Pyetja:
A lejohet ta emërtoj djalin me emrin Mikail (emër engjëlli)?
***
Përgjigjja:
Njeriu duhet të zgjedhë emrat më të bukur për djalin apo vajzën e tij. Emrat më të dashur tek Allahu janë Abdullah dhe Abdurrahman si dhe çdo emër që i shtohet (shoqërohet) emrave të Allahut si Abdullah (rob i Allahut), Abdurrahman (rob i Mëshiruesit), Abdurrahim (rob i Mëshirbërësit), Abdulaziz (rob i Ngjadhënjyesit), Abdulvehab (rob i Dhuruesit), Abdulkerim (rob i Zotit Bujar) e të tjerë si shembulli i tyre.
“Mendimi i shumicës së dijetarëve është se lejohet emërtimi me emrat e melaikeve (engjëjve) si Xhibrili dhe Mikaili.” [1]
Imam Maliku përkrah mendimin se është i urryer emërtimi me emrat e melaikeve (engjëjve). Esh-hebi ka thënë: ”Është pyetur Maliku për emërtimin me emrin Xhibril dhe ai e urreu diçka të tillë dhe nuk e pëlqeu.”
Shejh Ibn Uthejmin ka thënë: ”Nëse ndonjëri dëshiron ta emërtojë (fëmijën) me një emër prej emrave të melaikeve, i themi mos e emërto. P.sh., Xhibril, Mikail apo Israfil.” [2]
Ndërsa Shejh Bekër Ebu Zejd ka thënë: ”Ndalohet emërtimi i vajzës me emrat e melaikeve, sepse kjo është përngjasim i fjalës së idhujtarëve, të cilët i konsideruan melaiket si bijat e Zotit. I pastër dhe i lartësuar është nga kjo mangësi. I afërt me këtë gjykim është dhe emërtimi i vajzave me emrat Melak, Meleketu dhe Melek.” [3]
Përktheu: Arjan Gazidede
————————-
[1] Fetvatë e takimit mujor 2/171
[2] Lika el Bab el Meftuh (14/67)
[3] Mu’xhem menahi el-lafdhije (fq 565)