Pyetja:

Shpirti i njeriut që vdes ku qëndron pas vdekjes? A është e vërtetë kjo që kam dëgjuar, se ai vjen për vizitë në shtëpi?

***

Përgjigjja:

Fillimisht, çdo besimtar dhe besimtare duhet ta dijë se obligohet të besojë në çdo gjë që na ka njoftuar Allahu Lartësuar në Librin e Tij dhe Pejgamberi ﷺ, në hadithet e tij të sakta në lidhje me jetën pas vdekjes dhe çdo gjë që ka të bëjë me gjendjen e botës tjetër, si: dënimi dhe shpërblimi në varr, ringjallja, llogaria, xheneti, xhehenemi si dhe besimi në të gjitha gjërat e tjera që konsiderohen prej fshehtësive të gajbit-dituria e fshehtë, ngase besimi në gjërat e fshehta që na ka njoftuar Allahu i Lartësuar në librin e Tij apo nëpërmjet të Dërguarit të Tij ﷺ, është pjesë e pandashme e imanit.

Allahu i Lartësuar duke përshkruar cilësitë e besimtarëve thotë:

“Të cilët e besojnë të fshehtën (gajbin), falin namazin dhe prej asaj që Ne u kemi dhënë, ata japin (zekat, sadaka etj). Dhe ata të cilët besojnë në atë që t’u shpall ty dhe në atë që është shpallur para teje, dhe që janë të bindur plotësisht për (jetën e ardhme në) botën tjetër (ahiretin). Të tillët janë të udhëzuar nga Zoti i tyre dhe vetëm ata janë të shpëtuarit.” (Bekare: 35)

Njeriu përbëhet prej trupit dhe shpirtit. Në momentin kur njeriut i del shpirti nga trupi, ai konsiderohet i vdekur. Mirëpo ajo që duhet theksuar është se shpirti nuk vdes, por vazhdon jetën e posaçme, që quhet jeta në berzah (jeta në varreza); se në çfarë forme shpirti vazhdon jetën pas vdekjes së trupit është prej gjërave që nuk mund të kuptohen me logjikën e njeriut. Besimi në pavdekshmërinë e shpirtit dhe në çdo gjë që ka të bëjë me jetën pas vdekjes konsiderohet prej fshehtësive për të cilën na ka njoftuar Allahu i Lartësuar në Librin e Tij dhe nëpërmjet të Dërguarit të Tij ﷺ.

Në lidhje me atë se ç’ndodh me shpirtin pas vdekjes së njeriut, përgjigjen e marrim nga i Dërguari i Allahut, Muhamedi ﷺ.

El-Berau bin Azibi tregon se ka qenë prezent me Pejgamberin ﷺ në xhenazen e një ensariu. “Teksa prisnim hapjen e varrit, i Dërguari i Allahut ﷺ, u ul, edhe ne u ulëm përreth tij, kurse ai kishte në dorë një shkop të mbështetur përtokë. Ngriti kokën dhe tha dy apo tri herë: “Kërkoni mbrojtje tek Allahu nga dënimi i varrit”. Pastaj tha: “Kur besimtari është në pragun e largimit nga kjo botë, i vijnë atij melekët e Zotit me fytyra të qeshura e të gëzuara, me qefinë nga qefinët e xhenetit dhe me parfum nga parfumet e xhenetit, i qëndrojnë para tij. Pastaj vjen meleku i vdekjes, i afrohet te koka dhe i thotë: “O shpirt i mirë! Dil në mëshirën dhe kënaqësinë e Zotit tënd. Shpirti i del (shumë lehtë), ashtu siç del pika e ujit nga ena (kur e kthen enën të derdhësh ujin). Sapo del shpirti, melekët shoqërues e mbështjellin menjëherë me qefin nga qefinët e xhenetit dhe e parfumojnë me parfum nga parfumet e xhenetit. E prej tij del një aromë nga më e mira që është shijuar ndonjëherë.

Pas kësaj nisen për te Zoti i gjithësisë dhe nuk ndodh që rrugës (për në qiell lart) të takojnë ndonjë grup melekësh e që ata të mos pyesin: ”Kush është ky shpirt kaq i mirë?” E ata i thonë: “Filani  i  biri i filanit”, me emrin më të mirë me të cilin është quajtur në dynja, derisa të afrohen te dyert e qiellit të dynjasë, ku kërkojnë nga melekët roje që t’ua hapin dyert, e ata ua hapin dyert duke i uruar mirëseardhjen. Kështu veprojnë me të të gjithë melekët që takojnë gjatë kalimit të qiellit të parë, derisa të afrohen te qielli i dytë, ku edhe atyre u kërkohet që t’ia hapin dyert, e ia hapin dyert duke i uruar mirëseardhjen.

Kështu vazhdon (qiell pas qielli) derisa ata afrohen te qielli i shtatë dhe pastaj Zoti thotë: “Shkruajeni emrin e robit Tim në IL-LIJ-JIN, te libri i të nderuarve, ndërsa atë kthejeni në tokë (në varr), ngase Unë nga toka i kam krijuar, në tokë do t’i rikthej dhe nga toka do t’i ringjall përsëri.”

Pastaj i kthehet shpirti në trupin e tij (pasi të futet në varr) dhe i vijnë atij dy melekë, Munkeri dhe Nekiri, të cilët e ulin dhe e pyesin: “Kush është Zoti yt?” Thotë: “Zoti im është Allahu.” E pyesin: “Cila është feja jote?” Thotë: “Feja ime është Islami.” E pyesin: “Kush është ai njeri që është dërguar tek ju?” Thotë: “Është i Dërguari i Allahut ﷺ.”
E pyesin: “Cila është dituria jote?” Thotë: “E kam lexuar librin e Allahut, kam besuar në të dhe e kam vërtetuar (me vepra).”Atëherë Zoti flet: “Shtrojeni varrin e robit Tim me shtrojë prej xheneti dhe hapini atij një dritare nga xheneti.” Pastaj atij i vjen freskia dhe aroma e xhenetit dhe i zgjerohet varri aq sa sheh syri i tij.

Pak më vonë i vjen atij një person i veshur me të bardha. Fytyra i shkëlqen dhe i vjen erë e mirë dhe i thotë: “Përgëzohu me atë që të ka mundësuar, kjo është dita që të është premtuar.” Njeriu e pyet: “Kush je ti? Fytyra jote është fytyrë përgëzuese që sjell lajme të mira.” Personi i përgjigjet: “Unë jam puna jote e mirë. Gëzohu për çfarë vjen më pas.” Atëherë i vdekuri thotë: “O Zot, bëje sa më parë kiametin, që të kthehem te familja dhe pasuria ime.”

I Dërguari i Allahut ﷺ vazhdoi të tregonte: “Kur i vjen vdekja atij që nuk ka besuar në Zot, i afrohen melekët, të cilët të fusin frikën kur i shikon, me çarçaf (mbështjellës) të xhehenemit. Menjëherë afrohet meleku i vdekjes dhe i thotë: “O shpirt i fëlliqur, dil te zemërimi dhe hidhërimi i Zotit tënd.” Ky lloj shpirti shkëputet nga trupi ashtu siç mund të shkëputet leshi i lagur nga ferrat. Melekët shoqërues e marrin shpirtin e këtij personi dhe e vendosin në mbështjellësin e xhehenemit, i cili kundërmon më keq sesa kundërmimi i ngordhësirës më të prishur në rruzullin tokësor. Pastaj nisen për në qiell dhe nuk ndodh që rrugës (për në qiell lart) të takojnë ndonjë grup melekësh e që ata të mos pyesin: ”Kush është ky shpirt kaq i keq?” E ata i thonë: “Filani  i biri i filanit”, duke e thirrur me një emër të keq që e thërrasin në dynja, derisa të afrohen te dyert e qiellit të dynjasë, ku kërkojnë nga melekët roje që t’ua hapin dyert, por ato nuk hapen.”

Me atë rast i Dërguari i Allahut ﷺ recitoi ajetin:

“Atyre nuk u hapen dyert e qiellit dhe nuk do të hyjnë në xhenet derisa të përbirojë deveja nëpër vrimën e gjilpërës.” (A’raf: 40)

”Atëherë Allahu i Lartësuar jep urdhër: “Shkruajeni emrin e robit Tim në SIXH-XHIN, te libri i të dënuarve, në tokën më të thellë. Pastaj shpirti i tij hidhet nga lart në tokë.” 

Me atë rast Pejgamberi ﷺ tha ajetin:

“…kush i përshkruan shok Allahut, (i bën shirk, rival Atij), ai është sikur të bjerë nga qielli e ta rrëmbejë shpendi, ose si ai të cilin e gjuan era e stuhishme në ndonjë vend të humbur.” (Haxhxh: 31)

Pastaj i kthehet shpirti në trupin e tij (pasi të futet në varr) dhe i vijnë atij dy melekë, e ulin dhe e pyesin: “Kush është Zoti yt”? Thotë: “Ah, nuk e di, nuk e di.” E pyesin: “Cila është feja jote?” Thotë: “Ah, nuk e di, nuk e di.” (E pyesin): “Kush është ai njeri që është dërguar te ju?” Thotë: “Ah, nuk e di, nuk e di.” Pastaj thërret thirrësi: “Ka gënjyer, shtrojeni varrin e tij me shtrojë nga zjarri dhe hapeni për të derën e xhehenemit!” Atij i vjen nxehtësia dhe helmi i xhehenemit. Varri i tij fillon e ngushtohet derisa atij i futen kockat tek njëra-tjetra.

Pak më vonë i vjen atij një njeri me rroba të zeza, me fytyrë të zezë,  që i vjen erë e keqe dhe i thotë: “Po të përgëzoj me atë që të pikëllon, kjo është dita që të është premtuar.” Njeriu pyet: “Kush je ti me këtë fytyrë që paralajmëron të keqen?” Ai përgjigjet: “Unë jam puna jote e keqe.” Pastaj i vdekuri thotë: “O Zot, mos e bëj kiametin!” [1]

Ndërsa për sa i përket vendqëndrimit të shpirtit pas daljes nga trupi i besimtarit, pra pas vdekjes deri në kiamet, dijetarët islamë, duke u bazuar në disa transmetime, kanë dhënë mendime të ndryshme. Disa kanë thënë se janë në xhenet, disa kanë thënë se qëndrojnë te dera e xhenetit, disa kanë thënë se qëndrojnë afër varrezave, disa kanë thënë se shkojnë nga të duan, disa kanë thënë se qëndrojnë diku, por vetëm Allahu e di se ku. Vetëm Allahu e di më së miri realitetin. Për ne është e rëndësishme të dimë se shpirtrat e besimtarëve pas daljes nga trupi janë duke shijuar kënaqësi nga begatitë e xhenetit kudo qofshin ata, në xhenet apo diku afër xhenetit, apo jashtë xhenetit.

Në anën tjetër, edhe shpirtrat e jobesimtarëve pas vdekjes janë duke përjetuar vuajtjet dhe dënimet e xhehenemit kudo qofshin ata, në xhehenem apo diku afër xhehenemit, apo jashtë xhehenemit.

Si përfundim, themi se pasi shpirti i njeriut kalon nëpër disa faza, jeta e shpirtit pas daljes nga trupi konsiderohet faza e jetës në berzah, pra jeta në varreza. Prandaj kemi argumente të prera e të pakontestueshme se në fazën e jetës së shpirtit në berzah, shpirti i besimtarit shpërblehet, kurse shpirti i jobesimtarit ndëshkohet.

Ndërsa për sa i përket mundësisë së shpirtit që ta vizitojë shtëpinë dhe familjen pas vdekjes, mund të themi se nuk ka ndonjë argument që dëshmon për një gjë të tillë (aq sa dimë ne).

Allahu e di më së miri.

Dr. Shefqet Krasniqi

—————–

[1] Ahmedi, nr. (18534) 18733; Ebu Davudi, nr. 3212. Hakimi, 1/37.