Pyetja:

Jam një musliman i rregullt me namaz dhe e përkujtoj Allahun. Para rreth një muaj e gjysmë që namazin e kam lënë pas dore sepse kam pasur probleme shëndetësore (me tensionin). I kam bërë analizat dhe mjekët më kanë thënë se s’ka asgjë, je shumë mirë, e ke të moshës (18), por unë kur falem apo përqendrohem e kam të vështirë të qëndroj në këmbë sidomos pasi çohem nga sexhdja dhe kam një ndjenjë mosqetësie, por kjo gjendje nuk është vetëm gjatë faljes. Kam menduar se mund të jetë ndonjë mësysh dhe lexoj Kuranin si dhe disa lutje që thuhen në mëngjes. Doja të dija që nëse kjo gjendje vazhdon, të konsultohem me ndonjë imam apo njeri të dijshëm apo të lexoj sa më shumë Kuran. Edhe një shqetësim që kam është se si mund t’i zëvendësoj këto namaze që lë pa falur gjatë ditës.

***

Përgjigjja:

Falënderimet i takojnë Allahut, paqja dhe bekimet e Tij qofshin mbi të Dërguarin e Tij Muhamed ﷺ, mbi familjen e tij, mbi shokët e tij dhe mbi të gjithë ata që ndjekin rrugën e tij deri në Ditën e Gjykimit.

Fillimisht lus Allahun e Lartësuar t’ju shërojë sa më shpejt dhe t’i ktheheni jetës normale. Pastaj, nëse gjendja juaj vazhdon kështu, ju këshillojmë që të konsultoheni edhe me ndonjë hoxhë i cili merret me rukje.

Ndërsa në lidhje me vështirësitë me të cilat ballafaqoheni gjatë namazit, ju themi se nuk është e drejtë ta lini namazin për shkaqe të sëmundjes derisa jeni në gjendje të vetëdijshme. Gjatë sëmundjes keni lehtësime të shumta se si të faleni’ nëse nuk arrini të rrini në këmbë, mund të faleni ulur, nëse edhe ulur nuk mundeni, atëherë shtrirë, nëse nuk jeni në gjendje të përuleni dhe të bëni sexhde si është e paraparë për shkak të vështirësive, atëherë mund të mos e bëni të plotë atë.

Pastaj edhe nëse nuk arrini të merrni abdes, mund të faleni me tejemum dhe kështu me radhë. Prandaj ju këshillojmë që t’i mos i lini namazet vetëm pse nuk arrini ta realizoni namazin e plotë, por faluni ashtu si arrini.

Allahu e di më së miri!

Alaudin Abazi