Pyetja:

A lejohet të ngrihesh në këmbë kur hyn dikush brenda, kur dihet se Pejgamberi, ﷺ, nuk i ka lejuar të ngrihen në këmbë kur ai ka hyrë brenda?

***

Përgjigjja:

Është e vërtetë se i Dërguari i Allahut ﷺ nuk ka pasur dëshirë të ngrihen shokët e tij në këmbë kur ai hynte në ndonjë ndejë a tubim, mirëpo nga kjo nuk mund të nxirret konstatimi se është e ndaluar të ngrihemi në këmbë për dikë që hyn brenda, por nga ky gjest kuptojmë vetinë e modestisë dhe të thjeshtësisë së të Dërguarit të Zotit ﷺ.

Gjithashtu ai dëshironte që t’i kundërshtonte traditat e mendjemëdhenjve e mizorëve, të cilët kërkonin që njerëzit të ngrihen në këmbë apo t’u përulen. Pejgamberi ﷺ nuk donte t’u përngjante atyre njerëzve, pastaj dëshironte që të mos i ngarkonte njerëzit duke u ngritur dhe ulur, ashtu siç zgjodhi që të mos dallohej nga shokët e tij në fjetje, ushqim e kështu me radhë.

Ngritja në këmbë me rastin e pritjes së ndonjë mysafiri, ngritja për t’u përshëndetur me të, posaçërisht në rastet kur njeriu është nikoqir, është veti bujarie dhe respekti.

I Dërguari i Allahut ﷺ ishte ngritur në këmbë për Fatimen r.a., ashtu siç është ngritur edhe ajo për të. [1]

Pejgamberi ﷺ i ka urdhëruar ensarët që të ngrihen në këmbë për Sa’d bin Muadhin me rastin e gjykimit të tij ndaj fisit Benu Kurejdha dhe u ka thënë: “Ngrihuni për zotërinë tuaj!” [2]

Prandaj ngritja në këmbë në shenjë respekti dhe nderimi ndaj atij që na vjen në shtëpi bën pjesë në etikën e mirësjelljes, madje është e preferuar, në veçanti nëse personi është dijetar, pushtetar, autoritar e të ngjashëm. Kjo ngritje për të është në shenjë respekti dhe jo për hipokrizi, syfaqësi e madhërim. Me këtë traditë kanë vazhduar të punojnë selefët – të parët tanë, siç ka thënë Imam Neveviu, duke sjellë edhe shumë argumente për këtë.

Është e ndaluar ngritja në këmbë me qëllim adhurimi apo madhërimi të dikujt.

Po ashtu është e ndaluar që personi të ketë dëshirë t’i ngrihen njerëzit në këmbë, ngase kjo dëshirë në vetvete përmban kryelartësi të shëmtuar dhe mendjemadhësi. Për këtë lloj njerëzish, Pejgamberi ﷺ ka thënë: “Kush dëshiron që njerëzit t’i ngrihen në këmbë, le të përgatitë ulësen e tij prej zjarri.” [3]

Allahu e di më së miri.

Dr. Shefqet Krasniqi

—————————

[1] Ebu Davudi, nr. 5217; Tirmidhiu, nr. 3872

[2] Buhariu, nr. 3043′ Muslimi, nr. (1768) 64.

[3] Tirmidhiu, nr. 2755