Pyetja:

Emrat si Zekeria, Muhamed, Aishe, Fatime etj… janë emra të vjetër. A janë të përshtatshëm për kohën kur jetojmë? Apo ndoshta këto fjalë cenojnë besimin?

***

Përgjigjja:

Tu vësh fëmijëve emrat e profetëve, sahabëve dhe njerëzve të mirë, është një nder por dhe në interes të fesë e besimit. Ato janë emra të zgjedhur nga vetë Zoti për njerëzit e Tij më të mirë. Duke i përdorur këto emra për fëmijët tanë, ne e përjetësojmë kujtimin e këtyre njerëzve si dhe ftojmë të ndiqen gjurmët e tyre. Ajo është një vepër e pëlqyeshme në islam. Në një hadith, i Dërguari i Allahut ﷺ ka thënë: ”Përdorni emrat e profetëve!” [1]

Kushdo që ka neveri për këto emra dhe hap sytë për emra alternativë, besoj se ka gabuar dhe ka kundërshtuar udhëzimin profetik.

Ibn Kajimi kur shkruan për këtë çështje, thotë: Dijetari i tabiinëve, Seid ibnu Musejjib: ”Emrat më të dashur tek Zoti, janë emrat e profetëve. Tek Historia e Ibnu Ebi Hajtheme, thuhet se Talha kishte dhjetë fëmijë dhe të gjithëve u kishte vënë emra profetësh. Zubejri kishte dhjetë fëmijë dhe të gjithëve u kishte vëne emra dëshmorësh. Talha i kishte thënë Zubejrit: ”Unë do u vë fëmijëve të mi emra profetësh, kurse ti vendosu emra dëshmorësh.” Zubejr ia kishte kthyer: ”Unë shpresoj që fëmijët e mi të bëhen të gjithë dëshmorë. Kurse ti nuk shpreson dot që fëmijët e tu të bëhen profetë.” [2]

Tregon Ebu Musa: ”Më lindi një djalë dhe bashkë me të vajta tek i Dërguari i Allahut ﷺ, i cili ia vuri emrin Ibrahim dhe ia ëmbëlsoi gojën me hurma.” [3]

Shejh Muhamed Muhtar Shenkiti kur e shpjegon këtë çështje, shkruan:
“Përdorimi i emrave të profetëve dhe njerëzve të mirë për fëmijët e porsalindur është diçka e pëlqyeshme. Në hadithin e Mugires, i Dërguari i Allahut ﷺ ka thënë: ”Njerëzit para jush, u vinin fëmijëve emrat e profetëve dhe evliave.” [4]

Këtë, e bënin me qëllim që kur fëmijët të rriteshin, të lexonin jetëshkrimin e atyre njerëzve të mirë dhe të ndiqnin gjurmët e tyre. Kështu, zgjedhja e emrit është hapi i parë i rrugës drejt së mirës për fëmijën dhe anasjelltas. Përdorimi i emrave të njerëzve të liq, të shthurur dhe të degjeneruar, është stimulim drejt të keqes. Sakaq, përdorimi i emrave të qafirëve është e ndaluar, haram.”

Por kultura moderne që ka depërtuar në çdo cep te jetës tonë, i ka shtyrë shumë nga familjet myslimane që të distancohen nga trashëgimia islame në përdorimin e emrave myslimanë me rastin e lindjes së fëmijëve. Shumë prej çifteve janë të prirur që fëmijëve të tyre tu vënë emra të huaj.

Kushdo që ndoshta neveritet dhe nuk i pëlqejnë emrat myslimanë, është i gabuar dhe duhet të bëjë istigfar e të pendohet. Pretendimi se e do të Dërguarin e Allahut ﷺ por nuk i pëlqen emri është diçka kontradiktore dhe paradoksale. Nëse e duam dikë dhe jemi të lidhur me të, padyshim që ia pëlqejmë dhe emrin dhe rrjedhimisht, edhe fëmijët do i quanim me emrin e tij. Veprat janë indikatorët matës të dashurisë për një person.

Kurse lidhur me thënien që këto emra janë të vjetër dhe jo bashkëkohorë, besoj se një shprehje të tillë i vjen era ateizëm dhe lufte fetare. Një myslimani që ndihet krenar për fenë, profetin dhe shokët e tij, nuk i shkojnë për shtat shprehi të tilla.

Megjithatë, ne nuk mendojmë veçse mirë me personin që është shprehur në atë mënyrë dhe lutem që Zoti ta udhëzojë në rrugë të mbarë. Nëse ajo grua dëshiron një emër bashkëkohor, le të zgjedhë një emër të tillë, por të paktën të jetë emër me kuptim të mirë dhe le ta frenojë pak veten e të mos shprehet se nuk i pëlqejnë emrat që janë të dashur për myslimanët e tjerë.

Të thuash që këto emra nuk janë bashkëkohorë, është një trillim i pastër dhe mos njohje e statistikave në rang botëror. Sot, emri mysliman më i përdorur në rang botëror është emri Muhamed.

Zoti e di më mirë.

Alaudin Abazi

——————

[1] Ebu Davudi

[2] Ibn Kajjimi, “Tuhfetul Meulud”

[3] Buhariu

[4] “Sherhu zadil mustanka”