Pyetja:

A përsëritet ikameti kur zgjatet intervali kohor mes ikametit dhe namazit?

***

Përgjigjja:

Ebu Hurejra (Allahu qoftë i kënaqur me të!), tregon: “Njëherë u bë ikameti për namaz dhe njerëzit rregulluan rreshtat. Profeti ﷺ, doli përpara (për të prirë në namaz) duke qenë xhunub. Pasi që u kujtua tha: Qëndroni në vend! Ai shkoi, mori gusl dhe doli, ndërkohë që koka e tij ishte duke pikuar ujë, pastaj u fal me ta.” [1]

Hafiz Ibn Haxher El-Askalanij thotë: Prej dobive të këtij hadithi është se lejohet të ndërpresësh mes ikametit dhe namazit, sepse fjala e tij (pastaj u fal me ta) është e qartë se ikameti nuk është përsëritur.

Ndërprerja mes ikametit dhe namazit lejohet në rast arsyeje dhe për këtë ka edhe hadithe të tjera:

Është pyetur Thabit El-Bunanij për burrin që flet pasi bëhet ikamet për namaz dhe ai ka pohuar se Enes bin Malik i ka thënë: “Është bërë ikamet dhe Profetit ﷺ i doli një burrë dhe ai u mor me të pasi që u bë ikamet.” [2]

Gjithashtu transmetohet nga Enesi (Allahu qoftë i kënaqur me të!), se ka thënë: “Është bërë ikamet dhe profeti ﷺ ishte duke biseduar me një burrë në një anë të xhamisë dhe nuk u ngrit për në namaz derisa fjetën njerëzit.” [3]

Shkroi: dr. Abdullah Nebolli

———————————

[1] Buhariu

[2] Buhariu

[3] Buhariu