Pyetja:

E kreva umrën dhe, pas mbarimit të saj dhe para daljes nga Meka, kreva tavafin dhe shpërblimin e këtij tavafi ia dhurova njërit prej shokëve të mi, duke jua bërë me dije se ai është gjallë. A është e lejuar kjo vepër? Cili është gjykimi i dhurimit të shpërblimit të vdekurve dhe të gjallëve?

***

Përgjigjja:

Fjala e saktë në lidhje me këtë është se (shpërblimi i) tavafit nuk i dhurohet as të gjallit dhe as të vdekurit; po ashtu, as namazi dhe as agjërimi. Porse ajo e cila dhurohet për të vdekurin dhe të gjallin janë katër gjëra: Haxhi, umreja, sadakaja dhe lutja. Këto janë gjërat për të cilat është transmetuar. Ndërsa disa dijetarë të tjerë kanë thënë: I lejohet atij të dhurojë çdo gjë prej adhurimeve; të falë dy rekate dhe t’ia dhurojë shpërblimin e tyre të vdekurit, kjo duke u bazuar në analogji, kijas. Porse ata nuk kanë argument tjetër vetëm se duke i bërë analogji me dhurimin e shpërblimit të agjërimit. E sakta është se atij, të vdekurit, nuk i arrin shpërblimi i agjërimit, përveç nëse është agjërimi farz dhe ai ka agjërim të lënë mangët, duke u bazuar në fjalën e Profetit ﷺ në hadithin e Aishes (Allahu qoftë i kënaqur prej saj!): “Kushdo që vdes dhe ka agjërim pa agjëruar, atëherë le të agjërojë për të veliu i tij.” [1]
Po ashtu, nëse është agjërim nedhri, apo kefare/shpagimi, apo është agjërim kada/kompensim, nuk ka problem të agjërojë. Ndërsa për sa i përket agjërimit të vullnetshëm, kjo nuk lejohet, për shkak të mospasjes së argumentit dhe se nuk saktësohet ndonjë argument vetëm se për katër gjërat: Për haxhin, umren, sadakanë dhe lutjen. Për sa i përket lutjes, nuk ka problem si për të gjallin, ashtu edhe për të vdekurin, ndërsa nuk lejohet që ta kryesh haxhin për të gjallin, përveç në rast se ai nuk mundet, ashtu siç saktësohet kjo në historinë gruas të cilën Profeti ﷺ e lejoi atë që të agjëronte në vend të babait të saj, për shkak të pamundësisë së tij. Po ashtu, nuk ka problem që të kryesh umran për të vdekurin, edhe nëse ai e ka kryer atë. Kurse për të gjallin, në asnjë mënyrë nuk bën.

Shejh Abdulaziz bin Abdullah er Raxhih

Përktheu: Xhabir Sheme