Pyetja:
Një person që është musliman dhe do të agjërojë, por në pamundësi të shëndetit të tije të keq pra (është i sëmure dhe merr ilaçe). Do te japë kompensim pra te ushqeje te varfër si e jap këtë kompensim ne lek apo ushqim? Sa? Dhe kur e jep? (për çdo ditë, në fillim, apo në fund)
***
Përgjigjja:
Kompensimi për shlyerjen e agjërimit jepet në ushqim, nga ata muslimanë që kanë sëmundje kronike, ose janë të thyer në moshë dhe nuk munden të agjërojnë. Nga sahabi i nderuar Enes ibn Malik, Allahu qoftë i kënaqur prej tij, përcillet se kur ai shkoi në moshë të thyer dhe e kishte të pamundur të agjëronte, grumbulloi tridhjetë të varfër në një ditë dhe u shtroi ushqim për të ngrënë. Këtë kompensim njeriu i interesuar mund ta japë vetë ose mund të ngarkoj dikë tjetër për ta bërë këtë gjë për të. Kompensimin mund ta japë për çdo dite të Ramazanit, ose në fund të Ramazanit. Ai jepet në dy mënyra:
a) nga një vakt ushqim për aq ditë sa nuk ka agjëruar.
b) ose mund të japë ushqim të pagatuar (të paktën gjysme sa’, e barabartë kjo me masën e dy grushteve, prej artikujve ushqimor si: oriz, fasule, etj., ose një grusht miell).
Kompensimi i agjërimit në pamundësi mund të jepet edhe në vleftë monetare, por me kusht që kjo vleftë të shkojë për ushqim. Kosto e këtij ushqimi ndryshon në varësi të mundësisë ekonomike dhe ushqimit që konsumon vetë personi që duhet të japë kompensimin e agjërimit. Sipas një llogaritje të përafërt në lekë, në kohën që jetojmë, kjo shumë për ushqim të gatuar për Shqipërinë mund të shkoje së paku tek 250-300 lekë të reja, e mjaftueshme kjo për ushqimin një vakti të thjeshtë ngrënie për një njeri, kjo më pas shumëzohet për aq ditë për sa do të bëhet konpesimi. Nëse kjo shumë jepet për blerjen e një ushqimi të pagatuar do të ishte më mirë, sepse i bie një sasi më e madhe dhe në këtë rast është më me interes për njerëzit nevojtarë. Allahu e di më së miri!
Komisioni i Pyetje-Përgjigjeve pranë Lidhjes së Hoxhallarëve të Shqipërisë