Pyetje: Në vendin e punës ku jam duke punuar kam qenë dëshmitarë i një vjedhjeje që e kishin bërë disa prej kolegëve të punës ndaj kompanisë ku dhe punojmë. A e kam gjynah që nuk po e tregoj të vërteten ende, ngase po kam frikë se kur të tregoj i largojnë ata nga puna dhe mbesin pa punë pastaj?

Ju lutem më jepni një përgjigje ngase ndërgjegjja nuk po më lë rahat!

Përgjigje:

Me Emrin e Allahut, Mëshirëplotit, Mëshiruesit!

Allahu i Lartësuar ka thënë në Kuranin Fisnik: “Ndihmojeni njëri-tjetrin në punë të mira dhe në devotshmëri, e mos përkrahni njëri-tjetrin në gjynahe dhe armiqësi! Frikësojuni Allahut, sepse Ai dënon ashpër.”[1]

Allahu i Lartësuar, po ashtu, thotë: “Ju jeni populli më i mirë i dalë për njerëzimin: (sepse) ju urdhëroni që të bëhen vepra të mira, i ndaloni të këqijat dhe besoni Allahun.”[2]

Pejgamberi (paqja dhe mëshira e Allahut qofshin mbi të!) ka thënë: “Dijeni mirë se: gjaqet, pasuria dhe nderi juaj janë të shenjta sikurse shenjtëria e kësaj dite (Dita e Kurbanit), në këtë vend (Qabe), në këtë muaj (muajin e haxhit DhulHixhe). Ju do ta takoni Zotin tuaj, i Cili do t’ju pyesë për veprat tuaja.”[3]

Pa dyshim se vjedhja është një mëkat i madh. Pejgamberi ﷺe ka mallkuar hajdutin dhe për të ka caktuar ndëshkim me këputje të dorës në këtë botë, nëse plotësohen kushtet e hajdutërisë të përcaktuara nga Pejgamberi ﷺ, e që janë: malli i vjedhur të jetë pronë e huaj dhe të merret fshehurazi, të jetë i ruajtur (kyçur) dhe të ketë arritur nisabin (sasinë e përcaktuar) prej një çerek dinari të asaj kohe. Po ashtu, duhet të jetë e qartë se ndëshkimi për hajdutin bëhet vetëm nga organet kompetente, pas vendimit të gjykatës Islame, e askujt tjetër nuk i lejohet ta bëjë këtë individualisht.

Pastaj, sa i përket përballjes suaj me një vepër kaq të ulët, të cilën e paskeni parë me sytë tuaj dhe për të cilën jeni dëshmitarë, patjetër kjo vepër duhet të raportohet te pronari i kompanisë në të cilën punoni. Nuk është e kërkuar që ju të rrezikoni veten tuaj, por këtë mund ta bëni në mënyra të tjera, duke mos ekspozuar veten. Një gjë duhet ta keni të qartë: nuk na lejohet të tregojmë dhembshuri ndaj atyre të cilët meritojnë ndëshkim për veprat e tyre të shëmtuara. Për këtë arsye, Allahu i Lartësuar, kur ka përmendur në Kuran ndëshkimin që u jepet atyre që bëjnë imoralitet, me shkas e ka përmendur se nuk duhet të na kaplojë dhembshuria në raport me imoralët, nëse jemi prej atyre që e besojmë Allahun dhe Botën Tjetër.

Përpos kësaj, e kemi obligim që të keqen ta ndryshojmë me dorën tonë, e nëse nuk kemi mundësi, atëherë me gjuhën tonë, e nëse as kështu nuk kemi mundësi, atëherë ta urrejmë me zemër, e këtë të fundit Pejgamberi ﷺ e ka quajtur “imani më i dobët”. Pra, në rastin tuaj, ju keni mundësi që këtë vepër ta ndryshoni me gjuhën tuaj, duke e raportuar tek pronari të cilit fshehurazi po i vidhet pasuria e tij personale. Madje, po që se pronari do ta kuptonte se ju keni qenë dëshmitare dhe keni fshehur këtë gjë prej tij, pa dyshim se ti do të llogariteshe si bashkëpunëtore në vjedhje, rrjedhimisht, edhe ti do ta kishe humbur punën në atë kompani.

Në Islam, fshehja e dëshmisë llogaritet gjynah në vetvete. Pejgamberi i Allahut ﷺ, siç transmeton shoku i tij i ndershëm Enesi (Allahu qoftë i kënaqur me të!) i cili thotë: “E pyeta Pejgamberin ﷺ për mëkatet e mëdha, e në atë rast ai tha: “Të bërët shirk Allahut, mosrespektimi i prindërve, vrasja e njeriut dhe dëshmia e rrejshme.”[4]

Prandaj, ju e keni obligim të raportoni këtë vjedhje dhe ta qetësoni zemrën tuaj nga kjo që po ju mundon, ngase sa më e shëndoshë që të jetë zemra, aq më vështirë do ta ketë ta përballojë të keqen që i ndodh para syve, gjë që ka ndodhur edhe me ju. Ndërsa çështja se a do ta humbë punën personi në fjalë apo jo, nuk duhet të ju interesoj. Zaten, një person i këtillë nuk e meriton të punojë përderisa është hajdut. Madje, me vazhdimin e punës në atë kompani, ai do të vazhdojë t’i shkaktojë dëme pronarit dhe kompanisë, e, tërthorazi edhe juve personalisht, dhe kjo gjë do ta trimërojë derisa të bjerë në gjynahe edhe më të mëdha. Mirëpo, nëse ju e raportoni atë te pronari, ndoshta ai do të kujtohet dhe do të pendohet nga një vepër e këtillë.

Allahu e di më së miri!

Paqja dhe mëshira e Allahut qofshin mbi Muhamedin, familjen dhe shokët e tij! 

 

Përgatiti: Hoxhë Hekuran Helshani

Pergjigje.net

[1] Kuran: Maide, 2.

[2] Kuran: Ali Imranë, 110.

[3] Buhariu, 5550.

[4] Buhariu, 2653.