Pyetja:

Kemi marrë një vidiokasetë, e cila ka titullin “Djaloshi që u dënua në varr”, e kemi parë, por nuk kemi siguri në vërtetësinë e saj. Sipas të dhënave që kishte, është realizuar nga kjo adresë: “Kuran dhe sunnet”. Nëse do të ishte e mundur të na dërgonit ndonjë informacion nëse është apo jo e vërtetë.

***

Përgjigjja:

Falënderimet i takojnë Allahut, paqja dhe bekimet e Tij qofshim mbi të dërguarin e Tij Muhamed, mbi familjen, shokët dhe të gjithë ata që ndjekin rrugën e tij deri në Ditën e Gjykimit.

Është e vërtetë se para disa javëve është përhapur një video-cd rreth një të riu i cili dukej se kishte vdekur dhe e kishin varrosur, pastaj pas tri orëve e kishin nxjerrur nga varri për t`ia bërë abduksionin dhe kur e kishin nxjerrur, siç thuhet në atë video, forma e këtij djali kishte ndryshuar shumë, ku përveç fytyrës që ishte mjaft e shëmtuar, gjithashtu edhe flokët i kishte krejtësisht të zbardhura, gjë që ishte shumë tronditëse ku për tri orë kishin ndodhur këto ndryshime kaq të shpejta.

Në këtë material thuhet se ky djalosh ishte mëkatar, nuk falte namazin, dëgjonte muzikë, etj.

Meqenëse ne nuk e kemi shikuar materialin të tërin, por përafërsisht kjo është përmbajtja e tij.

Kjo video është përhapur te shumë prej muslimanëve dhe janë bërë disa pyetje te ne në redaksi rreth vërtetësisë së ngjarjes, pastaj janë pyetur edhe disa nga dijetarët bashkëkohorë në botën arabe. Përgjigja rreth kësaj do të ishte në dy pikëpamje, me qëllim që lexuesit të marrin një sqarim të përgjithshëm rreth trajtimit të këtyre ngjarjeve që herë pas herë i dëgjojmë nga njerëzit.

Pikëpamja e parë

Atë që duhet të ketë të qartë muslimani dhe kërkuesi i së vërtetës është se dënimi i varrit ekziston dhe ajo është e argumentuar me Kuran dhe Sunet dhe për këtë ka pajtim tek Ehli Suneti. Për këtë ka ajete dhe hadithe të shumta, por ne nuk do të zgjerohemi në përmendjen e tyre, por po mjaftohemi me këtë ajet:

“…Ndërsa ithtarët e faraonit i përfshiu dënimi më i keq. Ata i nënshtrohen zjarrit mëngjes e mbrëmje (në varr). Ditën e Kiametit (u thuhet engjëjve): ‘Ithtarët e faraonit futini në dënimin më të rëndë!” (Gafir, 4546)

Gjithashtu, këtu duhet të dimë se dënimi në varr është fshehtësi (gajb) që njeriu nuk mund të perceptojë krejtësisht se si ndodh ajo, pasi mendja e tij është e kufizuar.

Kjo është ajo esenca që duhet të ketë parasysh çdo musliman. Ne nuk kemi nevojë për ndonjë argument tjetër që të bindemi në këtë, por mjaftohemi me këto dy baza (Kurani dhe Suneti).

Pikëpamja e dytë

Në disa libra të cilat flasin rreth dënimit në varr dhe se çfarë përjeton i vdekuri, përveç ajeteve dhe haditheve që përmendin për këtë, gjithashtu disa nga ata tregojnë edhe ngjarje që atyre u kanë ndodhur, pra që personalisht i kanë parë, apo kanë dëgjuar se kanë ndodhur nga njerëzit që i konsiderojnë të përpiktë rreth njerëzve që kanë vdekur dhe janë dënuar në varr.

Nga ata që tregojnë si këto ngjarje është Ibën Kajimi në librin “Rruh”, pastaj Kurtubiu në librin “Tedhkire”, pastaj Ibën Abdulberri gjatë komentimin të haditheve të dënimit në varr nga koleksioni i imam Malikut “Muueta”, pastaj ibën Haxheri në komentimin e Buhariut dhe të tjerë.

Por, ajo që duhet të kuptohet se asnjëri nga ata nuk i përmend ato ngjarje për vërtetimin e ekzistimit të dënimit në varr, për shkak se këto ngjarje nuk janë bazë për të vërtetuar diçka, por që muslimani të marrë mësim dhe të parapërgatitet për të mos u bërë nga ata që do të dënohen. Është e mundur që Allahu i Lartësuar t`ia mundësojë dikujt që të shoh diçka nga dënimi i varrit.

Prandaj, ne themi se ngjarjet e tilla nëse dëgjojmë apo dëshirojmë që t`i përdorim duhet të dimë mirë se si i trajtojmë ato dhe kujt po ia dedikojmë, duke e patur parasysh se njeriu nuk lejohet të gënjejë, edhe nëse ka për qëllim davetin (thirrjen) e njerëzve për shkak se te muslimani qëllimi nuk e arsyeton mjetin; që do të thotë se nuk mjafton muslimani të ketë qëllimin e pastër, por edhe rruga për të arritur te ky qëllim duhet të jetë në përputhje me Islamin.

Pastaj, është me rëndësi që njerëzve (muslimanëve) t’u japim baza të qarta në këtë çështje duke përdorur ajetet dhe hadithet që flasin për këtë. Pastaj, nëse përmendet një ngjarje që e përmend dikush nga selefët apo më vonë, lejohet, por jo që këtë ngjarje ta bëjmë esencë dhe të lidhet ekzistimi apo mosekzistimi i dënimit në varr me këtë ngjarje.

Një nga çështjet me rëndësi këtu është edhe ajo se Profeti ﷺ ka ndaluar të flasim në formë specifike rreth këtyre shenjave te i vdekuri, posaçërisht ai i cili i pastron xhenazet, nëse sheh ndonjë gjë që mund të kuptohet se është shenjë e keqe e dënimit apo mëkateve që i ka bërë ai person në këtë botë, do të thotë se nuk lejohet në këto ngjarje të specifikohet personi (qoftë me emër apo diçka tjetër), pasi kjo nuk është në të mirën e familjes dhe është keq për ta. Por, kjo duhet të bëhet në formë të përgjithësuar dhe që mos të kuptohet saktësish për cilin person është fjala. Kjo është metodologjia e selefëve në raste të tilla.

Kurse, sa i përket videos në fjalë themi se ngjarja që përmendet në të nëse është e vërtetë, atëherë kjo është vetëm një nga ngjarjet e shumta që e tregojnë vërtetësinë e asaj që ka ardhur nga Profeti ﷺ që janë të shumta dhe që arrijnë shkallën e muteuatirit. Nëse është gënjeshtër, themi se ne besojmë pa asnjë dyshimi në atë që ka ardhur në këto hadithe dhe mjaftohemi me to. Muslimani nuk ka nevojë të mbështetet në ngjarje të tilla, përderisa ka argumente të shumta dhe të shëndosha në këtë. Allahu e di më së miri.

Alaudin Abazi