Pyetja:

A lejohet fekondimi artificial – in vitro?

***

Përgjigjja:

Fekondimi artificial – in vitro

Ajo që konsiderohet e re për kohën bashkëkohore në fushën e mjekësisë është aplikimi i fekondimit artificial, që kohët e fundit po zgjon interesim të madh, posaçërisht tek ato çifte që u mbetet pak shpresë për t’u bërë prindër.
Fekondimi artificial ose fekondimi i asistuar përfshin një numër metodash me të cilat kontrollohet dhe ndihmohet jo vetëm fekondimi i qelizës vezë, por edhe transporti i embrionit, implantimi, zhvillimi dhe ecuria e shtatzënisë. Themeli i rezultateve të të gjitha teknikave të riprodhimit qëndron në matjen adekuate të një ose më shumë qelizave vezë dhe në veprimet e manipulimet kualitative në laboratorët biologjikë.
Më 25 korrik të vitit 1978, në periferinë e Mançesterit, në Angli, lindi Louise Broven, fëmija i parë i fekonduar jashtë trupit të nënës. Pra, ajo ishte fëmija e parë që u fekondua “in vitro”; u quajt kështu sepse në latinisht “vitro” do të thotë xham dhe kuptohet se bëhet fjalë për xhamin e epruvetës. Ajo lindi në spitalin e Old`ham, në sajë të provave të gjata në këtë fushë nga ana e mjekëve të njohur anglezë Patrick Steptoe dhe Robert Edvards, të cilët kishin marrë një ovul të nënës së saj, Lesley, për ta bërë pjellore në laboratorin e tyre. Pas tri ditësh fekondimi në laborator me spermën e burrit të saj, embrioni u fut në uterusin e nënës që donte të lindte. Ajo kishte kohë që ëndërronte lindjen e një fëmije. Madje pas lindjes së Louise, ajo lindi edhe një vajzë tjetër po në të njëjtën mënyrë.
Në fakt, kjo teknikë ishte shpikur që në vitin 1959, por gjer në lindjen e Louise Broven teknika ishte eksperimentuar me sukses të plotë vetëm te lepujt. Në Francë, bebja e parë “epruvete” lindi në vitin 1982. Ajo u quajt Amandine dhe lindi në sajë të përkujdesjes së profesorit Rene Frydman në spitalin “Antoine Beclere” të Clamartit. Sot janë rreth 1.500.000 bebe që kanë lindur “in vitro” dhe në Francë mbi 60 mijë. Kurse në SHBA, në vitin 1999 janë kryer të paktën 78 mijë procedura të tilla dhe tani ky numër ka arritur nivelet maksimale.
Teknikat e sotme lejojnë që të zgjidhen 75% të problemeve të sterilitetit te burrat ose te gratë dhe që çiftet të kenë mundësi për të pasur fëmijë. Edhe në vendin tonë disa media të informimit reklamojnë se teknikat e këtij fekondimi kryhen në disa klinika shtetërore dhe private si në Shqipëri ashtu edhe Kosovë.
Duke parë rëndësinë e kësaj çështjeje dhe se sa me të shpejtë ka filluar të përhapet aplikim i këtyre metodave, pastaj duke qenë se këto teknika janë bërë një shkak me anë të të cilit muslimani mund të lërë pasardhës, atëherë e pamë të nevojshme të trajtohet kjo problematikë nga këndvështrimi islam, duke sjellë sqarimet e dijetarëve bashkëkohorë, të cilët kanë folur rreth kësaj teme.
Gjithashtu, një arsye se pse duhet të sqarohen këto forma të fekondimeve dhe dispozitat që kanë të bëjnë më to është edhe ajo se jo të gjitha teknikat janë të pranuara në Islam, pasi kemi teknika që janë të lejuara dhe të tjera që janë të ndaluara. Prandaj, është e nevojshme për besimtarin që dëshiron të ketë fëmijë, që të ketë parasysh se cilat teknika lejohet të shfrytëzojë, që ta realizojë këtë nevojë duke mos i tejkaluar kufijtë e Allahut të Lartësuar.

Qëndrimi i Islamit ndaj fekondimit artificial
Para se të fillojmë trajtimin e dispozitave, duhet të kemi parasysh se një nga objektivat më të rëndësishëm të martesës është lënia e pasardhësve dhe ruajtja e llojit njerëzor. Bashkimi ndërmjet mashkullit dhe femrës te krijesat e tjera nuk ka ndonjë ligj, të cilit ato i nënshtrohen, kurse te njeriu ishte dëshira e Allahut që shumimi dhe bashkimi ndërmjet mashkullit dhe femrës të mos jetë pa kurrfarë rregulli dhe dispozite, që njeriu të mos ia lejojë vetes që t’i paraprijë epshi në realizimin e këtij qëllimi. Urtia e Allahut ishte që t’i japë njeriut ligje, dispozita dhe norma në realizimin e synimit dhe në të njëjtën kohë edhe në ruajtjen e nderit, të pasardhësve, të fisnikërisë dhe të krenarisë, si krijesa më e përsosur.
Allahu i Lartësuar e bëri martesën formën e vetme falë së cilës mundësohet lidhja ndërmjet burrit dhe gruas, krijohet familja dhe lihen pasardhësit. Prandaj, martesa në Islam është e shenjtë dhe fisnike, e ndërtuar me pëlqim nga të dyja anët, me harmoni dhe dashuri të ndërsjellë. Prandaj, dispozitat që kanë të bëjnë me fekondimin artificial dhe teknikat që përdoren janë plotësisht të lidhura me këtë dhe dispozitat që përcaktohen në lidhje me to kanë për objektiv ndërtimin dhe ruajtjen e dinjitetit të familjes.
Fekondimi artificial, ashtu si sqaruam më lart, është një teknikë me anë të cilit bëhet lindja e fëmijëve në një formë jo të zakonshme. Kjo formë jonormale njihet edhe me disa terma të tjera, si: mbarsim artificial, ngjizje artificiale, fertilizim në epruvetë, fekondim i asistuar, in vitro, etj..
Fëmijët që lindin me këtë metodë quhen fëmijë epruvete, për arsye se, ashtu si do të vërejmë më poshtë, në disa nga këto teknika ngjizja e vezores së femrës me spermën e mashkullit bëhet në epruvetë në vend të mitrës.
Për të kuptuar qëndrimin e Islamit rreth ngjizjes artificiale duhet të dimë se ajo mund të jetë në disa metoda.
Metodat e fekondimit artificial
1. Të merret sperma dhe vezorja nga burri dhe gruaja që kanë kurorë dhe pasi të bëhet fekondimi në epruvetë, të mbillet kjo në mitrën e së njëjtës grua.
2. Të bëhet fekondimi i brendshëm, që realizohet në këtë formë: Të merret sperma e burrit dhe të trajtohet në mënyrë speciale dhe me anë të injeksionit të bëhet hedhja e saj në traktin gjenital të femrës (në hapësirën e mitrës ose tubat uterine) dhe kjo grua të ketë kurorë me burrin nga i cili merret sperma.
3. Të bëhet fekondimi duke marrë spermën nga burri dhe vezoren nga ndonjë grua, por këta të dy të mos kenë kurorë (të mos jenë të martuar njëri me tjetrin), pastaj të bëhet mbjellja e ngjizjes në mitrën e gruas tjetër, që gjendet në kurorë me burrin nga i cili kemi marrë spermën (pra, të bëhet mbjellja në mitrën e gruas që është martuar me burrin nga i cili kemi marrë spermën).
4. Të merret sperma dhe vezorja nga burri dhe gruaja që nuk janë të martuar me njëri-tjetrin, pastaj të mbillet ajo ngjizje në mitrën e po së njëjtës grua.
5. Të merret sperma dhe vezorja nga burri dhe gruaja që kanë kurorë, pastaj ngjizja të mbillet në mitrën e ndonjë gruaje tjetër.
6. Të bëhet ngjizja duke marrë spermën nga një njeri i huaj dhe vezoren nga një grua e huaj dhe të mbillet ajo ngjizje në mitrën e gruas tjetër.
7. Të merret sperma dhe vezorja nga burri dhe gruaja që kanë kurorë dhe të bëhet mbjellja e asaj ngjizjeje në mitrën e gruas tjetër dhe që ajo grua të jetë njëkohësisht edhe grua e dytë e të njëjtit burrë.
Qëndrimi i dijetarëve bashkëkohorë për këto metoda
Në takimin që ka mbajtur “Kolegjiumi i Fikhut Islam”, në Kongresin e tretë në Aman, prej datës 8 deri më 12 të muajit sefer të vitit 1407 hixhri ose 1986, për çështjen e metodave të ngjizjes artificiale vendosi:
-Pesë format e fundit janë të ndaluara, haram, për shkak të vetë procesit të tyre dhe të faktit se shpie në përzierjen e pasardhësve dhe të gjërave të tjera që kanë të bëjnë me të.
Kurse metodën e parë dhe të dytë kolegjiumi e pa të lejuar dhe nuk pa ndonjë pengesë për praktikimin e tyre nga ana e çifteve, në rast nevoje.
-Gjithashtu, kolegjiumi tërheq vërejtjen e marrjes parasysh të të gjitha domosdoshmërive të nevojshme për t`iu larguar ndonjë mundësie të përzierjes së metodave të tjera pa dijen e tyre.
Fëmijët që lindin si rezultat i metodave të lartpërmendura
Sa i përket këndvështrimit islam rreth fëmijëve të cilët lindin si rezultat i këtyre metodave, se a konsiderohen fëmijë të ligjshëm apo jo, dijetarët që kanë debatuar në këtë kongres kanë theksuar:
-Fëmijët që lindin si rezultat i metodës së parë dhe të dytë konsiderohen si fëmijë legjitimë sipas sheriatit dhe kanë po të njëjtat të drejta si fëmijët e zakonshëm, si atësia, trashëgimia, etj..
-Kurse fëmijët që lindin nga aplikimi i pesë metodave të fundit konsiderohen fëmijë jolegjitimë dhe dispozita rreth tyre është e njëjtë sikurse për fëmijët që lindin jashtë kurorës, pra trajtohen si fëmijë të zinasë (që lindin nga burri dhe gruaja që nuk kanë kurorë).

Zbulimi i auretit gjatë aplikimit të metodave të lejuara
Disa njerëz që mund të jenë më skeptikë në këtë ngrenë edhe problematikën e zbulimit të auretit (pjesëve të turpshme të njeriut) gjatë këtij procesi, prandaj është e nevojshme të shtjellohet edhe kjo.
Nuk ka mospajtim te fukahatë rreth lejimit të shërimit nga sëmundjet që mund të goditet njeriu. Gjithashtu, edhe pamundësia e ngjizjes së qelizës vezë të femrës me spermatozoidin e burrit në mënyrë natyrore është sëmundje, prandaj çiftit i lejohet të hulumtojë për diagnostikimin dhe gjetjen e shkaqeve që e pengojnë këtë proces. Me fjalë të tjera, pamundësia e fekondimit është për shkak të ndonjë sëmundjeje apo defekti nga i cili goditet njëri prej bashkëshortëve ose të dy dhe atyre u lejohet ta evitojnë dhe ta shërojnë atë.
Vërtetohet se edhe disa nga të Dërguarit e Allahut ishin sprovuar për një periudhë kohore me këtë çështje, kështu që ata kanë kërkuar nga Allahu i Lartësuar mjekim.
Kështu, i Dërguari Zekirija paqja çoftë mbi të, ka kërkuar nga Allahu që t’i falë pasardhës, pasi gruaja e tij nuk mund të lindte. Allahu i Lartësuar ia pranoi lutjen dhe i dha Jahjan, i cili gjithashtu u bë Pejgamber.

Allahu i Lartësuar në Kuran thotë:
“(ky është) Përkujtim i mëshirës së Zotit tënd ndaj robit të vet Zekeriait, kur ai iu lut Zotit të vet me një zë të ulët e tha: “Zoti im! Vërtet, mua më janë dobësuar eshtrat, më janë përhapur thinjat në kokën time, e me lutjen time ndaj Teje, o Zoti im, asnjëherë nuk kam qenë i dëshpëruar. Unë ua kam frikë pasardhësve të mi pas meje (kushërinjve se do ta humbnin fenë), ndërsa gruaja ime është sterile, pra më fal nga ajo mirësia Jote një pasardhës (një fëmijë). Të më trashëgojnë mua dhe t’i trashëgojë ata nga familja e Jakubit dhe bëje atë, o Zot, të këndshëm (të vyeshëm)!”
O Zekeria, Ne po të përgëzojmë ty me një djalë, emri i të cilit është Jahja, e që askush para tij nuk u emërtua me këtë emër.(Merjem: 2-7).

Në ajetet e lartpërmendura vërtetohet se si Allahu i Lartësuar ia mundësoi Profetit të Tij, Zekirijas, që nga fundi i jetës së tij të ketë pasardhës, pasi Ai i largoi defektet me të cilat ballafaqohej gruaja e tij (ajo ishte sterile).
Sa i përket lejimit të shërimit, kemi me dhjetëra hadithe që e vërtetojnë këtë dhe nuk do t’i sjellim këtu, por ajo që duhet të shtjellohet këtu është çështja e zbulimit të auretit, pa marrë parasysh nëse bëhet fjalë për auretin e mashkullit apo të femrës, pasi zbulimi i auretit për besimtarin është i ndaluar, kurse fekondimi artificial është i pamundur të realizohet pa u bërë zbulimi, posaçërisht aureti i femrës.
Pa u zgjeruar në këtë pikë, themi se në përgjithësi të gjithë fukahatë lejojnë zbulimin e auretit nëse kjo është e domosdoshme, si për shembull gjatë shërimit nga sëmundjet apo për ndonjë arsye tjetër. Gjithashtu edhe prekja lejohet, por këtu ata vënë disa kushte:
Kushtet kur lejohet të zbulohet aureti
1. Që kjo të jetë për arsye të domosdoshme.
2. Në radhë të parë zbulimi i auretit të femrës duhet të bëhet para femrës dhe nëse ka mundësi që këtë proces ta kryejë gruaja, atëherë nuk lejohet të shkojmë te mashkulli.
3. Në rast të nevojës së ndërhyrjes së tillë, duhet të kërkojmë mjeke besimtare ose të besueshme dhe të mos shkohet te njerëz që janë të njohur për keq.
Në lidhje me këtë, imam Merginani, nga dijetarët hanefi, në librin “Hidaje” thotë: “I lejohet mjekut ta shikojë vendin e sëmundjes në rast nevoje. Duhet pasur parasysh se është më mirë që gruaja ta mjekojë gruan, ngase shikim i së njëjtës gjini në mes tyre është më i lehtë. Nëse nuk mund të gjendet mjek nga e njëjta gjini, femra mbulon tërë pjesën, duke shpaluar vetëm vendin ku është sëmurë. Mjeku e shikon atë dhe më pas e largon shikimin aq sa është e mundur dhe e nevojshme të përdoret. Ky rast është identik me bërjen synet (rrethprerjen).”
Në fund, themi se edhe lënia e pasardhësve është nevojë e njeriut, prandaj fukahatë që kanë folur për këtë problematikë dhe e kanë lejuar aplikimin e metodave të pranuara të fekondimit, kanë lejuar edhe zbulimin e auretit në këto raste.

Allahu e di më së miri!

Përgatiti: hoxhë Alaudin Abazi