Pyetja:

A mund të quhet Jehudizmi dhe Krishterimi si fe qiellore?

***

Përgjigja:

Shejh Muhamed bin Ibrahim Ali Shejh, shkruan:

Është diçka e mirënjohur se parimi i parë i komunizmit është mohimi i ekzistencës së Krijuesit dhe mos njohja e feve qiellore, përpjekja e tyre për zhdukjen e fesë islame dhe shmangien e muslimanëve nga feja e tyre, pra ata (komunistët) nuk i referohen asnjë libri (fetar).

Shejh Ibn Uthejmini shkruan:

O ju njerëz kini frikë Allahun dhe falënderoni Zotin tuaj për mirësinë e islamit  që u ka dhuruar, e cila është feja më e mirë nga të gjitha fetë qiellore dhe më e drejta.

Pohimi i ringjalljes është diçka e mirënjohur nga të gjithë Profetët, në librat fetarë dhe sheriatet qiellore, gjë kjo e pranuar nga popujt e tyre.

Kurse argument nga unanimiteti kemi unanimitetin e muslimanëve dhe të gjithë fetarët e feve qiellore, të cilët pohojnë Ditën e Gjykimit, ndaj kush e mohon atë ose dyshon në të, konsiderohet kafir.

Po, lejohet të themi fe qiellore, sepse ekzistojnë dhe fe tokësore, kjo sepse fe do të thotë ajo çfarë njeriu beson kundrejt atij që konsideron Zot, qoftë muslimanët në raport me sheriatin e Allahut apo njerëzit e tjerë në raport me sheriatet e tyre të shpikura. Siç dihet ka njerëz që besojnë në gjëra jo të drejta fetarisht si p.sh ata që i bëjnë sexhde lopës apo statujave, gjë të cilën Allahu nuk e ka ligjëruar në asnjë libër të mëparshëm dhe as tek ndonjë profet. Pra, në këtë aspekt ky lloj besimi që ata kanë nuk bën pjesë në sheriatin e Allahut, ndaj nuk është qiellore, sepse fetë qiellore janë ato që i ka ligjëruar Allahu, duke i zbritur nga qielli. Mirëpo duhet që ta ketë të qartë pyetësi dhe çdokush tjetër se të gjitha fetë qiellore të mëparshme janë të anuluara me fenë islame dhe se në kohën tonë nuk lejohet që të adhurohet Allahu sipas atyre feve të mëparshme. Kjo për faktin e thjeshtë se Ai që i ligjëroi në ato kohë është po Ai që i anuloi me fenë e Muhamedit salallahu alejhi ue selem. Ashtu siç të krishterët pohojnë se feja e tyre ka anuluar shumë çështje nga feja e Musait salallahu alejhi ue selem dhe se pasuesit e Musait duhet të pasonin Isain salallahu alejhi ue selem, po të njëjtën gjë themi ne, se feja islame është e obligueshme për tu pasuar nga të krishterët dhe të gjithë popujt e tjerë, sepse ajo që merret në konsideratë është feja e fundit e zbritur. Allahu na tregon se Isai ﷺ i tha popullit të tij:

O beni Israilë unë jam i Dërguari i  Allahut tek ju, vërtetues i Teuratit që ishte para meje dhe përgëzues për ardhjen e një të dërguari pas meje, i cili quhet Ahmed.” (Saf: 6)

Ky përgëzim që Isai bënte për ardhjen e Muhamedit ﷺ tregon se Beni Israilët, qofshin ata jehudë apo të krishterë apo dhe popujt e tjerë, e kishin detyrë që ta pasonin, sepse nëse dërgesa e Muhamdit nuk do ishte gjithëpërfshirëse, atëherë përgëzimi i tyre nga Isai do ishte i padobishëm, pra n.q.s ata nuk kishin asnjë lloj përfitimi nga kjo dërgesë, atëherë përgëzimi i tyre ishte absolutisht pa vend.

E rëndësishme në këtë temë është se unë them që si pyetësi ashtu dhe të tjerët duhet ta dinë se ne kur shprehemi duke thënë: fetë qiellore, nuk kemi për qëllim kurrsesi të pohojmë se ato fe janë akoma të vlefshme, përkundrazi ne themi se ato janë të anuluara, duke mbetur vetëm një fe e vetme që është feja islame. Pra, feja e vetme që e kënaq Allahun dhe që robërit duhet t`i kushtojnë Atij është vetëm feja islame. Allahu i Lartësuar ka thënë: “Kam zgjedhur islamin si fe tuajën.” (Maide: 3)

E kush kërkon fe tjetër përveç islamit nuk do i pranohet”. (Ali Imran: 85)

Po na lejohet të themi fetë qiellore por jo duke pasur për qëllim se ato janë akoma të vlefshme dhe sot. Pra lejohet të shprehemi në këtë mënyrë por n.q.s ekziston rreziku i keqkuptimit se këto fe janë të vlefshme akoma sot dhe se janë të pëlqyeshme tek Allahu, atëherë duhet të shoqërohen me sqarimin përkatës duke treguar se fakti i emërimit qiellore do të thotë se janë zbritur nga Allahu tek profetët përkatës por që janë anuluar me ardhjen e islamit.

Fe quhet ajo që njeriu beson kundrejt Zotit të tij. Siç dimë ka fe që nuk janë të shpallura nga Allahu dhe nuk janë qiellore, si psh., ata që adhurojnë lopën, apo që adhurojnë Budën apo diellin, etj. Këta ia kushtojnë adhurimin këtyre idhujve, gjë e cila nuk bën pjesë në fenë e Allahut dhe as nuk ka ardhur në ndonjë fe qiellore.
D.m.th., kemi të bëjmë me fe qiellore dhe fe tokësore. Fetë qiellore që dikur në kohën e tyre ishin të vlefshme, sot janë të anuluara. [2]

Shejh Salih el Feuzan shkruan:

Kush i shqipton dëshmitë, gjykohet për të se është musliman dhe i mbrohet gjaku i tij, më pas shohim: nëse vepron sipas rrjedhojave të shehadetit, në brendësi dhe sjellje të jashtme, ky është vërtetë musliman, që meriton përgëzim në dynja dhe Ahiret. Nëse vepron sipas saj vetëm haptazi, ai trajtohet si musliman pavarësisht hipokrizisë së tij të brendshme, ndërsa llogaria e tij i përket Allahut.

Ndërsa ai që nuk vepron sipas rrjedhojave të shehadetit, por mjaftohet vetëm me shqiptimin e shehadetit apo vepron me të kundërtën e shehadetit, ky gjykohet si murted dhe trajtohet si i tillë. Ky gjykim i shtjelluar gjendet në të gjitha sheriatet qiellore.

Rrymat ateiste janë konfliktuale sepse janë të bazuara mbi të kotën. Komunizmi mohon ekzistencën e Krijuesit dhe i lufton fetë qiellore. Kush është ai që pranon që të jetojë pa besim dhe të mohojë gjërat më elementare logjike të pakundërshtueshme, duke zhvlerësuar në këtë mënyrë logjikën e tij.” [3]

Përmblodhi dhe përshtati në shqip: Shuajb Rexha

——————————–

[1] “Mexhmual Fetaua ue rasail”

[2] “Mexhmua Muelefat”

[3] “Mexhmua Muelefat”