Pyetja:
Jam njohur me një vajzë, është me besim ortodoks, po nuk e praktikon, madje më tha që nuk i zë besë kishës e priftërinjve. I thashë a të intereson Islami, tha se dua që të ma shpjegojë një njeri… Desha t’ju pyes se çfarë këshilloni, si të veproj me të?
***
Përgjigjjja:
Falënderimet i takojnë Allahut, paqja dhe bekimet e Tij qofshin mbi të Dërguarin e Tij Muhamedin ﷺ, mbi familjen e tij, mbi shokët e tij dhe mbi të gjithë ata që ndjekin rrugën e tij deri në Ditën e Gjykimit.
Vëlla i nderuar, së pari ju përshëndesim dhe ju urojmë mirëseardhjen në faqen tonë. Pastaj themi se nuk është shumë e qartë se çfarë nënkuptoni me fjalën njoftim; a është për qëllim kontakti i njohur në mes të rinjve (mashkull dhe femër), të cilët krijojnë raport të ndërsjellë të ndërtuar mbi dashurinë që ndiejnë ndaj njëri-tjetrit, ashtu si ndodh te një çift bashkëshortor, qoftë edhe nëse jeni në fillim të kësaj, apo me njoftim keni për qëllim se rrethanat e ndryshme të jetës ju kanë bërë që të keni raport jo të afërt me të, por detyroheni të takoheni me këtë vajzë në punë, në shkollë, e keni fqinj apo në situata të tjera të cilat janë bërë pothuajse të pamundura t`i largohemi në kohën bashkëkohore.
Në përgjithësi rreth raporteve dhe kontakteve me femra të huaja për mashkullin dhe anasjelltas kemi folur disa herë në pyetje të ndryshme, prandaj ju rekomandojmë të lexoni ato përgjigje, si për shembull numër 337, 159, 151, 144, 47, etj.
Duke pasur parasysh ndalimin e këtij lloj kontakti, ju këshillojmë t`i largoheni takimit, posaçërisht veçimit qoftë edhe vetëm në bisedë (e cila mund të realizohet nëpër vende publike). Kjo është për shkak se edhe nëse është shumë e dobishme thirrja dhe njohja e asaj vajze me fenë islame, dëmi i thellimit të raportit me të është i ndaluar (haram) për ty.
Në anën tjetër, ju mund ta udhëzoni atë në format dhe metodat me të cilat ajo ka mundësi të njohë fenë islame. Kjo bëhet duke e njoftuar me ndonjë të afërmen tënde, e cila ka njohuri rreth fesë. Ajo ka mundësi t`ia sqarojë gjërat për të cilat ka nevojë dhe ta furnizojë me literaturë islame. Ose mund ta drejtoni te vendet dhe shoqëritë femërore, të cilat organizojnë aktivitete islame për femra, faqe interneti etj.
Kjo ishte ajo që mendojmë se do të ishte më e qëlluar, Allahu e di më së miri dhe e lusim Atë t’ju forcojë dhe t’ju japë sinqeritet në rrugën e Tij. Amin!
Alaudin Abazi