Pyetja:

Cilat janë kriteret apo kushtet e domosdoshme që një hapësirë të konsiderohet xhami?

***

Përgjigjja:

Xhamia është vendi i veçuar për falje të përhershme të namazit farz dhe është dedikuar për këtë qëllim. Sa i përket musalas, kjo është vendi ku falet namaz nganjëherë, si namazi i bajramit, i xhenazes apo tjera pos këtyre, dhe nuk është dedikuar (vakëf) për pesë namazet. Nuk është sunet të falësh tehijatul-mesxhid kur të hysh në musala, kurse kjo është sunet për atë që hyn në xhami dhe do që të ulet, dhe atë e falë para se të ulet, për shkak të fjalëve të Pejgamberit ﷺ: “Kur dikush prej jush të hyjë në xhami, të mos ulet derisa t’i falë dy rekate“.

Komisioni i Përhershëm për Fetva (169/5)

Shejh AbdulAziz bin Abdullah bin Baz,
Shejh Abdullah bin Gudejân,
Shejh Salih Feuzan,
Shejh AbdulAziz el-Shejh,
Shejh Bekr ebu Zejd

Në kuptimin e përgjithshëm, krejt toka është xhami, sepse Pejgamberi ﷺ tha: “Më është bërë e gjithë toka xhami dhe mjet pastrimi“. Sa i përket kuptimit të veçantë, xhami është vendi që është përgatitur për të falur namazin vazhdimisht dhe është dedikuar veçanërisht për këtë, qoftë ajo e ndërtuar me gurë, baltë apo çimento. Sa i përket musalas, ky është vendi ku falet personi, por që nuk e merr si vend për namaz të përhershëm; aty personi mund të falet nganjëherë. Dhe kjo nuk konsiderohet xhami. Dëshmi për këtë është se i Dërguari i Allahut ﷺ e falte namazin nafile në shtëpinë e tij dhe shtëpia e tij s’ishte xhami. Po ashtu, Utban bin Mâlik e ftoi atë ﷺ në shtëpinë e tij për t’u falur në vendin të cilin Utbani do ta përdorte si musala, dhe ky vend nuk ishte xhami. Pra, musala është një vend që përdoret për të falur namaz, pa u dedikuar për xhami publike ku njerëzit do të faleshin dhe dihet që është dedikuar veçanërisht për këtë qëllim”.

(Fetâwa Shejh Ibn Uthejmin [394/12])