Para se themi ndonjë gjë, medoemos të kuptojmë se çfarë nënkuptojmë me termin vesvese dhe si manifestohet kjo gjë. Çrregullimi obsesiv-kompulsiv (në anglisht: Obsessive-Compulsive Disorder ose OCD) është një çrregullim psikologjik në të cilin një person ka mendime të rikthyeshme ose ndjen nevojën t’i mbarojë ose përsërit disa rutina ose akte në atë masë sa që shkakton stres ose dëmton funksionimin e jetës së përditshme1. Kuptohet që kjo pikëpamje është vetëm pikëpamje psikologjike e cila përjashton faktorë të jashtëm që ndikojnë përkeqësimin e kësaj gjendje, siç është ndikimi i djajve/shejtanëve, të cilët ndikojnë në përkeqësimin e kësaj gjendje përmes cytjeve dhe shqetësimeve të cilat vazhdimisht ia drejton personit të sprovuar me këtë gjendje/çrregullim.

Gjithashtu, duhet ta kemi të qartë se ky çrregullim ndodhë me leje prej Allahut dhe nuk del nga Kaderi i përgjithshëm i Tij. Është sprovë me të cilën janë sprovuar një numër i madh i njerëzve gjithandej: “E, nëse ju ndjeni dhimbje, edhe ata ndjejnë dhimbje ashtu si ndjeni edhe ju. Mirëpo, ju shpresoni prej Allahut atë që nuk e shpresojnë ata. Allahu është i Gjithëdijshëm dhe i Urti.”2 Dije se me këtë “sëmundje” janë sprovuar njerëz të profileve të ndryshëm, madje dhe prej njerëzve shumë të mirë, siç janë disa dijetarë kolosal të këtij Umeti. Por, kur njeriu e kupton realitetin e sprovës dhe e di që përmes saj atij i falen mëkatet dhe i ngritën gradat tek Allahu, e ka më lehtë ta kupton urtësinë pse njeriu si krijesë kalon në këtë botë nëpër sprova siç është kjo sprovë apo çrregullim.

Megjithatë, duhet të jemi të qartë dhe të kuptojmë se ky obsesion në përsëritjen e ritualeve gjatë disa adhurimeve nuk ka të bëjë aspak me kërkesat dhe obligimet fetare, madje kjo është në kundërshtim me rregullat fetare, juristët (fukahatë) thonë p.sh. për numrin e larjeve gjatë avdesit: “Kush e lanë një gjymtyrë më shumë se tri herë ka vepruar keq.” Apo për përseritjen e namazit: “Nuk lejohet përsëritja e ibadetit (namazit) bazuar në mendimet (vesveset) e njeriut.”

Kjo temë është trajtuar hollësisht nga ana e fukahave dhe dijetarëve tjerë në hollësi, si nga aspekti juridik, ashtu edhe nga aspekti psikologjik, por fokusi ynë në këtë artikull është trajtimi i çështjes nga aspekti juridik në një prej ibadeteve në të cilat njerëzit sprovohen me këtë obsesion, pastrimi dhe abdesi, duke marrë parasysh gjendjen psikologjike të personit të sprovuar me këtë çrregullim, sepse pa njohjen e mendësisë së tij në këto çështje nuk është e mundshme që t’i arrijmë rezultatet e dëshiruara dhe parandalim apo largim të këtyre mendimeve në mënyrë permanente apo afatgjate.

Para se ti përmendim disa hapa praktik, ndoshta është mirë që të cekim disa dy rregulla të veçanta për personat e sprovuar me këtë çrregullim, rregulla të cilat tregojnë në një farë forme trajtimin e duhur juridik që e ka kjo gjendje te juristët:

  • Sa herë dyshon në diçka, merre atë që është më e plotë!

P.sh: Dyshon se a është falur apo jo? I thotë vetes: Jam falur. Pse? Sepse ajo është gjendja më plotë, më e mirë dhe pohuese e veprës.

Dyshon a e ka bërë nijetin apo jo?! I thotë vetes: Po, e bëra nijet.

Dyshon a e ka larë dorën apo jo! I thotë vetes: Po, e kam larë dorën.

Dyshon a e ka prishë abdesin apo jo! I thotë vetes: Jo, nuk e kam prish, sepse të qenët me abdes është gjendje më e plotë dhe më e mirë se ajo pa abdes.

  • Kur vesvesja është skajshmërish e rëndë, atëherë bjen obligimi dhe njeriu është i falur nga mos kryerja e disa veprave.

P.sh: Lutjet gojore që bëhen gjatë namazit, siç është teshehudisalavatet, lutjet në sexhde dhe rukutekbiri fillestar etj.

D.m.th. gjendja e jashtëzakonshme dhe vesvesja e rëndë e këtij personi ndikojnë në obligueshmërinë apo faljen e tij në disa veprime.

Pasi kuptuam këto dy rregulla mbi të cilat ndërtohet qasja dhe trajtimi i jonë i këtij çrregullimi, atëherë do ti cekim disa hapa praktik për largimin e vesveseve në çështjet e pastërtisë dhe avdesit:

  1. Parandalimi/Largimi i mendimeve të tilla;
    Domosdoshmërish që personi ta “lëndon” veten e tij, d.m.th. të lëndohet ai psikikisht duke u falur me ndjenjën se nuk ka avdes dhe kjo padyshim nuk është ndjenjë e lehtë dhe diçka që njeriu në kushte normale duhet ta bëj.
  2. Kur personi e kryen nevojën fiziologjike, qëndron kohë shumë të shkurtë (gjysmë minute) dhe e ka të ndaluar rreptësishtë të qëndroj në atë gjendje kohë më të gjatë. Më pas është e pëlqyeshme (jo obligim) për meshkujt që një herë, me gishtërinjtë e tij të kalojë nga fillimi i organit të tij gjenital deri në maje, meqë do të largojë urinën e mbetur në kanalet urinare. Ky veprim është vërtetuar në praktikën e pastrimit tek një numër i madh i dijetarëve të tabii’nëve. Dhe kjo praktikë ka dobi shëndetësorë, përderisa njeriu nuk e bën më shumë herë dhe nuk e tepron në këtë veprim.
  3. Shpërlanë vendin e daljes së urinës më ujë, por nëse vesveset i ka shumë të forta atëherë këtë gjë e bën me letër tualeti, edhe atë tri fshirje me letër dhe nuk i lejohet që ta fshijë vendin e daljes së papastërtisë më shumë se aq, sepse fshirja e vendit të daljes së urinës dhe jashtëqitjes me material siç është letra në sheriat quhet istixhmar, i cili tek një pjesë e juristëve përkufizohet si: “Largimi i statusit juridik të papastërtisë që del gjatë kryerjes së nevojave fiziologjike, me mbetje eventuale të një pjese të saj.” Dhe kjo pjesë e mbetur nuk merret parasysh dhe është e falur.
  4. Spërkat shumë pak teshat e brendshme, tek pjesa që do të jetë në kontakt me vendin e jashtëqitjeve, d.m.th. qoftë vetëm para apo edhe para dhe prapa. Kur themi t’i spërkat, d.m.th. i lagë gishtat me ujë dhe ujin e mbetur në gishta e hedhë në teshat e brendshme. Këtë e bëjmë që në rast se ndjen gjurmë të lëngut pasi që çohet nga vendi i kryerjes së nevojës, atëherë ia bën me dije vetes së tij se kjo është për shkak të spërkatjes së ujit dhe nuk është se diçka që del nga trupi i tij.
  5. Pas katër hapave të kaluar, mos kontrollo! Pa marrë parasysh se çka ndjen ky person, ndjen se diçka del prej trupit të tij, kontrollimi i gjendjes dhe gjurmëve të lëngjeve të dalura nga trupi i tij duhet të vijë gjatë kryerjes së nevojës së ardhshme dhe assesi që shkuarja në nevojtore të bëhet vetëm për shkak të kontrollimit të situatës dhe inspektimit të gjurmëve të cilat eventualisht kanë dalë nga trupi. E njëjta vlen edhe me ndjenjën e daljes së gazrave.

Nëse njeriu mundohet t’ju përmbahet këtyre udhëzimeve, mendojmë që nëse nuk ndodh që vesvesja krejtësisht të largohet, atëherë më së paku që mundet të ndodhë është dobësimi i saj dhe shqetësimi minimal i njeriut në praktikat e tija të përditshme.

Përmblodhi dhe përshtati: Ali Ashani

  1.   “What is Obsessive-Compulsive Disorder (OCD)?”. U.S. National Institutes of Health (NIH)
  2.  En-Nisa, 104