Pyetja:

A është e vërtetë se Allahu e zbriti Ademin (paqja qoftë mbi të!) në tokë që ta shlyen mëkatin e tij me të cilën kishte kundërshtuar Allahun, që është ngrënia e pemës? Në atë kuptim që mos të kishte bërë mëkat Ademi (paqja qoftë mbi të!) i gjithë njerëzimi do të qëndronte në xhenet. Si të kuptohet mes kësaj dhe fjalës së Allahut: “Dhe nuk i krijoi xhinët dhe njerëzit për asgjë tjetër pos që të më adhurojnë.” (Dharijat: 56)? Adhurimi mund që edhe në xhenet të zbatohet. Andaj, pse Allahu e dërgoi Ademin (paqja qoftë mbi të!) në tokë? Nëse është zbritja e tij në tokë që ta shlyen mëkatin e bërë, atëherë pse pasardhësit gjithashtu ta shlyejnë mëkatin e tij?

***

Përgjigjja:

Falënderimi i takon Allahut. Paqja dhe bekimet e Allahut qofshin mbi Pejgamberin ﷺ.

Rregulli hyjnor nga i cili nuk ka përjashtim, bile është prej rregullave të drejta hyjnore gjithëpërfshirëse, nga i cili nuk përjashtohet asnjë prej shpalljeve dhe nuk ndryshojnë fetë për të. Sipas shprehjes së dijetarit Muhamed Rashid Rida është: “Prej shtyllave kryesore të përmirësimit në mesin e njerëzimit, individëve dhe grupeve, sepse ai është shkatërrues i  idhujtarisë, udhëzues i njerëzimit deri ku arrihet lumturia e tyre e kësaj bote dhe botës tjetër.” [1]

Ky rregull është ai që përmendet në fjalën e Allahut: “dhe dëmi i secilit person është kundër vetes. Askush nuk do ta bartë barrën e tjetrit. Mandej, kthimi juaj është te Zoti juaj; e Ai ju njofton për atë që përçaheshit.” (En’am, 164)

Fjala e Allahut: “Kush e udhëzon veten në rrugën e drejtë, ai e ka udhëzuar vetëm vetveten e vet, e kush e humbë (rrugën), ai e ka bërë humbjen kundër vetvetes së vet, e askush nuk do ta bartë barrën e tjetrit. E Ne nuk dënuam askë para se t’ia dërgojmë të dërguarin.” (Isra, 15)

Fjala e Allahut: “Dhe asnjë mëkatar nuk do ta bartë mëkatin e tjetrit, po edhe nëse mëkatari thërret ndonjë për t’ia bartur atë, ajo nuk do t’i bartet atij, edhe nëse (ai që thërret) është i afërt i tij.” (Fatir, 18)

Dhe gjithashtu fjala e Allahut: “Apo nuk është informuar me atë që është në fletushkat e Musait. Dhe të Ibrahimit, që gjithnjë i plotësoi obligimet. (Që në to shkruan) Se askush nuk e bartë barrën e (mëkatit) tjetrit. Dhe se njeriut nuk i takon tjetër vetëm se ajo që ka punuar. Dhe se mundi i tij më vonë (ditën e gjykimit) do të shihet. Pastaj ai shpërblehet me shpërblimin më të plotë.” (Nexhm, 3641)

Ajo që duhet besuar në tregimin e Ademit (paqja qoftë mbi të!) dhe pasardhësve të tij, daljes nga xheneti, është se Ademi (paqja qoftë mbi të!) zbriti prej xhenetit në mënyrë për ta shlyer mëkatin në të cilin kishte rënë, nga i cili mëkat Allahu ia ka tërheq vërejtjen, siç thotë Allahu: “E Ne i thamë: “O Adem, ky është armik yti dhe i bashkëshortes tënde, pra mos t’ju nxjerrë kurrsesi nga xhenneti, e t’ju vë në vështirësi (për të siguruar mjetet e jetesës).” Ti aty (në xhennet) nuk ke për të qenë i uritur e as nuk ke për të mbetur i zhveshur. Aty nuk ke për të pasur etje e as nuk do të keshë vapë. Por, atë e ngacmoi djalli duke i thënë: “O Adem, a do të të tregoj për pemën e pavdekshmërisë dhe të sundimit të pazhdukshëm!” Ata të dy hëngrën nga ajo (pemë) dhe që të dy u zhveshën, e ia nisën ta mbulojnë veten e tyre me gjethe që i mblidhnin nëpër xhennet, dhe kështu Ademi theu urdhrin e Zotit të vet dhe gaboi. Mandej Zoti i vet e bëri atë të zgjedhur, ia pranoi pendimin dhe e vuri në rrugën e drejtë (të vendosur). Ai (Allahu) u tha: “Zbritni prej aty që të gjithë, do të jeni armiq të njëri-tjetrit. Nëse u vjen nga Unë udhëzim (libër e pejgamber) kush i përmbahet udhëzimit Tim, ai nuk ka për të humbur (në Dynja) e as nuk ka për të dështuar (në jetën tjetër).” E kush ia kthen shpinën udhëzimit Tim, do të ketë jetë të vështirë dhe në ditën e kijametit do ta ringjall të verbër.” (Taha, 117124)

Si ka mundësi që të dënohen pasardhësit që nga koha e Ademit, alejhi selam, e deri në ditën e Kiametit për shkak të një mëkati nga i cili është penduar vepruesi i saj, dhe Allahu ia ka falur dhe është mbyllë regjistri i tij, Allahu i Lartësuar është më i mëshirshëm se t’i ndëshkon të gjithë njerëzit për shkak se babai i tyre ka ngrënë prej pemës.

Nëse meditojmë do të hasim se Allahu, subhanehu ve teala, e krijoi Ademin që ta adhuron Allahun në tokë, e që të jetë zëvendës, Allahu thotë: “Kur Zoti yt u tha engjëjve: “Unë po krijoj (po përcaktoj) në tokë një zëvendës!” Ata thanë: “A do të vëshë në te atë që bënë çrregullime dhe që derdh gjaqet, e ne të madhërojmë Ty me lavdërimin Tënd dhe plotësisht të adhurojmë!” Ai tha: “Unë di atë që ju nuk e dini!”. (Bekare, 30)

Ndërsa ajo që i ndodhi në xhenet ishte sprovë dhe testim për të që të jetë shembull për ata që vijnë më pas deri në ditën e Kiametit, e nuk është dënim i pasardhësve për një mëkat të mëhershëm.

Pastaj, dënimi përfshin njërën prej dy gjërave; ose të dënohet ose të pengohet nga një mirësi që i është dhënë. E që të dyja nuk kanë të bëjnë më rastin e Ademit, sepse jeta në tokë nuk është dënim për atë, bile është mirësi dhe lumturi nëse është në adhurim ndaj Allahut, sipas kënaqësisë së Tij dhe për të ngritur sheriatin e Tij. Por, ky është caktimi për ta, që të jetojnë në tokën e sprovave, të meritojnë hyrjen në xhenet me mëshirën e Allahut ndaj tyre, pastaj duke kaluar provimin e ngarkimit me të cilin është veçuar njeriu dhe xhinët nga gjithë krijesat tjera.

Shiko se si ka ardhur shprehja kuranore: “sikurse i nxori prindërit tuaj nga xheneti”. E nuk ka thënë: Sikurse ju nxori juve nga xheneti. Dhe atë në ajetin tjetër: “O bijtë e Ademit, të mos ju mashtrojë kurrsesi shejtani sikurse i nxori prindërit tuaj nga xheneti, zhveshi prej tyre petkun e tyre që t’ju dalë në shesh lakuriqësia e tyre. Vërtet ai dhe shoqëria e tij ju sheh, ndërsa ju nuk i shihni. Ne i kemi bërë shejtanët miq të atyre që nuk besojnë”. (Araf, 27). Pra, dalja (nga xheneti) në formë dënimi i ka ndodhur babait tonë Ademit dhe nënës Hava, ndërsa pasardhësit e tyre në fakt as që kanë qenë prezent në atë kohë, e nuk janë nxjerrë nga xheneti realisht, mirëpo jeta e tyre ka qenë në tokë ashtu siç jetuan ata dy, e gjithë kjo ka qenë nga urtësia e Allahut në krijim dhe qeverisje të mëhershme të tyre dhe për atë caktim dhe rregullim të çështjes i ka përgatitur shkaqe, ashtu siç thotë Sefer Havali: “Vendi i mëkëmbjes në fakt është toka, aty do të jetë sprovimi, e kjo nuk është mallkim në vete, por është një urtësi e madhe.”

Thënia e pyetësit në fillim se; po të mos kishte bërë mëkat Ademi ndaj Zotit, njerëzimi do të qëndronte tani në xhenet, është thënie jo e shëndoshë dhe jo e vërtetë, se Allahu, aze ve xhele, krijoi njeriun që ta adhuron Atë me vullnetin e tij të lirë, dhe i lajmëroi melaqet se Ai do të krijon mëkëmbës në tokë, që do të dallon në krijim dhe formë nga melaqet, pra mëkëmbësia në tokë është një gjë e caktuar para krijimit të Ademit, alejhi selam, dhe para se ai të ngrënë nga pema.

Dijetarët e islamit janë zgjeruar në përgënjeshtrimin e këtij dyshimi, që ishte një prej bazave të ndërtimit të krishterimit në besimin e sakrificës dhe kryqëzimit, ata rreth kësaj kanë fjalë të shumta në forma të ndryshme të kësaj teme, do t’i bartim disa që e vërtetojnë këtë që thamë.

Shejhulislam ibn Tejmije, ka thënë: “Allahu nuk e vendon mëkatin si mëkat për atë që nuk e ka vepruar atë, se ai është që thotë: “Dhe asnjë mëkatar nuk do ta bartë mëkatin e tjetrit”, është e pamundshme që të vendoset mëkati i Ademit, alejhi selam mbi Muhamedin ﷺ, apo metit të tij, apo dikujt tjetër. Allahu thotë: “atëherë atij i takon përgjegjësia me çka është i ngarkuar ndërsa juve përgjegjësia me çka jeni të ngarkuar” dhe thotë: “Lufto në rrugën e Allahut! Nuk obligohet kush pos teje”, po të ishte një gjë e tillë e lejuar do të lejohej që të vendosen mbi Muhamedin ﷺ, mëkatet e të gjithë pejgamberëve.”[2]

Po ashtu ai thotë: “Është e ditur se Ibrahimi kishte babanë jobesimtar, dhe Allahu nuk e ka ndëshkuar atë për mëkatin e babait të tij, e si ta ndëshkon për mëkatin e Ademit që është babai i tij më i largët, dhe kjo nëse thuhet se Ademi, alejhi selam, nuk është penduar, e si kur Allahu na ka treguar për pendimin e tij? Pastaj pretendojnë se kryqëzimi që është prej mëkateve dhe gabimeve më të mëdha: se me të Allahu ka shpëtuar Ademin dhe pasardhësit e tij prej xhehenemit dhe me të dënoi Iblisin, edhe pse Iblisi ende vazhdon të jetë mëkatar ndaj Allahut meditues i dënimit, që prej kur nuk i bëri sexhde Ademit dhe i bëri aij cytje deri në kohën kur të dërgohet Mesihu, Zoti është i plotfuqishëm që ta dënon atë, dhe për bijtë e Ademit nuk ka dënim për një mëkat të babait të tyre.”

Kush i ka thëniet e tija të ngjashme me këto besime të kota, që janë të qeshura për të mençurit, që nuk meritojnë të atribuohen për një mbret më injorant dhe më tiran, e si megjithëkëtë thërrasin se ata e përshkruajnë Allahun me cilësinë e drejtësisë…” [3]

Përktheu: Shpend Zeneli

Islamqa.info

———————–

[1] Siç është përmendur në tefsirin “El Menar” 8/217.

[2] Përfundoi thënia nga libri “Mexhmu’u Fetava” 10/314.

[3] Përfundoi nga libri “El xhevabu Es Sahih” 2/107-108.