Pyetja:
Nuk ka dyshim se kur Kurani këndohet nga dikush që ka zë të bukur ai ndikon në zemrën e muslimanit. Profeti ﷺ u ndikua nga këndimi i Kuranit nga të tjerët. Por kjo nuk do të thotë se ai që ndikon tek muslimani është zëri (i bukur), ai që ndikon është Kurani që këndohet me atë zë. Sepse disa njerëz mund të kenë problem në kuptimin e kësaj çështjeje dhe thonë: Nëse njeriu ndikohet nga Kurani, përse nuk ndikohemi prej tij kur e këndon filani, zëri i të cilit është pak më i dobët (në bukuri) se zëri i këtij tjetrit? Ndikimi vjen nga zëri apo nga Kurani?
***
Përgjigjja:
Ndikimi vjen prej Kuranit të kënduar me zë të bukur. Argument për këtë është se: nëse po ky njeri që ka zë të bukur këndon diçka tjetër veç Kuranit, nuk do të kishte ndikim, ashtu siç ndikon kur lexon Kuran. Për këtë arsye ka ardhur urdhri për zbukurimin e zërit (në disa hadithe). “Zbukurojeni Kuranin me zërat tuaj” (Bëjeni atë më të bukur duke e kënduar bukur)
“Nuk është prej nesh ai që nuk e zbukuron zërin e tij gjatë këndimit të Kuranit” etj.
Prandaj ndikimi vjen prej Kuranit të kënduar me zë të bukur.”
Shejh Abdulkerim ibn Abdullah el Hudajri, anëtar i ‘Këshillit të Dijetarëve të Mëdhenj’, dhe i ‘Komisionit të Përhershëm të Fetvave’.
Përktheu: Emin Bilali