Pyetja:
Sa umre i ka bërë Pejgamberi ﷺ?
***
Përgjigjja:
Falënderimi i takon vetëm Allahut.
Transmeton Katade se Enesi ka treguar se i Dërguari i Allahut ﷺ ka bërë katër Umre, të gjithat i ka bërë në (muajin) Dhul Ki’deh, përpos umres të cilën e ka bërë në Haxh;
Umren e Hudejbijes e ka bërë në Dhul Ki’deh, umren e vitit të ardhshëm (pas Hudejbijes) e pati bërë në Dhul Ki’deh dhe umren e Xhii’rrane-s në të cilën e ndau plaçkën e luftës e pati bërë në Dhul Ki’deh. [1]
Thotë Ibn Kajjimi: “Pas hixhretit [2] bëri katër umre, të gjitha në (muajin) Dhul Ki’deh:
- Umreja e Hudejbijes, e cila ishte umreja e parë, në vitin e gjashtë, ku mushrikët e penguan nga të kryerit e saj (Umres), andaj preu kurban, i rruajti ai dhe shokët e tij flokët dhe u liruan nga Ihrami, për t’u kthyer vitin e ardhshëm.
- Umreja kompenzuese, të cilën e bëri një vit pas Hudejbijes[3]. Qëndroi në Meke tri ditë, pastaj u largua pas kryerjes së umres.
- Umreja të cilën e bëri me Haxhin e tij.
- Umreja e Xhii’rrane-s, pasiqë doli për në Betejën e Hunejn-it, pastaj e filloi umren e tij nga Xhii’rrane.
Dijetarët janë të pajtimit se nuk ka bërë më shumë se katër umre.”[4]
Thotë Neveviu: “Dijetarët kanë thënë: I Dërguari i Allahut ﷺ i ka bërë këto umre në Dhul Ki’de për shkak të mirësisë së këtij muaji dhe me qëllim të kundërshtimit të mushrikëve, të cilët mendonin se kryerja e umres në këtë muaj është prej veprave më të shëmtuara, andaj Pejgamberi ﷺ e bëri umren disa herë m’u në këtë muaj që të kuptohet mirë se kjo vepër lejohet të kryhet në këtë periudhë dhe të kuptohet mirë kundërshtimi i besëtytnive të xhahilijetit.”[5]
Përktheu: Ali Ashani
Islamqa.info
———————————————-————-
[1] Buhariu (1654) dhe Muslimi (1253).
[2] Shpërnguljes nga Meka në Medine.
[3] Sipas marrëveshjes me mushrikët e Mekes.
[4] Më gjërësisht shih Zad el-Mea’d (2/90-93).
[5] Komentimi i Muslimit (8/235).