Pyetja:

Jetojmë në vendet Islame, por akoma nuk e kemi shijuar shijen e besimit. Njerëzit e mirë që na përkujtojnë Allahun, janë të pakët, ndaj na këshilloni.

***

Përgjigjja:

Lavdatat i takojnë vetëm Allahut.

Së pari: Duhet të lexosh sa më shumë Kuran, si dhe ta dëgjosh leximin e tij sa më shumë, duke medituar në kuptimin e fjalëve që lexon apo i dëgjon sa të kesh mundësi. E nëse ka diçka që nuk e kupton, atëherë pyet njerëzit e dijes në vendin tënd, ose shkruaju njerëzve të dijes prej dijetarëve të Sunetit.

Ajo që të ndihmon në meditimin e asaj që lexon, është leximi i shpjegimit të Kuranit. E prej shpjegimeve më të shkurtura e më të dobishme është Tefsiri i shejh Sa’dij-t. (I përkthyer edhe në shqip).

Së dyti: Duhet të përmendësh Allahun sa më shpesh, dhikret që janë transmetuar në hadithet e sakta si fjala “La ilahe il-la Allah (Nuk e meriton adhurimin askush me të drejtë veç Allahut)”, apo “SubhanaAllah (I Lartësuar dhe pa të meta është Allahu)”, apo “SubhanaAllah, el-hamdulilah, La ilahe il-la Allah, Allahu Ekber (I Lartësuar dhe pa të meta është Allahu, Ladatat i takojnë vetëm Allahut, Nuk e meriton adhurimin askush me të drejtë veç Allahut, Allahu është më i madhi)” apo lutje të ngjashme me këto. Për këtë mund të lexosh tek libri i imam Neveviut “El-Edhkar” apo të ngjashme me të.

Sepse me përmendjen e Allahut njeriut i shtohet besimi dhe i qetësohet zemra, Allahu i Lartësuar ka thënë: “Me të vërtetë me përmendjen e Allahut qetësohen zemrat (Rad: 28)

Mundohu të tregohesh i kujdesshëm në namaz, agjërim dhe shtyllat e tjera të Islamit, duke shpresuar në mëshirën e Allahut dhe duke iu mbështetur atij në të gjithë çështjet e tua. Allahu i Lartësuiar thotë: “Besimtarë të vërtetë janë vetëm ata, zemrat e të cilëve, kur përmendet Allahu, fërgëllojnë dhe, kur u lexohen shpalljet e Tij, u forcohet besimi dhe vetëm te Zoti i tyre mbështeten, ata që falin namazin dhe japin prej  asaj që Ne ua kemi dhënë. Njëmend, ata janë besimtarë të vërtetë. Ata do të kenë shkallë përnderimi te Zoti i tyre, falje dhe furnizim bujar (në Xhenet).” (Enfal: 24)

Dije se besimi shtohet me bindje ndaj Allahut dhe pakësohet me mosbindjen ndaj Tij, ndaj kujdesu për obligimet që Allahu ka obliguar, Kryerjen e namazit në kohë me xhemat dhe në xhami, dhënien e zekatit me çiltërsi dhe zemër të qetë, sepse është pastrim për ty nga gjynahet dhe mëshirë për të varfërit dhe nejvotarët.

Mundohu që të rrish me njerëzit e mirë e të devotshëm, në mënyrë që të jenë ndihmë për ty në zbatimin e rregullave fetare, si dhe të të oreintojnë në atë çka fiton lumturinë e dynjasë dhe Ahiretit.

Largohu nga pasuesit e bidateve dhe të gjynaheve, në mënyrë që mos të sprovohesh edhe ti, e të dobësojnë vullnetin tënd në veprat e mira.

Mundohu ti shtosh sa më shumë adhurimet vullnetare dhe kthehu tek Allahu dhe kërkoji Atij suksesin.

Nëse i vepron këto gjëra, atëherë Allahu do ta shtojë besimin, do të arrish atë që ke humbur prej të mirave, do ti shtojë mirësitë dhe qëndrueshmërinë në Islamin e saktë.

Komisioni i Përhershëm i Fetvave: 3/187

Përktheu: Ylli Rama