Pyetja:

A lejohet hapja e restoranteve dhe picerive gjatë kohës së agjërimit në ditët e Ramazanit?

***

Përgjigjja:

Falënderimi i takon Allahut. Paqja dhe bekimet e Allahut qofshin mbi të Dërguarin e Tij.

Agjërimi i Ramazanit është detyrim për çdo musliman që ka plotësuar kriteret që parashtron feja islame për këtë obligim. Respektimi i shenjtërisë së këtij muaji është gjithashtu obligim për besimtarët, ndaj hapja e restoranteve, picerive dhe çdo lokali tjetër që ofron ushqim dhe pije si konsum i menjëhershëm gjatë ditëve të Ramazanit, është një çështje që ka të bëjë pikërisht me ruajtjen e shenjtërisë së muajit të Agjërimit.

Nisur nga detyrimi që ka çdo musliman për të respektuar shenjtërinë e këtij muaji ne gjykojmë se nuk lejohet që këto lokale të mbahen hapur gjatë ditës, pra gjatë kohës kur kryhet agjërimi. Hapja dhe shërbimi i ushqimeve në to gjatë kohës së agjërimit konsiderohet  bashkëpunim në gjynah, sepse u ofron ushqim atyre që e kanë detyrë të agjërojnë, paçka se shumë prej njerëzve e kanë vendosur të mos agjërojnë. Allahu i Madhëruar thotë: “Ndihmojeni njëri-tjetrin në punë të mira dhe në të ruajturit nga të këqijat dhe jo në gjynahe dhe armiqësi!” (Maide: 2)

Po kështu hapja dhe servirja e ushqimit në këto lokale gjatë ditëve të agjërimit nga ana e muslimanëve jep një imazh jo të mirë në sytë e besimtarëve dhe të mbarë njerëzve.

Lejohet që këto lokale gjatë kohës së agjërimit të përgatisin ushqim, pica etj, nëse u kërkohet nga dikush që do ti konsumojë ato pas iftarit, gjithashtu i lejohet të përgatisë ushqim me porosi nga ata persona që janë të arsyetuar dhe se kanë detyrë agjërimin siç janë udhëtarët, të sëmurët, pleqtë e thyer në moshë, fëmijët, gratë me cikël menstrual, etj. Ndërkohë lejohet përgatitja e ushqimeve para iftarit që të jenë të gatshme në kohën kur çelet iftari e më pas, për të gjithë kategoritë e njerëzve.

Ne këshillojmë që këtë ta bëni për hir te Allahut duke kërkuar shpërblimin e Tij dhe duke qenë të sigurtë se kush e lë diçka për hir të Allahut, Allahu do t’ia zëvendësojë me diçka më të mirë se ajo që ai ka lënë”.

Allahu e di më së miri.

Komisioni i studimeve dhe i fetvave pranë LHSH-së