Pyetja:

Shohim vëllezër dhe motra që hyn në islam mirëpo marrin gjëra nga injoranca. Siç janë mos respektim ndaj vëllau-vëllaut, motra-motrës etj. Si e sheh islami këtë çështje dhe cila është këshilla juaj për këto të rinjë dhe të reja?

***

Përgjigjja:

Me emrin e Allahut, të Gjithëmëshirshmit, Mëshirëplotit!

Falënderimi i takon Allahut. Paqja dhe bekimi i Allahut qofshin mbi të Dërguarin e fundit të Allahut Muhamedin ﷺ, mbi familjen e tij, shokët e tij dhe të gjithë ata që ndjekin rrugën e tij deri në Ditën e Gjykimit.

Futja në Islam d.m.th: nënshtrim dhe dorëzim përkushtim dhe bindje duke filluar me të drejtat e Krijuesit e duke mbaruar me të drejtat e krijesave dhe do të thotë përsosje në karakter dhe moral.

Pjesë të depërtimit të Islamit te njeriu është dhe heqja dorë prej trashëgimisë injorante, e shprehur ndryshe xhahilijeti. Xhahilijet quhet çdo besim, praktikë apo sjellje që bie ndesh me drejtësinë e Islamit. Për këtë arsye, i Dërguari i Allahut ﷺ i drejtohet njërit prej shokëve të tij: “….ti akoma ke në vetvete normat e xhahilijetit.”

Për këtë arsye, me futjen në Islam duhet të ndryshojmë tërësisht nëse është e mundur. Ky është Islami i vërtetë që ne duhet të kemi dhe të reflektojmë ndër njerëz, sidomos kur bëhet fjalë për marrëdhëniet farefisnore apo të gjakut, apo më thellë se sa kjo ndërmjet vëllezërve dhe motrave. Padyshim që detyrimet fetare, sociale dhe morale janë edhe më të specifikuara dhe më obligative.

“A nuk mjafton si mbrojtje për ty,- i thotë Allahu farefisnisë, që të mbajë lidhjet me çdokënd që i ruan lidhjet farefisnore  e t’i shkëpusë prej çdokujt që i shkëput lidhjet farefisnore?”

Hadithi tjetër: “S’ka mbetur gjë mes meje dhe jush përveç lidhjeve farefisnore që unë do i mbaj të gjalla”– i drejtohet Profeti ﷺ një ditë fisit të tij kur i humbi shpresat që ata t’i përgjigjeshin thirrjes së tij për Islam.

Dhe ka thënë: “Ai që kthen vizitat nuk është se ka bëre diçka të madhe. Ruajte e lidhjeve farefisnore do të thotë t’i mbash lidhjet me atë që i shkëput ato.”

Ose hadithi që i thotë dikujt që po i ankohej se farefisin e vet e vizitonte dhe s’e vizitonin, i ndihmonte dhe s’e ndihmonin kur kishte ai nevoje, sillej mirë e shanin. I tha: “Nëse është kështu siç thua ti është njësoj sikur t’ju hedhesh atyre prush.”

Allahu e di më së miri.

Imam dr. Ahmed Kalaja