Pyetja:

Nëse një person na sulmon me armë zjarri, a është mëkat për ne vrasja e tij për vetëmbrojtje?

***

Përgjigjja:

Jeta është dhuratë e Zotit të Madhërishëm, të cilën jemi të obliguar të kujdesemi dhe ta ruajmë nga çfarëdo dëmi apo rreziku. Muslimani e ka obligim që ta mbrojë familjen, pasurinë dhe jetën e vet nga çdokush që synon ta dëmtojë atë, duke u përpjekur që ta eliminojë sulmuesin me sa më pak humbje të mundshme.

Pra, nëse ndihemi të rrezikuar nga dikush, atëherë nuk na lejohet që menjëherë të synojmë vrasjen e sulmuesit, por duhet të përdorim të gjitha metodat e mundshme për largimin e rrezikut, si kërkimi i ndihmës nga të tjerët, lajmërimi i organeve të sigurisë, plagosja e sulmuesit, etj..

Mirëpo nëse rreziku nga agresori nuk mund të evitohet ndryshe përveçse me vrasjen e tij, atëherë lejohet vrasja e tij me qëllim vetëmbrojtjeje duke mos pasur kurrfarë barre të përgjegjësisë për vrasjen e tij.

Ebu Hurejra transmeton se erdhi një njeri të Pejgamberi ﷺ dhe i tha: “O i Dërguar i Allahut, në qoftë se dikush dëshiron të më marrë pasurinë, si duhet të veproj?” Pejgamberi ﷺ i tha: “Mos ia jep.” Por nëse ai më lufton (më sulmon)? I tha: “Luftoje edhe ti.” E nëse ai më vret? I tha: “Atëherë ti je dëshmor (shehid).” E nëse unë e vras atë? I tha: ”Atëherë ai është në zjarr.”[1]

Po ashtu Seid bin Zejdi transmeton se Pejgamberi ﷺ ka thënë: “Kush vritet në mbrojtje të pasurisë së tij është dëshmor, kush vritet në mbrojtje të familjes së tij është dëshmor, kush vritet në mbrojtje të fesë së tij është dëshmor, kush vritet në mbrojtje të gjakut të  tij është dëshmor.”[2]

Vlen të ceket se jo çdo pretendim i vrasjes në vetëmbrojtje është i pranuar, por që të klasifikohet një vrasje si vetëmbrojtje duhet të dëshmohet me argumente të pakontestueshme pranë organeve kompetente.

Allahu e di më së miri

Dr. Shefqet Krasniqi

————————————————————

[1] Muslimi, nr. (140) 225.

[2] Ebu Davudi, nr. 4772; Tirmidhiu, nr. 1421, dhe ka thënë: “Hadithi është hasen sahih”.