Pyetja:

Nëse njeriu bën një mëkat ndaj njeriut, a mjafton të kërkohet falje vetëm prej Allahut?

***

Përgjigjja:

Allahu i Lartësuar ua ka mundësuar robërve të Tij që kur gabojnë, të pendohen dhe të kërkojnë falje prej Tij. Allahu i Lartësuar thotë:

“Dhe të gjithë pendohuni tek Allahu o besimtarë, nëse doni të shpëtoni.” (Nur: 31)

I Dërguari i Allahut ﷺ urdhëron dhe thotë: “O ju njerëz! Pendohuni te Zoti dhe kërkoni falje nga Ai, ngase unë gjatë ditës më shumë se shtatëdhjetë herë i kërkoj falje Allahut dhe pendohem tek Ai.” [1]

Çdokush që bën ndonjë mëkat duhet të shpejtojë të kërkojë falje prej Allahut të Lartësuar. Nëse njeriu bën mëkat ndaj Zotit të Madhërishëm, atëherë për t’u pranuar pendimi duhet të plotësojë tre kushte:

1. Të largohet nga mëkati i bërë (nëse ka kryer ndonjë ndalesë, të largohet prej saj, nëse nuk ka kryer ndonjë obligim fetar, të fillojë kryerjen e obligimit).

2. Të ndiejë keqardhje për kryerjen e mëkatit, apo për moskryerjen e obligimit.

3. Të vendosë me bindje të thellë mospërsëritjen e mëkatit.

Mirëpo nëse personi bën ndonjë mëkat duke i bërë padrejtësi ndonjë personi tjetër, atëherë përveç tre kushteve të lartpërmendura shtohet edhe kushti i katërt:

4. Të kërkojë falje prej atij që i ka bërë padrejtësi ose t’ia kompensojë dëmin që i ka shkaktuar.

Muhamedi ﷺ, ka thënë: “Nëse dikush i ka bërë padrejtësi vëllait të vet, le t’i kërkojë falje sot, para se të vijë dita kur nuk do të ketë vlerë dinari e as dërhemi. Nëse ka vepra të mira (në botën tjetër), do t’i merren të mirat në sasinë e peshës së padrejtësisë së tij, nëse nuk ka të mira, atëherë do të ngarkohet me të këqijat e atij që i ka bërë padrejtësi.” [2]

Besimtari duhet të kujdeset që t’i kryejë përgjegjësitë që ka ndaj vëllait të vet dhe nëse i ka shkaktuar ndonjë dëm që mund të kompensohet materialisht, atëherë duhet t’ia kompensojë ose t’i kërkojë falje. Nëse i ka bërë padrejtësi duke e ofenduar në nderin e tij me përgojim, shpifje etj., atëherë duhet t’i kërkojë falje.

E nëse ka frikë se kërkimi i faljes mund t’i shkaktojë probleme edhe më të mëdha, atëherë le t’i lutet Zotit për faljen e mëkateve të tij, le ta përmendë me lëvdata dhe fjalë të mira në tubimet ku më herët e ka përmendur me shpifje e fjalë të këqija. Me fjalë të tjera, sjelljet e mëparshme të këqija ndaj vëllait të vet duhet t’i pastrojë me sjellje e fjalë të mira.

Allahu e di më së miri.

Dr. Shefqet Krasniqi

————————————————————

[1] Muslimi, nr. (2702) 42

[2] Buhariu, nr. 2449