Pyetja:
Haxhi i pranuar a i shlyen mëkatet e mëdha? Dhe kur konsiderohet tregtia e lejuar (lejohet bërja tregti) në haxh?
***
Përgjigjja:
Së pari: Saktëtohet në dy “Koleksionet e haditheve autentike” prej hadithit të Ebu Hurejres (Allahu qoftë i kënaqur me të!), se ka thënë: E kam dëgjuar të Dërguarin e Allahut ﷺ të thotë: “Kush kryen haxhin dhe nuk flet fjalë të pahijshme e nuk vepron vepra të turpshme, do të kthehet (nga haxhi) si ditën që e ka lindur nëna e tij.” [1]
Ai ﷺ ka thënë: “Umra nga umra janë fshirje për mëkatet që bëhen midis tyre, ndërsa haxhi i pranuar nuk ka shpërblim tjetër për të veç xhenetit.” [2]
Haxhi dhe veprat e tjera të mira janë prej shkaqeve të fshirjeve të të këqijave nëse personi e kryen atë në formën legjitime.
Ndërsa për mëkatet e mëdha duhet patjetër pendimi. Bazuar në hadithi që gjendet në “Koleksionin e haditheve autentike” nga Ebu Hurejra (Allahu qoftë i kënaqur me të!): Nga Profeti ﷺ se ka thënë: “Pesë kohët e namazit, xhumaja deri në xhuma, Ramazani deri në Ramazan i shlyejnë mëkatet e vogla që bëhen në ndërmjet tyre nëse iu largohesh mëkateve të mëdha.” [3]
Imam El-Mundhiri dhe një grup nga dijetarët janë të mendimit se haxhi i pranuar i shlyen të gjitha mëkatet. Bazuar në kontekstin e dy haditheve të përmendura më sipër.
Së dyti: Lejohet tregtia gjatë sezoneve të haxhit. Ka nxjerr Et-Taberiju në tefsirin e tij me zinxhirin e tij nga Ibën Abasi (Allahu qoftë i kënaqur me të!), në lidhje me fjalën e Allahut të Lartësuar: “Ju nuk keni asnjë gjynah nëse kërkoni ndonjë të mirë nga Zoti juaj” ka thënë: Nuk keni gjynah që të bëni tregti para dhe pas ihramit për haxh.
Allahu është dhuruesi i suksesit!
Paqja dhe bekimet e Allahut qofshin për Profetin tonë Muhamedin ﷺ, për familjen dhe shokët e tij.
Komisioni i Përhershëm për kërkime shkencore dhe fetva
Kryetar: Abdulaziz Ibn Baz
Zv/kryetar: Abdurrazak Afifi
Anëtar: Abdullah bin Gudejan
Përktheu: Unejs Sheme
—————————–
[1] Buhariu dhe Muslimi
[2] Buhariu (1773) dhe Muslimi (1349)
[3] Muslimi