotë: “Ata (Thënësit se nuk lejohet t’i thuhet askujt ‘khalifeh (zëvendës) i Allahut (në tokë)’) kanë thënë: ‘Sa i përket fjalës së Allahut të Lartësuar: ‘Unë do të krijoj një khalifeh (mëkëmbës / zëvendës / trashëgimtar / pasardhës) në tokë’, nuk ka diskutim se me të synohet Ademi dhe pasardhësit e tij; ku shumica e interpretuesve të Kuranit (prej gjeneratave të para dhe atyre të mëvona të dijetarëve muslimanë) janë të mendimit se këtu synohet se “Allahu e bëri atë (Ademin) khalifeh (zëvendës / pasues) të kujt ishte në tokë para tij (Ademit); ku sipas disa mendimeve (Ademi) ka zëvendësuar (pasuar) xhindet që ishin banorët e saj (tokës) dhe sipas disa mendimeve të tjera (Ademi) ka zëvendësuar (pasuar) engjëjt që banuan në të (tokë) pas xhindeve (dhe para Ademit).” [13]

Allahu e di më mirë.

Ibn El-Kaijm, “Miftahu Dari Es-Sea’de”

Dr. Bashkim Aliu

———————————————————