Pyetja

Disa autorë, veçanërisht ata që frekuentojnë internetin, kanë krijuar shprehinë e publikimit të lajmeve pakonfirmuara. Kjo gjë, jo rrallë, shkakton shqetësim shpirtëror te muslimanët. Kjo shihet qartë në raste kur bëhen lutje për rënien e ndonjë shteti musliman, apo për vrasjen e ndonjë udhëheqësi të tyre, etj. Të gjitha këto lajme shpërndahen pa vërtetime, pa verifikime dhe pa konfirmime. Madje, në disa raste, shihet që këta autorë shkruajnë në fund të artikullit: “Kështu më ka arritur mua, por unë nuk di nëse është apo jo e vërtetë!”

Çfarë mendoni për këtë sjellje dhe cila do të ishte këshilla juaj?

 

Përgjigja

Falënderimet i takojnë Allahut, ndërsa përshëndetjet qofshin mbi Muhamedin, familjen, shokët dhe pasuesit e tij!

Krizat, pa dyshim, janë rastet më të volitshme për përhapjen e propagandave dhe thashethemeve. Ajo që dihet është se fetarisht kërkohet konfirmimi paraprak i lajmit, siç thotë Allahu në Kuran:

“O ju që keni besuar, nëse ndonjë i pandërgjegjshëm u sjell ndonjë lajm, ju shqyrtojeni mirë, ashtu që të mos e goditni ndonjë popull pa e ditur realitetin, e pastaj të pendoheni për atë që keni bërë.” [1]

Allahu ka tërhequr vërejtjen shumë ashpër atyre që bartin çdo gjë që dëgjojnë. Hafs b. Asimi rrëfen se Pejgamberi, alejhi’s selam, ka thënë:

“Njeriut i mjafton gënjeshtër të flasë çdo gjë që e dëgjon.” [2]

Ebu Hurejre citon të Dërguarin e Allahut të ketë thënë:

“Njeriut i mjafton si mëkat të flasë çdo gjë që e dëgjon.” [3]

Neveviu ka thënë: “Zakonisht, njeriu dëgjon të vërteta dhe të pavërteta, e nëse flet me tërë atë që dëgjon, atëherë ai gënjen, sepse ka thënë atë që nuk ekziston – domethënie kjo e gënjeshtrës. Kjo edhe për faktin se një gënjeshtër nuk kushtëzohet nga paramendimi (thënia e qëllimshme e të pavërtetës).”

Mugire b. Shu’be transmeton se Pejgamberi, alejhi’s selam, ka thënë:

“Allahu i Madhëruar ua ka ndaluar arrogancën dhe kundërshtimin e nënave, varrosjen e vajzave dhe ndalimin (e asaj që keni obligim) e marrjen (e asaj që nuk ju takon), kurse ua ka urryer thashethemet, pyetjet e shumta dhe humbjen e pasurisë.” [4]

Hafidh b. Haxheri, në koment të pjesës “Ua urren thashethemet”, citon Muhib Taberiun të ketë thënë: “Hadithi përmban tri domethënie:

  1. Aludim se të folurit e shumtë urrehet, ngase të shpie në gabim.
  2. Dëshira për të rrëfyer për të tjerët: ‘Tha filani kështu e u tha kështu’. Vërejtja për këtë bëhet që të mos teprohet ose për shkak se ai për të cilin flitet urren të thuhet ajo për të.
  3. Kjo është për rrëfimin e gjërave fetare që nuk kanë mendim të njëjtë dijetarët për to, siç mund ta hasësh: ‘Ka thënë filani kështu e filani ashtu.’ Aspekti i ndalimit vjen nga thënia e shumtë e tyre që, me gjasë, nuk mund të shpëtojë nga gabimet, e në veçanti për atë që transmeton këto pa qenë paraprakisht i bindur se ajo fjalë saktësisht është prej këtij apo atij dijetari, por vetëm pason ata që ka dëgjuar pa pasur kujdes.”

Këtë, shton Ibni Haxheri, e përkrah edhe hadithi autentik:

“Njeriut i mjafton mëkat që të flasë çdo gjë që dëgjon.” [5]

Ebi Kilabe rrëfen se Ibni Mes’udi i kishte thënë Ebu Abdullahut, ose ky i fundit i kishte thënë Ibni Mes’udit: “Çfarë ke dëgjuar Pejgamberin, alejhi’s selam, të thotë për ata që ‘pretendojnë’?” Ai i është përgjigjur:

“Sa transportuese e keqe është ‘Pretenduan’!” [6]

Domethënia e hadithit është: “Sa mjet i keq është ‘pretendimi’ për të të çuar tek qëllimi.” Ai flet për një çështje vetëm nga imitimi e jo nga fakti i verifikuar, kështu që gabon dhe provohet (dëshmohet) se gënjen. Mu për këtë, paraardhësit tanë ishin shumë të kujdesshëm në verifikimin e lajmeve dhe kujdesin nga thashethemet, saqë Omeri, Allahu qoftë i kënaqur me të, pati thënë:

“Keni kujdes nga sprovat, ngase goditja e gjuhës në to është sikurse ajo e shpatës.”

Historia nënvizoi shumë raste të rrezikut të thashethemeve. Ja disa shembuj nga kjo:

  • Kur sahabët migruan në Etiopi, vend ky ku gjetën strehim dhe siguri, u përhap lajmi se gjoja kurejshët e Mekës kishin kaluar në Islam. Si shkak i kësaj propagande të rreme, disa sahabë morën rrugën për t’u kthyer në Mekë, ku, me të arritur, panë se bëhej fjalë vetëm për propaganda. Për pasojë, përjetuan ndëshkime dhe tortura nga më të ndryshmet.
  • Kur në Betejën e Uhudit u vra Mus’ab b. Umejri, u përhap lajmi se u vra Pejgamberi, alejhi’s selam. Ky lajm tronditi ushtrinë myslimane saqë disa ia mbathën drejt e në Medine, kurse të tjerë ikën nga lufta.
  • Thashethemet rreth Aishes, nënës së besimtarëve, të cilat shqetësuan pa masë Pejgamberin, alejhi’s selam.

 

Metodologjia e Duhur përkitazi me Lajmet

 

Ekzistojnë parime, përshkrimin e të cilave do ta bëjmë shkurtimisht:

  1. Maturia. Thotë Pejgamberi, alejhi’s selam: “Maturia është prej Allahut të Madhëruar, kurse ngutia është prej djallit.” [7]
  2. Verifikimi. Allahu thotë: “O ju që keni besuar, nëse ndonjë i pandërgjegjshëm u sjell ndonjë lajm, ju shqyrtojeni mirë, ashtu që të mos e goditni ndonjë popull pa e ditur realitetin, e pastaj të pendoheni për atë që keni bërë.” [8]

Shkaku i zbritjes së këtij ajeti qëndron në atë se kur Pejgamberi, alejhi’s selam, dërgoi Velid b. Ukbe b. Ebi Muitin tek Benu Mustalakët që t’ua merrte sadakanë (zekatin) prej tyre, ata, me të dëgjuar lajmin, u gëzuan shumë dhe dolën ta prisnin. Kur Velidi mori lajmin, mendoi se ata kishin refuzuar, kështu që u kthye nga rruga dhe i tha Pejgamberit, alejhi’s selam, se ata kishin refuzuar dhënien e zekatit. Pejgamberi, alejhi’s selam, u hidhërua shumë saqë mendoi edhe për luftë. Por, duke qenë në këtë gjendje, i erdhi delegacioni i tyre, të cilët thanë: “O i Dërguari i Allahut! Jemi informuar se i dërguari yt është kthyer nga mesi i rrugës dhe ne patëm frikë se mos e ka kthyer ndonjë shkresë e jotja për shkak të ndonjë hidhërimi ndaj nesh. Ne kërkojmë mbrojtje tek Allahu nga hidhërimi i Allahut dhe i të Dërguarit të Tij!” Allahu arsyetimin dhe justifikimin e rastit të tyre e shpalli në ajetin që përmendëm. [9]

Hasan Basriu ka thënë: “Besimtari është i ndaluar (i matur shumë) derisa ta verifikojë (rastin).”

Si këshillë e fundit do të ishte që të mos ngutemi, por më parë të verifikojmë lajmet, madje qofshin edhe të mira ato. Ndryshe, nëse del e kundërta, statuti i tij (transmetuesit) bie shumë poshtë tek njerëzit.

Allahu na dhëntë sukses për atë që Ai do dhe ka dëshirë!


Burimi: http://www.islam-qa.com/ar/ref/14212 Përshtati: Sedat Islami

[1] El Huxhurat, 6.

[2] Muslimi.

[3] Es Silsiletu’s sahihah, 2025.

[4] Buhariu dhe Muslimi.

[5] Muslimi.

[6] Es Silsieltu’s sahihah, 866.

[7] Es Silsiletu’s sahihah, 1795.

[8] El Huxhurat, 6.

[9] Es Slsiletu’s sahihah, 3085.