Pyetja:

Burri im është shumë i moralshëm dhe e ka frikë Allahun, mirëpo nuk merret me mua fare në shtëpi dhe gjithmonë qëndron me fytyrë të mrrolur, gjoksngushtë – nganjëherë më thotë se ti je shkak për këtë – mirëpo Allahu e di se unë elhamdulilah i kryej të gjitha obligimet e mia ndaj tij dhe mundohem t’i ofroj atij rehati dhe qetësi dhe mundohem t’i largoj nga ai çdo send që e urren dhe bëj durim ndaj sjelljeve të tij (e këqija) ndaj meje.
Dhe sa herë që i flas apo e pyes për ndonjë gjë hidhërohet, grindet dhe më thotë këto fjalë janë boshe dhe pa vlerë dhe duke e ditur se ai është i gëzueshëm me shokët dhe kolegët e tij, kurse unë nuk shoh tek ai tjetër veçse qortime dhe sjellje të këqija dhe kjo është ajo çfarë më mundon dhe më ka lënduar shumë dhe shumë herë kam qenë në dilemë që ta lëshoj shtëpinë. Unë, elhamdulilah, kam dituri mesatare dhe i kryej obligimet që m’i ka obliguar Allahu.
O hoxhë, nëse unë e lëshoj shtëpinë dhe vazhdoj t’i edukoj fëmijët e mi dhe jetoj me mundime të jetës, a e kam mëkat? Apo të qëndroj me burrin tim në këtë gjendje dhe të mos flas dhe të mos bashkëpunoj me te në zgjidhjet e problemeve të tij?

***

Përgjigjja:

Nuk ka dyshim që të dy bashkëshortët e kanë obligim të çojnë një jetë të lumtur dhe të jenë fytyrëçelur, të buzëqeshur ndaj njëri-tjetrit, po ashtu të jenë të sjellshëm ndaj njëri-tjetrit. Allahu i Lartësuar thotë: “Dhe çoni jetë të mirë me to.” (Nisa: 19) Dhe ka thënë: “Dhe ato kanë të drejta (mbi burrat e tyre për shpenzimet, për jetesën, për pasurinë) të barabarta (me të drejtat e burrave) mbi ta (edhe për bindje, respekt) në atë shkallë që është e arsyeshme, por burrat kanë një shkallë më tepër (përgjegjësie) mbi to.” (Bekare: 228)

Po ashtu Pejgamberi ﷺ ka thënë: “Respektimi është prej sjelljes së mirë.” (Muslimi) Dhe ka thënë: “Mos e nënvlerësoni asnjë gjë të mirë (të pëlqyer), edhe nëse ajo është buzëqeshja ndaj vëllait tënd.” [1].

Po ashtu ka thënë: “Besimtari me iman më të plot është ai i cili ka moral të mirë dhe më i miri prej jush është ai i cili është i sjellshëm me gratë e tij dhe unë jam më i sjellshmi me familjen time.” [2].

Dhe shumë hadithe të tjera të cilat flasin për vlerën e sjelljes së mirë dhe jetës së mirë ndërmjet muslimanëve në përgjithësi, e sidomos mes dy bashkëshortëve dhe familjes.

Ti ke bërë shumë mirë që ke bërë durim nga të gjitha ato sjellje të këqija të cilat i ke përjetuar nga burri yt dhe unë të porosis që të bësh ende durim dhe të mos e lëshosh shtëpinë sepse (inshallah) ka dobi nëse ti nuk e lëshon shtëpinë dhe përfundimi do të jetë i mirë, siç ka thënë Allahu i Madhëruar: “Të jeni të durueshëm se Allahu është me të durueshmit.” (Enfal: 46) dhe ka thënë: “…ai që ruhet dhe bën durim, s’ka dyshim Allahu nuk humb shpërblimin e punëmirëve.” (Jusuf: 90), po ashtu ka thënë: “…ndërsa të durueshmëve u jepet shpërblimi i tyre pa masë!” (Zumer: 10) dhe thotë: “Pra, të jesh i durueshëm se përfundimi (i lavdishëm) është për të devotshmit.” (Hud: 49).

Po ashtu është e preferuar që të bëhesh tërheqëse për të dhe t’i flasësh atij me fjalë të cilat ia qetësojnë zemrën dhe këto gjëra do t’ia përkujtojnë atij obligimet ndaj teje dhe mos kërko nga ai ndonjë gjë nga gjërat e dynjasë përderisa është i angazhuar me punë të rëndësishme derisa të zgjerohet zemra e tij për t’i kryer obligimet e tij ndaj teje dhe do ta falënderosh përfundimin inshallah!

Allahu ju lehtësoftë punët e mira dhe jua përmirësoftë gjendjen e burrit tënd e udhëzoftë atë duke i dhuruar sjellje të mirë dhe jetë të mirë me familje.

Shejh Abdul Aziz bin Baz

——————————

[1] Muslimi

[2] Hadithin e transmeton Ebu Hurejra, Tirmidhiu 1/217-218, Ahmedi 2/250, 472, shejh Albani ka thënë se hadithi është sahih, shih Silsiletus-Sahiha 1/511.