Pyetja:

Te cilat çorape mes’hi lejohet?

***

Përgjigjja:

Sipas mendimit të katër imamëve, themelues të shkollave juridike islame (Ebu Hanifes, Malikut, Shafiut dhe Ahmedit), marrja e mes’hit mi çorape ashtu siç praktikohet sot, është e ndaluar dhe çdo mendim ndryshe nuk është i vërtetë.

Megjithatë, ata që mendojnë se marrja e mes’hit mbi çorapet e sotme është e lejuar, dhe këtë e praktikojnë, ata nuk bëjnë gjë tjetër, pos që ndjekin epshin e tyre dhe për këtë çështje shfrytëzojnë disa hadithe të cilët patjetër duhet t’i përmendim me qëllim që të mos vijë deri në ndonjë huti në mesin muslimanëve. Ç’është e vërteta, transmetohet se Mugire in Shu’be ka thënë: “E kam parë të Dërguarin e Allahut ﷺ duke marrë abdes dhe duke dhënë mes’h mbi çorape.”

Ky hadith nuk është argument për mes’hin mbi çorape, nisur nga këto shkaqe:

Nesaiu në librin e tij “Sunenul Kubra” thotë: “Nuk kam njohuri që ndonjëri të ndjek Ebu Kajs El-Evdiun në këtë rivajet. E vërtetë është ajo çka transmeton Mugire me zinxhirë autentik transmetuesish se i Dërguari i Allahut ﷺ u ka dhënë mes’h mesteve.”

Edhe Bejhekiu e përmend hadithin e sipërpërmendur nga Mugire dhe thotë se është hadith i papranueshëm.

Sufjan Thevriu, Abdurrahman ibn Mehdi, Ahmed ibn Hanbeli, Jahja in Meini, Ali ibn Medini dhe Muslim ibn Haxhaxhi thonë se është i njohur hadithi i Mugires për mes’hin mbi meste, por ama jo edhe për mes’hin mbi çorape.” [1]

Asnjë nga juristët muslimanë nuk e lejon mes’hin mbi llojet e çorapëve që përdoren sot, për një arsye fare të thjeshtë: forma e çorapëve në kohën e të Dërguarit të Allahut ﷺ ka qenë e ndryshme nga ajo e çorapëve të sotëm, sikur që edhe përdorimi i tyre ka pasur qëllim tjetër, përkatësisht ato çka janë quajtur çorapë në kohën e të Dërguarit të Allahut ﷺ janë përdorur si këpucët në kohën e sotme. Vlen të theksojmë se për t’u konsideruar diçka çorape në kohën e Muhammedit ﷺ ajo duhet të ishte e tillë, që me të, së paku të ecej një rrugë prej katër kilometrash.

Ebu Hanife thotë: “Lejohet mes’hi mbi çorapë vetëm nëse janë të mbuluar me lëkurë.”; kurse nxënësit e tij Ebu Jusufi dhe Muhamed Shejbani konsiderojnë se lejohet mes’hi mbi çorape nëse ata janë aq të trashë dhe të fortë sa që nëse hidhet ujë këmba mbetet e thatë; Imam Ahmedi dhe Shafiu konsiderojnë se çorapët duhet të jenë të atillë që nuk e lëshojnë ujin dhe të ketë mundësi që të ecet pa problem me ta si dhe të qëndrojnë vetvetiu pa lidhëse. Derisa Imam Maliku konsideron se duhet të jenë prej lëkure që të ngjasojnë me mestet. [2]

Muhamed Jusuf El-Benuri thotë: “Të gjithë Imamët kanë pranuar se lejohet mes’hi mbi çorape që janë të bërë nga lëkura. Ata në të njëjtën kohë pranuan se nuk merret mes’hi mbi çorape të hollë dhe të tejdukshëm, ndërsa nuk janë të një mendimi se a mund të merret mes’hi mbi çorapët e fortë dhe të ngurtë.” [3]

Imam Esat Muhamet b. Said Sağırcı në librin e tij “El-Fikhul Hanefi ve Ediletuhu” thotë: “Mes’hi mbi çorapet e hollë nuk është i lejuar sepse në përgjithësi selefët e mirë (selefus-salih) çorapet nuk i kanë përdorë për ngrohjen e këmbëve, por ata i kanë përdorur për të ecur, ngjashëm sikur që ne sot i përdorim këpucët.” [4]

Artikulli është marrë nga websajti i Institutit islam për hulumtime shkencore “Ebu Hanife”.

http://ebuhanife.net/index.php?option=com_content&view=article&id=61:mesh-po-arapama-nije-dozvoljen&catid=35:fikh&Itemid=44

Përktheu: Arsim Dauti

_____________

[1]. “El-Binaje”; 1/ 368

[2] Ebu Muhammed Ali ibn Zekerija El-Menbexhi; “El-Lubab fil xhem’i bejnes-Sunneti vel Kitab”; fq. 134.

[3] Es Sejjid Muhammed Jusuf ibn Es-Sejjid Muhammed Zekerija El-Haseni El-Benuri “Me’arifu Sunen, Sherh Suneni Tirmidhi”; 1/ 346, Karaçi, 1413.H.; Ibrahim El-Halebi, “Multekal-Ebhur”; fq. 44.

[4] Esat Sağırcı, “Fikhul Hanefi ve Ediletuhu”, 1/ 97.