Pyetja: Kam një pyetje të rëndë dhe po kaloj një situatë shumë të vështirë. Në familje nuk ka pasur qetësi për shumë vite, veçse ka pasur zhurmë, përplasje mes prindërve, dhe dhunë. Nuk e mbaj mend që të kemi pasur ndonjë ditë të qetë për 25 vjet. Nuk e di çfarë rrugë të ndjek, pasi nuk mundem t’i përballoj më këto gjëra. Kam duruar shumë, por asgjë nuk ka ndryshuar. Prindërit e mi nuk janë të udhëzuar dhe nuk duan të udhëzohen, edhe pse kemi tentuar t’i ndihmojmë.

A është haram nëse e largoj veten krejtësisht nga ata dhe nuk mbaj më asnjë kontakt me ta? Nuk mundem ta përballoj më këtë gjendje. Jeta jonë është shkatërruar, kemi kaluar gjithmonë në dhunë fizike dhe psikike, dhe kurrë nuk kemi pasur një ditë të lumtur. Nuk kemi pasur kushte të mira ekonomike dhe jemi rritur në një atmosferë të tillë.

Sa për babain, menjëherë kam pasur një shkëputje prej tij, sepse ai ka bërë shumë keq dhe është përgjegjës për shumë nga këto vuajtje. Situata tani është e tillë sa dhe nëna ime nuk e duron më, edhe pse ka duruar për shumë vite. Nuk mundem ta përballoj më këtë situatë, pasi që që nga fëmijëria kemi përjetuar dhunë. Ju lutem, çfarë mund të bëj në këtë rast?

Pergjigja:
Falenderimet tona janë për Allahun s.v.t. e përshëndetjet tona me salate dhe selame të panumërta janë për të Dërguarin e Tij s.a.v.s.

Respekti dhe mirësjellja ndaj prindërve është obligim i fëmijëve ndaj prindërve. Pavarësisht se a e kanë kryer ata obligimin dhe rolin e tyre prindëror apo jo, obligimi i fëmijëve nuk bie asnjëherë. Madje, edhe kur ata janë dekonstruktivë, si për shembull kur ata ju bëjnë presion fëmijëve të vet për mosbesim apo mosbindje ndaj Allahut s.v.t., as në këtë rast Islami nuk ua ka lejuar sjelljen e vrazhdët ndaj tyre. Përkundrazi, në çështjet tjera ua obligon mirësjelljen. Allahu s.v.t. në suren Lukman thotë: “Ne e kemi urdhëruar njeriun që t’i nderojë prindërit e vet. Nëna e ka mbartur atë, duke duruar mundim pas mundimi, e ndarja e tij (nga gjiri) është brenda dy vitesh. Ne i thamë atij: “Bëhu falënderues ndaj Meje dhe prindërve të tu! Tek Unë do të ktheheni të gjithë”. 15 Nëse ata orvaten, që të më shoqërosh Mua (në adhurim) diçka, për të cilën ti nuk ke dijeni, mos i dëgjo, por sillu mirë me ata në këtë jetë dhe ndiq rrugën e atij që drejtohet tek Unë me devotshmëri; pastaj, tek Unë do të ktheheni dhe Unë do t’ju lajmëroj për atë që keni bërë. (Lukman 14,15)

Prandaj, në asnjë rrethanë, pavarësisht nëse vazhdoni të jetoni me ta nën një kulm apo jo, nuk ju lejohet të këpusni lidhjet me ta. Sipas nevojës së tyre, duhet t’u shërbeni, dhe kontaktin me ta nuk bën ta ndërpreni në asnjë rrethanë. Mos harroni se sa më e vështirë që është një vepër, aq më i madh është edhe shpërblimi për të. Në këso rrethana, çfarë ju përshkruat, mirësjellja me prindërit nuk është fare e lehtë, por edhe shpërblimi për të do të jetë i veçantë. Përndryshe, nëse ata nuk janë të varur nga afërsia juaj fizike, largimi fizik prej tyre, si udhëtim jashtë vendit apo brenda vendit, duke u martuar dhe formuar familje, nuk është i ndaluar. Por kjo, në asnjë rrethanë, nuk duhet të jetë braktisje e tyre dhe ndërprerje e lidhjes me ta. Kujdesi, mirësjellja dhe bëmirësia ndaj tyre duhet të vazhdojnë përherë.

 

Burimi: pergjigje.net