Pyetja:

Jam e martuar dhe kam bërë niqah me burrin tim vetëm me hoxhë por nuk kemi bërë kurorëzim. Edhe burri më ka dalë në kurbet dhe është në azil dhe mua më ka ardhur mundësia për t’i bërë letrat. A mundem të bëj niqah me kuantin tim vetëm për letra kështu me ligj, jo te hoxha? Edhe kunatit i duhet ta prish niqahun me gruan e vet për të m’i bërë mua letrat dhe duhet të rri në banesë me të pa praninë e burrit dhe pa praninë e kunatës sime sepse kështu është ligji atje. A kam leje dhe a është gjynah ta bëj këtë dhe pastaj të bëhem niqah me burrin tim dhe t’ia bëj atij letrat normal me ligj, sepse unë nuk jam afër tij e po dua të shkoj te ai e ndryshe s’mundem vetëm kështu?

***

Përgjigjja:

Niqahu (kontrata martesore) legjitim, i cili konsiderohet i plotfuqishëm dhe që lejon bashkimin e një mashkulli me një femër, është ai që bëhet me hoxhë dhe që i plotëson dispozitat e kërkuara me Sheriat, ndërsa niqahu që bëhet vetëm tek ofiqari, nëse nuk përputhet me dispozitat e Sheriatit është i papranuar dhe nuk e bën atë femër të lejuar për atë mashkull.

Megjithatë, niqahu është një kontratë e rëndësishme, me të cilën nuk lejohet të bëhet pa seriozitet. Allahu atë e ka quajtur si besë të fortë ndërmjet burrit dhe gruas, andaj nuk lejohet të luhet me kontrata martesore, qoftë edhe për “letra”:

O besimtarë! – nuk ju lejohet të bëheni përdhunisht trashëgimtarë të grave dhe mos i pengoni ato me qëllim që t’ua merrni një pjesë nga dhuratat që ua keni dhënë, përveç nëse bëjnë gabime sheshazi. Jetoni e silluni mirë me to! Në qoftë se ato nuk ju pëlqejnë aq shumë, (duroni!) sepse është e mundur që juve të mos ju pëlqejë diçka, por që Allahu në atë do t’ju sjellë shumë të mira. Në qoftë se dëshironi të ndërroni grua, duke e lëshuar njërën për të marrë një tjetër, asaj që i keni dhënë pasuri, mos i merrni nga ajo (pasuri) asgjë. A do ta merrnit atë padrejtësisht, duke bërë gjynah të qartë?! Si do t’ia merrnit atë dhuratë, kur ju i jeni dhënë njëri-tjetrit dhe kur ato kanë marrë nga ju besë të fortë?!” (Nisa‘, 1921)

Përveç kësaj që u tha, ju do të detyroheni të bëni një mëkat tjetër të rëndë, të cilin i Dërguari i Allahut, Muhamedi ﷺ e ka quajtur vdekje. Është fjala për bashkëjetesën në një ambient të mbyllur me kunatin tënd. I Dërguari i Allahut ﷺ ka thënë: “Kurrsesi mos hyni të rrini me gratë e huaja! Një njeri nga ensarët (vendasit e Medinës) e pyeti: e nëse është kunati? Ai tha: Kunati është (dhe të afërm të tjerë të burrit janë) vdekja.” [1]

Në anën tjetër ju do t’i shkaktoni probleme të ndryshme ligjore kunatit tuaj kur ai do të detyrohet ta prishë kurorën me gruan e tij, të mos jetojë me të dhe eventualisht mund të lind ndonjë problem në mes tyre, gjë që pasojat mund të jenë të rënda. Pastaj derisa ju t’i merrni letrat në mënyrë të plotë dhe pastaj të ndaheni me kunatin dhe të bësh kontratën e re me burrin tënd, kjo gjë është procedurë e gjatë, që varësisht prej vendit zgjat prej më së paku dy viteve e deri në pesë vite, gjë që ju prapë nuk do të arrini të bashkoheni shpejt me burrin tuaj.

Duke u bazuar në këtë që u tha e sidomos dy argumentet e para, assesi nuk lejohet që ju të ndërmerrni ndonjë hap të tillë në emër të bashkimit me burrin tuaj, me të cilin ligjërisht nga aspekti fetar keni lidhur kontratën martesore me të cilën trajtoheni e martuar tek Allahu, pastaj edhe tek njerëzit.

Allahu ju haptë rrugë të tjera të pranuara për t’u bashkuar me burrin tuaj!

Allahu e di më së miri!

Muhamed Dërmaku

——————————-

[1] Buhariu, Muslimi