Pyetja:
Nëse një person jomusliman, bëhet musliman në moshë jo të re, psh., në moshën dyzet vjeçare, a e ka patjetër të bëhet synet, nëse ekziston ndonji rrezik për shëndetin e tij, dhe nëse nuk bëhet sunet, a e dëmton kjo besimin?
***
Përgjigjja:
Së pari duhet përmendur se sunetimi është prej gjërave të natyrës njerëzore të cilat i ka përmendur Muhamedi ﷺ në njërin nga hadithet e tij bashkë me pastrimin e vendeve të turpshme, prerjen e thonjve, shkurtimin e mustaqeve, pastrimin e nënsqetullave dhe lëshimin e mjekrës.
Kur bëhet fjalë për statusin juridik të sunetimit, dijetarët islamë kanë mendime të ndryshme. Kështu, disa janë të mendimit se sunetimi është obligativ-vaxhib, ndërkaq disa tjerë janë të mendimit se është sunet-jo obligativ.
Sido që të jetë, muslimani duhet të bëhet sunet, konform porosive dhe praktikës së Pejgamberit ﷺ.
Nuk ka dyshim se sunetimi është një nga cilësitë dalluese të muslimanët dhe në të njejtën kohë edhe mbrojtje shëndetësore, gjegjësisht personi i cili bëhet sunet është i mbrojtur nga disa sëmundje të cilat u paraqiten njerëzve te organet gjenitale.
Mirëpo, në rastin në fjalë, nëse ka mundësi të bëhet sunet, duhet të bëhet, e nëse ka vërejtje nga mjekët se nëse bëhet mund t’i shkaktohen komplikime serioze për shkak moshës, atëherë mund të mos bëhet sunet, dhe kjo nuk është mëkat për të dhe as që ka ndikim në obligimet fetare. Kjo, ngase Pejgamberi ﷺ kur është takuar me delegacionet të cilat kanë ardhur ta përqafojnë Islamin dhe ua ka sqaruar Islamin, nuk ua ka përmendur sunetimin. Sikur të kishte patur ndikim sunetimi në pranimin e veprave, me siguri se i dërguari i Allahut ﷺ do t’ua përmendte këtë çështje.
Allahu e di më së miri.
Dr. Bashkim Aliu