Pyetja:

Shpresoj të më sqaroni kuptimin e disa ajeteve si psh: (Ha mim, Elif lam mim, Elif lam mim sad, Ajn sin kaf). Si dhe a lexohet “ajni” si e tillë, sepse disa mësues thonë se ashtu lexohet? Si dhe a është kjo prej mrekullisë me anë të cilës Allahu dëshiron t’i sfidojë gjuhëtarët e Kurejshëve? Apo të themi se nuk e di kuptimin e tyre askush veç Allahut?

***

Përgjigjja:

Në lidhje me këtë ka disa mendime nga dijetarët. Mendimi më i saktë është se këto gërma që përmenden në fillimin e disa sureve, janë përmendur si pjesë e mrekullisë së Kuranit (Allahu e di më së miri), për të treguar se krijesat nuk munden që të sjellin një të ngjashëm si ky (Kuran) megjithëse ky Libër përbëhet nga këto gërma me të cilat ata i përdorin në jetën e përditshme me njëri-tjetrin. Këtë mendim e ka konsideruar të saktë edhe dijetari i Islamit Ibn Tejmije (Allahu e mëshiroftë), gjithashtu e ka pëlqyer si mendim edhe Ebu Haxhaxh el Mizi (Allahu e mëshiroftë).

Suksesi vjen vetëm prej Allahut, paqja dhe nderimet e Allahut qofshin mbi Pejgamberin tonë Muhamed, familjen e tij dhe shokët e tij.

Komisioni i përhershëm i fetvave:
Abdulaziz ibn Baz
Abdullah ibn Gudejan
Abdurrazak Afifi

Përktheu: Ylli Rama