Pyetja:

Ka tre vite që i fali kohët e namazit. Sabahu me ikë nganjëherë por Zoti pastë mëshirë me mua! Agjërimin e kam bërë që kur kam qenë e vogël. Në fillim kur fillova të falem e ndieja se imani po më rritej shumë. Por këtë vit të fundit sikur më është varur një fre dhe kam ngelur në një vend. Kam pasur shumë vesvese në namaz, mirëpo kam bërë rukje te një hoxhë, dhe elhamdulilah, Allahu më ndihmoi dhe më janë larguar vesveset. Çfarë më këshilloni? Çfarë të bëj?

***

Përgjigjja:

Motër muslimane, Allahu ta shtoftë edhe më shumë ndjenjën për përkushtim dhe për arritje më të lartë në aspektin shpirtëror fetar! Vet brengosja për këtë gjë është shenjë e mirë, sepse njeriu për nga ngritja shpirtërore duhet të shikojë dhe të synojë të krahasohet me njerëzit më të lartë, kurse sa i përket aspektit social duhet krahasuar me ata që kanë gjendjen më të ulët financiare. I Dërguari i Allahut, ﷺ ka thënë: “Shikoni ata që kanë gjendje sociale më të ulët se ju e mos i shikoni ata që janë në gjendje më të mirë se ju, sepse kjo gjë është më afër që të mos i përçmoni dhuntitë e Allahut mbi ju!” [1]
Natyrisht se ngritja nga niveli i mëkatares në nivelin e përfilljes së ligjeve të Allahut është më e vështirë sesa ngritja nga niveli i mirë fetar në nivel më të mirë, por edhe dallimi në rastin e parë vërehet më shumë se në rastin e dytë. Lufta e shejtanit ndaj jush nuk ka marrë fund, por ajo vazhdon deri në vdekje, andaj edhe duhet të jesh vigjilente që ai të mos luaj me besimin tuaj as në teori e as në praktikë. Sidomos në periudhën e fillimit, vesveset, dyshimet, luhatja e paqëndrueshmëria në fe janë më të theksuara, pasi shejtani nuk do që t’ju lëshojë lehtë nga “aleanca e vjetër” me të, si dhe Allahu do që ta shohë seriozitetin tuaj në punë dhe përkushtimin ndaj urdhrave të Tij.

Allahu vet besimtarët i thërret në besim, në mënyrë që mos të mjaftohen me anën teorike të besimit dhe të harrojnë se përsosmëria në besim kërkohet në vazhdimësi, por ata i përkujton dhe ju thotë: “O besimtarë! Besoni Allahun, të Dërguarin e Tij, Librin, që ia ka zbritur të Dërguarit të Tij dhe Librin që e ka zbritur më parë. Kushdo që mohon Allahun, engjëjt e Tij, Librat e Tij, të Dërguarit e Tij dhe Ditën e Kiametit, ai, me të vërtetë, ka humbur larg prej udhës së drejtë.” (Nisa‘, 136)

Ti motër, vazhdo të shtosh dituritë tua fetare, për të cilat ke nevojë në jetën tënde të përditshme. Mëso të lexosh Kur’an, lexo literaturë fetare, kryej përveç farzeve edhe ibadete vullnetare-nafile, puno me veten që t’i ndryshosh veset e këqija dhe të stolisesh me sjellje të mira, solidarizohu me të vobektat, të varfrat, të sëmurat, bë dua për to që Allahu t’i begatojë me të mirat e Tij, shoqërohu me shoqëri që ta përkujton Allahun e nëse nuk ke, bëhu ti shkaktare që në shoqërinë tënde të dominojë serioziteti, frika ndaj Allahut, respekti ndaj fesë së Tij etj.!

Allahu të forcoftë në hak dhe të largoftë nga çdo e ligë!

Muhamed Dërmaku

———————————

[1] Muslimi, Tirmidhiu