Pyetja:

Nëse ke ujë për abdes dhe je xhunub, por nuk ke mundësi të pastrosh të gjithë trupin. A është më mirë të marrim abdes apo të marrim tejemum?

***

Përgjigjja:

Falënderimet i takojnë Allahut, paqja dhe bekimet e Tij qofshin mbi të Dërguarin e Tij, Muhamedin ﷺ, mbi familjen, shokët dhe të gjithë ata që ndjekin rrugën e tij deri në Ditën e Gjykimit.

Nëse muslimani i papastër nuk ka ujë të mjaftuar për t’u pastruar dhe nuk ka mundësi të gjejë, atëherë çfarë duhet të veproj?

Në këtë çështje ka mospajtim te fukahatë, ne do t’i përmendim këto mendime duke mos u zgjeruar:

Mendimi i parë: Ai është i detyruar që me ujin që e posedon të laj aq pjesë të trupit që ka mundësi (p.sh. duart, fytyrën, kokën…) dhe kur të përfundojë uji për pjesët tjera të merr tejemum. Pra ata thonë të bashkohet ndërmjet gusulit dhe tejemumit.

Mendimi i dytë: Thonë se nuk ka bashkim ndërmjet dy formave, pasi ne obligohemi me gusul, nëse kjo është e mundur, nëse jo atëherë bie gusuli dhe vendin e tij e zë tejemumi.

Mendimi më i saktë është mendimi i dytë, pasi thënia se duhet të bashkojmë ndërmjet gusulit dhe tejemumit ka nevojë për argument, prandaj themi se ai i cili nuk ka ujë të mjaftuar për tu pastruar, merr tejemum dhe me këtë ai konsiderohet i pastër dhe ka abdes, prandaj i lejohet të falet dhe t’i kryej të gjitha ibadetet, deri sa të gjejë ujë të mjaftuar. Nëse ndodh që pas tejemumit ta prish abdestin, atëherë ai merr abdest me ujin që e posedon. Kur të gjejë ujë të mjaftuar, atëherë ai pastrohet.

Pasi kuptuam këtë tani duhet të bëjmë një vërejtje të nevojshme këtu, ajo është se sa duhet të jetë sasia e ujit që konsiderohet e mjaftuar për të marrur gusul.
Ajo që është e obliguar gjatë gusulit është përfshirja e tërë trupit me ujë së bashku me gojën dhe hundën. Dhe nuk është obligim fërkimi (me ujë) i trupit. Prandaj nuk është e nevojshme edhe aq shumë ujë për ta bërë këtë. Transmetohet se Pejgamberi ﷺ merrte abdes me një mud, kurse merrte gusul me një saë.

El Mud; sasia e saj është sa dy grushta të mbushur me ujë.

Es Sa`ë është sa katër mud, që do të thotë sa katër herë të mbushur dy grushta ujë. Kjo është sasia e mjaftuar që obligohemi të pastrohemi nëse e posedojmë ne.
E bëmë këtë vërejtje për shkak se shumë nga muslimanët nuk e kanë parasysh këtë dhe bëjnë harxhimin e tepër të ujit gjatë pastrimit.

Alaudin Abazi