Pyetja:

Si ka qenë fjala “Allahu Ekber” moto e myslimanëve të parë dhe a ka vazhduar të influencojë tek myslimanët ashtu siç ka influencuar tek të parët?

****

Përgjigjja:

Me emrin e Allahut Mëshiruesit, falënderimi i takon vetëm Atij. Paqja dhe bekimi i Allahut qofshin për të Dërguarin e Tij ﷺ!

Disa fjalë madhështore mund ta humbasin domethënien dhe ndikimin e tyre tek zemrat e shumicës së njerëzve, edhe në qoftë se përsëriten shumë herë. Kjo ndodh për shkak të meditimit të paktë ose mos thellimit në kuptimin e domethënies së tyre.

Nga këto fjalë madhështore është fjala “Allahu Ekber”, fjalë me të cilën Allahu i Lartësuar e obligoi qysh në fillimin e mesazhit hyjnor profetin Muhamed a.s. që të ftonte njerëzit. Allahu i Lartësuar thotë në Kuran: “O ti i mbuluar, çohu dhe qorto. Zotin tënd madhëroje.” (Mud-dethir: 13)
Allahu i Lartësuar e mëson Profetin ﷺ që ta madhërojë Allahun, pas aprovimit të hyjnisë dhe njësimit të Allahut. I Lartësuari thotë në Kur’an: “Falënderimi i takon Allahut, i Cili nuk ka fëmijë e as ortak në sundim, e nuk ka nevojë për ndihmëtarë. E ti madhëroje Atë sa më shumë.” (Isra: 111)

Në të gjitha vendet myslimane, ezani këndohet pesë herë në ditë. Fjalët që këndohen janë: “Allahu Ekber” (katër herë), Esh’hedu en la ilahe  il-la llah (dy herë), Esh’hedu en ne Muham-meden resulull-llah (2 herë), Haj-je alas salah (2 herë), haj-je alel felah (2 herë), Allahu Ekber (2 herë), La ilahe il –la llah (1 herë).” Tek ezani do të shikojmë se ai fillon me tekbir dhe mbaron me fjalën e cila fton në monoteizëm. Gjithashtu vërejmë se fjala “Allahu Ekber” përsëritet gjashtë herë dhe fjalët e tjera përsëriten dy herë.

Për sa i përket namazit, ai fillon me tekbir. Ky tekbir quhet tekbiri i ihramit (fillestar) që do të thotë se myslimani ka hyrë në namaz dhe i është ndaluar çdo gjë. I është ndaluar çdo fjalë dhe vepër jashtë namazit. Profeti ﷺ ka thënë: “Çelësi i namazit është tekbiri [1], me tekbir hyn në të dhe me selam del prej tij.” [2] Gjithashtu tekbiri e shoqëron myslimanin gjatë gjithë namazit. Ibnu Mes’udi (Allahu qoftë i kënaqur me të) ka thënë: “Sa herë që Profeti ﷺ binte në ruku dhe sexhde  apo ngrihej prej tyre  (përveç kur ngrihej nga rukuja), po ashtu në çdo ulje dhe ngritje nga qëndrimi në këmbë dhe ulja e teshehudit, jepte tekbir.

Po kështu kanë vepruar Ebu Bekri dhe Omeri (Allahu qoftë i kënaqur me ta!).” [3]
Ibnu Omeri (Allahu qoftë i kënaqur me të) ka thënë: “Po faleshim kur dëgjuam një burrë të thoshte: “Allahu ekber kebira, uel hamdulil-lahi kethira, ue subhanall-llahi bukreten ue esila (Allahun e madhëroj, shumë Atë e falënderoj, i lavdëruar qoftë Allahu në mëngjes dhe në darkë). Profeti ﷺ tha: “U çudita nga ato fjalë, sepse dyert e qiellit u hapën.” Ibnu Omeri ka thënë: “Nuk kam reshtur së përmenduri ato fjalë qysh kur e kam dëgjuar Profetin ﷺ të thotë ashtu.” [4]

Pas faljes së namazit, myslimani kryen tesbitë. Profeti ﷺ ka thënë: “Kush thotë pas përfundimit të namazit të çdo namazi 33 herë “Subhanallah”, 33 herë “Elhamdulil-lah, 33 herë “Allahu Ekber”, pastaj i plotëson 100 me fjalën: “La ilahe il-lall-llahu uahdehu la sherike lehu, lehul mulku ue lehul hamdu ue hu’ue ala kul-li shej’in kadir (S’ka zot tjetër përveç Allahut,  një të vetëm, s’ka ortak, i Tiji është sundimi dhe Atij i takon falënderimi, e ai është i Plotfuqishëm për gjithçka) i falen mëkatet edhe në qoftë se janë sa shkuma e detit.” [5]

Kur vjen koha e namazit të bajramit të madh, myslimanët këndojnë tekbire duke filluar qysh kur dalin nga shtëpia e derisa imami fillon të mbajë hytben. Ata këndojnë: “Allahu Ekber” (3 herë), La ilahe il-lall-llahu, uall-llahu ekber, Allahu ekber, ue li-lahil hamd (Allahu është më i madhi, nuk ka zot tjetër përveç Tij, Allahu është më i madhi  dhe Atij i takon falënderimi). Në bajramin e vogël myslimanët këndojnë tekbire pesë ditë me rradhë, e madhërojnë Allahun që i udhëzoi në rrugë të drejtë. Ata këndojnë tekbire në çdo çast dhe në çdo kohë, sidomos pas faljes së namazit duke filluar nga namazi i sabahut të ditës së Arafatit e deri në namazin e iqindisë të ditës së katërt të bajramit.

Allahu i Lartësuar e ka urdhëruar përsëritjen e tekbirit në namaz dhe gjatë ezanit që t’i kujtojë myslimanët që të kthehen tek Allahu, të zgjohet neglizhenti, të udhëzohet i humburi e bamirësi t’i shtojë bamirësitë e tij. Sa herë që myslimanët e dëgjojnë tekbirin të thirret nga muezini, e përsërisin edhe ata për të mësuar se duhet t’i binden të vërtetës, të nxitojnë në punë të mira, të bashkëpunojnë me njëri-tjetrin në punë të mira, e të largohen nga mëkati dhe armiqësia. Allahu i Lartësuar thotë në Kuran: “Ndërkaq ata që u larguan prej adhurimit të idhujve dhe iu drejtuan me pendim tek Allahu, ata kanë gëzim të madh. E ti përgëzoi robërit e Mi. Të cilët i dëgjojnë fjalët dhe pasojnë atë më të mirën prej tyre. Të tillët janë ata që Allahu i udhëzoi në rrugë të drejtë dhe të tillët janë ata të mençurit.” (Zumer: 1718)

“Allahu Ekber” thirrja e qiellit e zbritur në vendin e shenjtë, që të përsëritet kjo fjalë sa më shumë tek banorët e tokës, duke ju kujtuar madhështinë e Allahut. Kështu që lëkurat e atyre që kanë frikë Allahun rrëqethen dhe  zemrat zbuten kur dëgjojnë përkujtimin e Allahut. Myslimanët e përsërisin gjithmonë këtë fjalë me sinqeritet dhe vendosmëri. Zëri i saj gjëmon ashtu sikurse deti gjëmon, sepse domethënia e saj është kuptimplote.

“Allahu Ekber”, fjalë të cilën e lexon dhe e dëgjon hajduti. Dora i dridhet nga frika, qenia e tij fillon të lëkundet, kujtohet për ekzistencën e Allahut të Plotfuqishëm, që e di dredhinë, poshtërsinë dhe mashtrimin e tij. Dhe jo vetëm kaq por ai zgjohet sepse e di mjaft mirë që ndëshkimi i Allahut është më i madh se ndëshkimi i njerëzve. Allahu i Lartësuar thotë në Kuran: “Vërtet ndëshkimi i tij është i dhembshëm dhe i ashpër.” (Hud: 102)

“Allahu Ekber”, fjalë e cila kumbon në veshin e mëkatarit, i cili kujtohet se Allahu i Lartësuar e di të fshehtën e syve dhe zemrave, e di të fshehtën dhe të dukshmen. I Lartësuari thotë: “Ai është me ju kudo që të jeni.” (Hadid: 4)
A nuk e di Ai që ka krijuar kur dihet se Ai depërton në thellësi të sekreteve dhe i njeh hollësitë.” (Mulk: 14)
A nuk e di se Allahu di çka në qiej e në tokë? Nuk bëhet bisedë e fshehtë mes tre vetave e të mos jetë Ai i katërti, e as mes pesë vetave e të mos jetë Ai i gjashti. E as më pak e as më shumë e të mos jetë Ai me ta kudo që të jenë. Pastaj në ditën e gjykimit i njofton për atë që kanë punuar. Me dijen e Tij, Ai ka përfshirë gjithçka.” (Muxhadele: 7)

“Allahu Ekber”, fjalë të cilën e dëgjon i pasuri, i cili e di se Allahu i Lartësuar është më i pasuri. Prej tij burojnë të gjitha të mirat. Ai është që jep dhe ndalon, e ngre dhe e ul robin e Tij. Kështu pra, i pasuri nuk tregohet kryeneç dhe mendjemadh, por përkundrazi mediton në thënien  e Allahut: “Pasuria dhe fëmijët janë stoli e jetës së kësaj bote, kurse veprat e mirë janë shpërblimi më i mirë te Zoti yt dhe janë shpresa më e mirë.” (Kehf: 46)

Nuk ka dyshim se pasuria dhe fëmijët janë sprovë, ndërsa ajo që është tek Allahu është shpërblim i madh.” (Tegabun: 15)

O ju që besuat, as pasuria e as fëmijët tuaj të mos u shmangin prej adhurimit të Allahut, e kush bën ashtu të tillët janë ata të humburit.” (Munafikun: 9)

“Allahu Ekber”, fjalë të cilën e thotë ose e dëgjon i varfri. Por varfëria nuk e poshtëron, as e ul e as nuk e lëkund, por përkundrazi ai e di se Allahu ëshë më i Madhi, më i Forti e i Plotfuqishëm për t’ia larguar atij varfërinë poshtëruese. Kështu që, varfëria nuk ndikon aspak negativisht tek besimtari. Allahu i Lartësuar thotë: “Në qoftë se keni frikë varfërinë, atëherë dijeni se Allahu do t’ju pasurojë nga mirësia e Tij.” (Teube: 28)

A nuk të gjeti jetim, e të përkrahu. Të gjeti të pa udhëzuar, e të udhëzoi. Të gjeti të varfër, e të begatoi.” (Duha: 68)

“Allahu Ekber”, është fjalë të cilën e përmend i sëmuri. Kjo fjalë për të është melhem, ilaç dhe shërim. Është fjalë të cilën ai e di mjaft mirë se Allahu i Lartësuar është Mëshirues, e  që i fal mëkatet e robërve të Tij. Allahu i Lartësuar thotë: “Kur sëmurem Ai më shëron.” (Shura: 80)

Përkujto Ejubin kur iu drejtua Zotit me lutje: më gjeti belaja, e Ti je më Mëshiruesi ndër mëshiruesit. Ne iu përgjigjëm atij nga mëshira e Jonë. Ia hoqëm ato vështirësi që kishte, i dhamë familjen e tij dhe akoma më shumë. Ne e bëmë atë përkujtim për të devotshmit.” (Enbija: 83-84)

“Allahu Ekber”, është fjalë të cilën e dëgjon ai i cili është në pozitë, që mundohet t’i nënshtrojë dhe t’i poshtërojë vartësit e tij. Mirëpo kur e dëgjon këtë fjalë e kupton mjaft mirë se Allahu është më i Fortë dhe më i Madh se ai. Kështu pra, ai ka frikë Allahun, tregohet modest dhe nuk i tejkalon normat dhe caqet. Ai gjithmonë mediton në thënien e Allahut në Kuran: “Kriminelët njihen nga tiparet e tyre. Prandaj ata kapen nga flokët dhe këmbët e tyre.” (Rrahman: 4142)
Ky është Faraoni, mbreti më mizor që ka parë historia e njerëzimit, i skllavëroi njerëzit por përfundimi i tij ishte: “Unë jam zoti juaj më i lartë. [6] Atëherë Allahu e dënoi atë për këtë të fundit dhe atë të parën. Në këtë ndëshkim ka ndëshkim për atë që frikësohet.” (Naziat: 2426)

“Allahu Ekber”, është fjala të cilën e përmend i dobëti dhe ai të cilit i është bërë e padrejtë. Ai e di mjaft mirë se Allahu i Lartësuar nuk e pranon padrejtësinë. Nga çasti në çast mund ta lusë Allahun që ta ndihmojë nga padrejtësia që i është bërë, sepse e di dhe është i sigurt që ndërmjet tij dhe Allahut nuk ka perde që lutja të mos i pranohet.

Prandaj premtojini Allahut që gjithmonë ta thoni fjalën “Allahu Ekber”, jo me gjuhë, por me zemër, me vendosmëri dhe meditim, që ajo t’u japë frytet e saj. Në qoftë se arroganti, mendjemadhi dhe mizori dëshirojnë që t’ju skllavërojnë, nënshtrojnë e t’ju poshtërojnë thoni “Allahu Ekber”. Në qoftë se shejtani i mallkuar dëshiron që t’ju largojë nga feja me mashtrimet dhe kënaqësitë e kësaj bote thoni “Allahu Ekber”. Në qoftë se ju godasin fatkeqësi të ndryshme duroni duke thënë: “Allahu Ekber”. Në qoftë se ju shtohen të mirat mos u mashtroni, por me modesti thoni “Allahu Ekber”.

Luteni Allahun duke thënë: “O Zot, na zbukuro me thjeshtësi dhe përulje ndaj Teje. Na ruaj nga mendjemadhësia dhe kryelartësia, mos na bëj prej atyre që shkatërrojnë në tokë. O Zot, ndihmoji besimtarët e thjeshtë!”

Allahu e di më së miri.

Ahmed Esh-Shirbasi

————————

[1] Tekbir është fjala “Allahu Ekber”

[2] Buhariu dhe Muslimi

[3] Buhariu dhe Muslimi

[4] Muslimi

[5] Buhariu dhe Muslimi

[6] Këtë gjë e pretendoi Faraoni